1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Solana: dhuna në Kosovë ka qenë e parapërgatitur

Viron Gjymshana25 Mars 2004

Kosova duhet të ruajë multietnicitetin

https://p.dw.com/p/ArHv
Javier Solana
Javier SolanaFotografi: AP

Havier Solana deklaroi sot në Bruksel se ai ka fituar përshtypjen se dhuna e ngjarë javën e kaluar në Kosovë ka qënë e parapërgatitur. Vetëm momenti i shpërthimit të saj ndofta ka qënë spontan dhe i rastësishëm. Por, Solana, bëri të ditur me këtë rast se kjo dhunë nuk do ta detyrojë dot bashkësinë ndërkombëtare të nxitohet në marrjen e vendimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës, përkundrazi kjo dhunë mund të ndikojë që këto vendime të shkojnë në drejtim të kundërt me atë që shpresojnë nxitësit e saj, - tha ai.

Solana u takua sot edhe me ministri e jashtëm shqiptar Kastriot Islamin, me të cilin bisedoi për gjendjen në rajon dhe procesin e negociatave të marrëveshjes së asocim - stabilitetit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Gjatë vizitave të tij në Bruksel, islami është takuar edhe me komisioneri Kris patten si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Havier Solana, është shprehur sot me terma tejet të ashpra ndaj dhunës që ngjau javën e kaluar në Kosovë. Duket se në këtë qëndrim të tij rol të veçantë ka luajtur edhe mënyra se si u prit ai dje nga banorët serbë si dhe nga ato që pa dhe konstatoi gjatë vizitave dhe bisedimeve që zhvilloi me udhëheqësit lokalë dhe ndërkombëtarë. Duke folur në selinë e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian në Bruksel në prani edhe të kryeministrit të Sllovenisë, Solana ndër të tjera tha se gjatë udhëtimit të tij të djeshëm në Kosovë, ai ua bëri të qartë njerëzve dhe veçanërisht udhëheqësve të saj, se Kosova duhet të vazhdojë të mbetet një vend ku të bashkëjetojnë me të drejta të barabarta të gjitha kombësitë dhe pakicat. Ky parim përbën edhe një nga bazat themelore mbi të cilat është ngritur edhe Bashkimi Europian, vlerë të cilën bashkësia ndërkombëtare do ta mbrojë edhe në Kosovë, qoftë me ndihmën e NATO-s, KFOR-it, UNMIK-ut, Kombeve të Bashkuara etj. Pakica serbe në Kosovë do të mbrohet, që ajo të mund të jetojë e qetë dhe e patrazuar - deklaroi shefi i diplomacisë europiane.

Dhe duket se mbresat dhe përshtypjet me të cilat ai u kthye nga vizita e djeshme në Kosovë, Solana do ua bëjë të njohur sot dhe nesër e kësaj edhe kryetarëve të shteteve dhe qeverive që kanë filluar në Bruksel një samit 2-ditor.

Gjatë konferencës së shtypit Havier Solana theksoi me forcë se në Kosovë nuk ka dështuar strategjia e Bashkimit Europian, por ka dështuar sjellja dhe planet disa njerëzve atje. Ne nuk jemi përgjegjës për mënyrën se si sillen njerëzit atje, aq më shumë që ne kemi shpenzuar në Kosovë më shumë para për frymë popullsie se kudo tjetër në botë. Aq më shumë që bashkësia ndërkombëtare ka ndërhyrë edhe ushtarakisht për t'i mbrojur ata. Pra nuk mund të qortohet bashkësia ndërkombëtare për çfarë ka bërë në Kosovë dhe për Kosovën, por duhet të qortohen dikush apo disa atje që nuk ka qënë të aftë të organizojnë veten e tyre për të pamundësuar atë shpërthim dhune që u vu re pak ditë më parë. Dhe kjo ndodhi vetëm 5 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s në favor të popullit të Kosovës. Ndërsa sot fëmijët nuk ndjehen të sigurt dhe nuk janë të sigurtë as që të shkojnë në shkollë, sepse edhe ato janë djegur së bashku me spitalet dhe kishat. Të gjitha këto veprime janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Europian, ato i kundërvihen hapur edhe standarteve që bashkësia ndërkombëtare ka hartuar për Kosovën.

Dhuna e shpërthyer në Kosovë nuk ishte edhe aq spontane sa dukej. Ndofta momenti i gjetur kishte një farë spontaneiteti, por dukej që dikush ishte përgatitur që më parë që të kryenin këto veprime sapo të gjenin rastin e përshtatshëm. Dhe njerëzit që i kishin përgatitur këto ngjarje, ka shumë mundësi që i përkasin partive politike të caktuara. Prandaj udhëheqësit e këtyre partive duhet të shprehen qartë dhe me forcë kundër kësaj dhune. Dhuna nuk mund ta detyrojë bashkësinë ndërkombëtare të përshpejtojë marrjen e vendimeve, përkundrazi bashkësia ndërkombëtare mund të marrë vendime në drejtimin e kundërt me atë të shpresuar nga ata që kryen këtë dhunë, - vuri dukje kryediplomati i BE-së.

Menjëherë pas takimit që Solana zhvilloi me kryeministrin e Sllovenisë, shefi i diplomacisë europiane priti edhe ministrin e jashtëm shqiptar Kastriot Islami.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian pohoi se ai trajtoi me ministrin e jashtëm shqiptar situatën e brendshme në vend si dhe rolin që mund të lozë Shqipëria në rajon. Ai pohoi se Shqipëria është në procesin e negociatave me BE-në për një marrëveshje asocim - stabiliteti. Këto negociata vazhdojnë pasi ende ka disa çështje të hapura dhe detyra që duhen plotësuar, - vuri në dukje kryediplomati i BE-së.

I të njëjtit mendim duket se është edhe komisioneri i Bashkimit Europian Kris Patten, i cili bisedoi me ministrin shqiptar për reformat e ndërmarra deri më sot në Shqipëri në kuadrin e programit të ri të Komisionit Europian për vendet e Europës Juglindore, i njohur si Partneriteti Europian. Nga kabineti i Pattenit bëjnë të njohur me këtë rast se Bashkimi Europian do t'i bëjë të ditura shumë shpejt qëndrimet dhe opinionet e tij ndaj Shqipërisë në një raport të posaçëm që do të publikojë javën e ardhshme. Emma Udvin zëdhënëse e Kris Pattenit bën të ditur se përveç kritikave, në këtë raport nxirren në pah edhe arritjet pozitive në Shqipëri gjatë këtyre 12 muajve të fundit. Turneu i ministrit të jashtëm shqiptar përfundoi sot pasdite me një takim që ai zhvilloi me sekretarin e përgjitshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.