1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spanja me qeveri- Kjo mund të qe arritur edhe më parë

31 Tetor 2016

Që Spanja do të ketë sërish një qeveri zyrtare të sajën - kjo është më tepër se e vonuar.

https://p.dw.com/p/2Ru7E
Madrid Zweite Abstimmung im spanischen Parlament über die Kandidatur von Mariano Rajoy als  Ministerpräsident
Fotografi: Imago/Agencia EFE

Epo, më në fund: Spanja ka sërish një qeveri. Me anë të një abstenimi në votim të shumicës së deputetëve të Partisë Socialiste, Mariano Rajoy arriti t'i fitojë zgjedhjet. Socialistët e pranuan që dhjetë muaj stanjacion politik është shumë dhe prandaj lëshuan pe në rizgjedhjen vendimtare të konservatorit Rajoy. Një vendim i arsyeshëm. Por ai vjen tepër vonë.

Ka muaj që projekte ndërtimi publike janë bllokuar në Spanjë, për shembull zgjerimi i linjave hekurudhore për trenat e shpejtësisë së lartë. Sepse qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të japë miratimin për to. Spanja ende nuk ka ndonjë plan buxhetor për vitin e ardhshëm - kurse Komisioni i BE pret prej muajsh për propozime të reja për kursim nga Madridi. Ky bllokim reformash nuk duhet të kishte ndodhur, po ta kishin ndihmuar socialistët që pas zgjedhjeve parlamentare në dhjetor ose pas rizgjedhjes në qershor Rajoyn që ta merrte pushtetin.

Sepse një konstelacion tjetër të arsyeshëm qeveritar nuk kishte. Një aleancë e majtë qe bërë e pamundur, pasi lëvizja radikale e majtë Podemos i pati sulmuar ashpër socialistët. Gabimi i madh, të cilin socialistët e patën bërë që në fushatën elektorale, ishte që e patën përjashtuar kategorikisht mbështetjen e një qeverie konservatore. Që punët mund të sillnin këtë situatë që sollën, këtë partia mund ta kishte llogaritur që më parë: ishte e qartë që në këto zgjedhje do të futeshin në parlament parti të reja, që përqindjet do të shpërndaheshin dhe se do të vështirësohej krijimi i shumicave.

Spanien Madrid Mariano Rajoy Misstrauensvotum Parlament
Fotografi: Reuters/J. Medina

Grindje tek socialistët

Javët e fundit, socialistët u zhytën në kaos: politikanë të rangut të lartë e shanë njeri-tjetrin rëndë publikisht - në mosmarrëveshje për çështjen a duhet të mbështetet Rajoy apo jo. E gjitha u shkallëzua deri në një luftë sharjesh e fyerjesh dhe në dorëheqjen e kryetarit të partisë në fillim të tetorit. Të gjitha këto socialistët mund t'ia kishin kursyer Spanjës - e edhe vetes së tyre.

Sepse partia është përtokë, ajo është e përçarë nga grindjet si kurrë më parë. Po të zhvilloheshin tani zgjedhje të reja, ajo do të humbiste shumë nga rëndësia, kjo parti me traditën më të pasur në Spanjë. Prandaj është edhe në interesin e saj, që qeveria e minoritetit e socialistëve të mbajë sa më gjatë që të jetë e mundur dhe që zgjedhjet e reja të mos jenë kaq pranë.

Socialistët duhet të tregojnë se janë vërtet të interesuar për të mirën e Spanjës, siç e thonë gjithmonë. Ajo që nevojitet është më shumë arsyeja, se sa krenaria. Kjo parti duhet të pranojë se konservatori Rajoy ishte fituesi i të dyja zgjedhjeve dhe duhet të jetë ai që ta përcaktojë tonin. Në këtë mënyrë kjo parti mund ta riparojë në njëfarë mënyre qëndrimin jo të shkathët të muajve të fundit dhe ta kompensojë disi kohën e hedhur dëm.

Oliver Neuroth është korrespondent i ARD në studion e ARD-së në Spanjë.