1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Statusi, energjia dhe krimi shpien Çekun në Athinë

Niko Anagnosti15 Nëntor 2006

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku takohet në Athinë me ministren e jashtme Dora Bakojan, ministrin e Zhvillimit Dhimitris Shufas dhe atë të rendit, Viron Polidhoras

https://p.dw.com/p/ArbB
Ushtarë me veshje popullore ruajnë ushtarin e panjohur, Athinë
Ushtarë me veshje popullore ruajnë ushtarin e panjohur, Athinë

Në prag të shpalljes së statusit të Kosovës vizita e sotme e kryeministrit të saj Agim Çeku, e para e tij në Athinë dhe mesazhet që percjell përftojnë një rëndësi të veçantë. Kreu i ekzekutivit të Kosovës u prit sot në një takim një orësh nga shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojani, në rezidencën e kësaj të fundit.

Në epiqendër të bisedimeve ishte padyshim çështja e statusit të Kosovës, për të cilën pala greke ishte aktivizuar ndjeshëm edhe gjatë muajit shtator me cilësinë e presidencës së radhës të Këshillit të Sigurimit, si anëtare jo e përhershme e këtij organi edhe kësaj radhe u bë një tjetër përpjekje midis dy bashkëbiseduesve për rakordimin e qëndrimeve të tyre.

Optikën kosovare në fakt për formën e statusit kryeministri Çeku do ta shpalosë sonte në darkë, si lektori kryesor në një promovim të posaçëm me temë "Statusi i ardhshëm i Kosovës: Optika e Prishtinës" që organizohet nga Fondacioni Grek për Politikën e Jashtme edhe atë Evropianë (ELIAMEP), i cili ndodhet nën egjidën e ministrisë së jashtme greke dhe ka në aktivin e tij jo vetëm tryeza të posaçme, por edhe propozime për statusin e Kosovës, që kanë gjetur jehonë si në Prishtinë po kështu edhe në Beograd.

Çështja e statusit po përcillet në fakt edhe përmes një mesazhi tjetër të kësaj vizite, atij të nevojës së një bashkëpunimi të gjithanshëm midis Prishtinës edhe Athinës. Jo rastësisht kryeministri Çeku u prit në vazhdim nga ministri grek i Zhvillimit Dhimitris Shufas, me problem kryesor atë të energjisë për të cilën pala greke nuk e fsheh interesimin e saj dhe konkretisht për lignitet e Sibovcit në kooperim me firmën amerikane Contur Global. Diplomacia ekonomike e ushtruar nga vetë kryeministri po kthehet kështu në një atu efikase në funksion të objektivit strategjit të Kosovës për pavarësinë e saj.

Kryeministri Çeku do të pritet edhe nga ministri grek i Rendit Viron Polidhoras, me axhendë që e bën edhe më kredible Prishtinën, problemet e luftës së përbashkët kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar.