1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Versiegelung Ölpest

5 Gusht 2010

Pas më shumë se tre muaj katastrofe ekologjike në Gjirin e Meksikës koncerni energjetik BP bëri të ditur se ka arritur ta mbyllë vrimën defektoze të shpimit në fundin e detit.

https://p.dw.com/p/OcY6
Katastrofës po i vjen fundi
Katastrofës po i vjen fundiFotografi: AP

Balta e posaçme, me të cilën është mbushur vrima, pengon daljen e mëtejshme të naftës, njoftoi BP. Operacioni i emërtuar "static kill" u zhvillua me sukses. Në hapin e dytë në vrimën e shpimit do të hidhet çimento.

Presidenti amerikan Barack Obama tha, se lufta kundër katastrofës së naftës po i afrohet fundit. "Ishte një lajm shumë i mirë, kur mësuam që përpjekjet e ndalimit përmes metodës static kill duket se po sjellin rezultat dhe një raport i nxjerrë sot nga shkencëtarët tanë tregon se shumica e naftës së derdhur ka qenë shpërndarë, apo larguar nga uji. Pra beteja e gjatë për të ndalur rrjedhjen dhe për të mbledhur naftën, më në fund është duke iu afruar fundit."

Sipas ekspertëve nga afro 780 milionë litra naftë, që është derdhur në det që nga muaji prill, tre të katërtat janë larguar, avulluar, apo djegur nga skuadrat e shpëtimit, ose është zhdukur në mënyrë të natyrshme.

"Static kill" doli me sukses
"Static kill" doli me suksesFotografi: AP

Katastrofa mbaroi?

Megjithëse katastrofa e naftës ende nuk është kaluar, qeveria amerikane do së shpejti ta quajë të kryer, mendon komentatori i Deutsche Welles, Ralf Sina.

Punët s'mund të vinin më keq: Fiksioni i botës së bukur, të rilindur në Gjirin e Meksikës është katastrofa e mirëfilltë e një historie me emrin "Deepwater Horizon". Nga një vrimë shpimi gufojnë në det për muaj të tërë gati 800 milionë litra naftë. Por, pas 107 ditësh tmerri mori fund në dukje, sikur të mos kishte ndodhur gati asgjë: Më në fund vrima u zu. Izolimet përfundimtare janë në kryerje e sipër. Dhe nafta në pjesën më të madhe është zhdukur si me magji.

Nëna natyrë dhe ati Obama kanë bërë me sa duket gjithë atë punë: Bakteret, anijet për thithjen e naftës dhe ekspertët për djegien e izoluar të naftës patën sukses. Katastrofa më e madhe e naftës në botë, të paktën në kohë paqeje, mbaron për bukuri. Dhe ky është aksidenti më i madh i mundshëm, një katastrofë shumë herë më e keqe sesa rripat ranorë të mbuluar nga nafta, mijëra pelikanët dhe breshkat e ujit të mbytura nga nafta dhe dhjetëra mijëra peshkatarët që s'dinë ç'të bëjnë.

Tre muaj katastrofe ekologjike në Gjirin e Meksikës.
Tre muaj katastrofe ekologjike në Gjirin e Meksikës.Fotografi: AP

"Deepwater Horizon" kapitull i vështirë

Industria e naftës do ta depozitojë kapitullin "Deepwater Horizon" si një kapitull përvoje mësimi të vështirë, por të domosdoshme. Qeveria Obama do të theksojë se falë katastrofës së vrimës së shpimit nga tani ajo ka entin mbikëqyrës për naftën më të rreptë, më të pakorruptueshëm dhe më mirë të pajisur në botë. Dhe se kohët e shoqërisë së dyshimtë me shumë koncerne nafte si BP, Exxon, Chevron dhe të tjerë i takojnë përgjithmonë së kaluarës. Presidenti amerikan do të kthehet tek pranimi i tij i besimit, i bërë pak para shpërthimit të "Deepwater Horizon": Shpimet për naftë në thellësi të detit janë një e keqe e pashmangshme për të ardhmen e afërt.

Që tani, pak orë pas njoftime të suksesit të BP-së për zënien me baltë të daljes së vrimës ministri i brendshëm amerikan dhe enti i tij i ashtuquajtur i mbikëqyrjes po shqyrtojnë heqjen e vendimit për ndalimin e shpimeve për 33 shpime në thellësi të detit në Gjirin e Meksikës. Nafta, fitimet dhe të ardhurat nga taksat planifikohet të gufojnë përsëri. Sa më afër, sa më shpejt, është motoja e qeverisë amerikane.

Barack Obama thotë, se lufta kundër katastrofës së naftës po i afrohet fundit
Barack Obama thotë, se lufta kundër katastrofës së naftës po i afrohet funditFotografi: AP

Sa më shpejt

I harruar është fjalimi i Obamës në Oval Office drejtuar kombit, ku ai kërkoi një ndryshim parimor të të menduarit në Amerikën e etur për naftë. Një pjesë folklori presidencial në kohë krize, prej kohësh një clip You-Tube-i i së kaluarës.

Madje me atentatet terroriste të 11 shtatorit 2001 e pati krahasuar presidenti amerikan 20 prillin 2010, ditën kur shpërtheu platforma e naftës "Deepwater Horizon", kur u dogjën ose u mbytën 11 punëtorë dhe kur nafta bruto u derdh për të parën herë në det. Kriza më e madhe si shansi më i madh për të ndryshuar drejtimin e binarëve, tha Obama në kulmin e murtajës së naftës. Por edhe ky prej kohësh një lëvizje e hollë retorike e shkruarsve të fjalimeve të tij.

Së shpejti Amerika dhe bota do ta depozitojnë katastrofën e naftës në Gjirin e Meksikës. Një rast për retrospektivën vjetore të 2010-ës, disa pamje drastike kafshësh të mbuluara me naftë, më shumë s'ka për të mbetur. Republikanët do të venë në dukje se edhe katastrofat gjoja më të mëdha janë të menaxhueshme. Që mediet kanë zmadhuar pa masë. Dhe që sasia e derdhur e naftës kështu ose ashtu nuk ishte më shumë sesa afërsisht një gotë rakie në një pishinë publike. "Drill, baby, drill", "le të shpojmë për të nxjerrë naftë", kjo është duke filluar nga tani parrulla matufe.

Autor: Ralph Sina/ Elert Ajazaj/ Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama