1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sot është dita e Angela Merkelit!

Nina Werkhäuser22 Nëntor 2005

Bundestagu gjerman zgjedh kancelaren e parë të Gjermanisë, Angela Merkel. Nuk ekziston më asnjë dyshim se ajo do të zgjidhet shefe e re e Gjermanisë

https://p.dw.com/p/Aqhc
Kancelarja e parë
Kancelarja e parëFotografi: AP

Deputetët gjermanë do të zgjedhin në mënyrë të fshehtë pas propozimit të presidentit, kancelarin e ri, ose më saktë kancelaren e re. Shefes së unionit CSU Angela Merkel, i nevojiten 308 vota për t´u emëruar kancelarja e parë në historinë gjermane. Kjo shifër është gjysma e votave e të gjithë 614 deputetëve, plus një votë. Merkel do t´i fitojë pa problem këto zgjedhje, sepse CDU-CSU dhe partia SPD kanë së bashku 448 vende në parlament. Por rezultati i saktë do të pasqyrojë mbështetjen që gëzon Angela Merkel në radhët e unionit të saj dhe partisë social demokrate.

Zgjedhja e Merkelit - e sigurt

Hubertus Heil, sekretari i përgjithshëm i social demokratëve tregon: "Deri tani nuk kam dëgjuar nga asnjë koleg se do të votojë kundër kandidaturës së Merkelit. Eshtë e vërtetë se gjatë kongresit të partisë social demokrate u vendos që të hyjmë në këtë koalicion të madh. Unë shpresoj se unionistët të jenë po aq të vendosur sa jemi ne."

Deri tani vetëm mund të spekullohet mbi votat kundër Merkelit. Por edhe sekretari i ardhshëm i përgjithshëm i unionit CDU-CSU, Ronald Pofalla, është pozitiv: "Besoj se të gjithë e dimë tashmë se për çfarë bëhet fjalë. Klima e mirë që shoqëroi bisedimet mbi koalicionin e madh mes social demokratëve dhe ne unionistëve, duhet ruajtur edhe më tej. Mendoj se Angela Merkel do t´i fitojë me një rezultat të kënaqshëm zgjedhjet dhe se do të bëhet kancelarja e parë e Republikës Federale Gjermane."

Hera e parë që emri i kancelarit është i sigurt

Deri tani gjatë zgjedhjeve për postin e kancelarit, ka pasur shpesh paqartësi deri në minutën e fundit. Në vitin 1961, 46 deputetë të koaliconit krist-liberal nuk ja dhanë votat e tyre Konrad Adenauerit. Kurt Georg Kissinger u zgjodh në vitin 1966 me 109 vota kundër, si kancelar i koalicionit të madh. Ndërkohë gjatë zgjedhjeve të vitit 1998 Gerhard Schröder fitoi me 6 vota më shumë se ç´kishin deputetët e partisë social demokrate dhe të gjelbërve së bashku.

Deri tani nuk janë zhvilluar ndonjëherë dy zgjedhje për postin e kancelarit. Kandidatët që u propozuan, fituan gjithmonë shumicën e votave të deputetëve të bundestagut. Kështu që nuk ekziston asnjë rrezik përse Angela Merkel nuk do të fitojë gjithashtu këtë rradhë.

Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, Merkel do të bëjë betimin përpara presidentit dhe bundestagut gjerman. Më pas do të betohen të gjithë ministrat e rinj të kabinetit qeveritar. Përpara mbledhjes së parë të kabinetit qeveritar në mbrëmje, Gerhard Shrëder do t´i dorëzojë zyrtarisht pasardhëses së tij zyrën e kancelarit.