1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Statusi i vendit kandidat në BE varet nga realizimi i reformave

Arben Muka / Tiranë28 Janar 2009

Flet për Deutsche Wellen drejtuesi i organizatës joqeveritare "Lëvizja Europiane në Shqipëri", Ditmir Bushati.

https://p.dw.com/p/GhrM
Ditmir Bushati
Ditmir BushatiFotografi: DW

Deutsche Welle: Mazhoranca dhe opozita në parlament janë duke finalizuar një rezolutë për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidatit në Bashkimin Europian. Ju jeni pro aplikimit për këtë status brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, pra nën presidencën çeke të BE-së?

Ditmir Bushati: Aplikimi duhet bërë. Ai është një proces formal dhe nuk duhet të konsiderohet si qëllim në vetvete, por si nismë për të patur një proces të suksesshëm, që do t`i sjellë përfitime konkrete qytetarit shqiptar. E përsëris që aplikimi duhet bërë. Është thjesht një letër e shkruar si kërkesë formale, por në anën tjetër duhet të jemi shumë të kujdesshëm për atë çfarë do të ndodhë më pas. Për gatishmërinë tonë për t`iu përgjigjur procesit, për ta marrë përgjegjësitë e nevojshme tek secili aktor i përfshirë në këtë proces. Sikundër është përmendur dhe në studimin më të fundit të organizatës tonë "Lëvizja Europiane në Shqipëri", rezoluta e përbashkët e parlamenti që pritet të miratohet gjatë kësaj jave, të pasohet me një plan të qartë veprimi se çfarë do të bëjnë institucionet shqiptare në këtë proces dhe cili do të jetë niveli i bashkëpunimit dhe i ndarjeve të përgjegjësive. Koha është e rëndësishme, por nga ana tjetër procesi nuk ka afate të fiksuara në traktatin e BE, i cili gjykon në rradhë të parë nga performanca e çdo vendi aplikues, nga realizimi i reformave të kërkuara. P.sh Kroacisë nga momenti kur bëri aplikimin dhe deri kur mori statusin e vendit kandidat për në BE ju deshën 14 muaj, po për të njëjtën gjë Maqedonisë ju deshën 21 muaj, ndërkohë që është dhe rasti i Turqisë, që ka aplikuar në 1987 dhe ka arritur ta marrë statusin e kandidatit vetëm në 1999-n. Pra nuk periudha kohore të fiksuara.

Deutsche Welle: Cilat janë përfitimet konkrete të Shqipërisë pas marrjes se statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE?

Ditmir Bushati: Përfitimet janë nga më të shumtat. Shqipëria ka mundësinë që të aplikojë për fondet e BE-së, për fondet strukturore, të cilat kanë lidhje të drejtëpërdrejtë për zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Si psh., ato që kanë të bëjnë me transportin, mjedisin, bujqësinë etj. Pra do të kemi zhvendosje të ndihmës komunitare nga çështje të ndërtimit të institucioneve, të drejtësisë dhe punëve të brendshme në aspketin ekonomik e social. Një përfitim i dytë do të jetë dhe ajo që quhet zhvendosja e "meny"-së. Nëse deri më sot ne evidentojmë si prioritare zgjedhjet, me korrupsion, administratën publike me gjyqësorin krimin e organizuar etj., do të ketë më shumë fokus derregullimi ekonomik, konkurenca në treg, për funksionalitetin e ekonomisë, për çështjet sociale. Nëpërmjet statusit të vendit kandidat do të kemi mundësi të kemi dhe një impakt konkret në problemin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë që duan të lëvizin në territorin e vendeve të BE-së, si dhe përfitime nga programet e bashkëpunimit për të rinjtë e kërkuesit shkencorë.

Deutsche Welle : Të marrim aspektin e liberalizimit që është mjaft i ndjeshëm për opinionin publik në Shqipëri. Mendoni se brenda 2009-s do të ketë ndonjë hap konkret për liberalizimin?

Ditmir Bushati: Hap konkret do të thotë heqje e regjimit të vizave. Por që të hiqet regjimi i vizave ne duhet të kemi së pari një vlerësim pozitiv nga ana e Komisionit Europian. Vlerësimi që është bërë në tetor te vitit të kaluar e rendit vendin tonë të fundit në listë me Bosnjën, duke lënë në krye Maqedoninë, pastaj Malin e Zi e Serbinë. Kjo duhet të lexohet që duhet t`i bëjmë mirë detyrat e shtëpisë, sidomos për aspekte që kanë të bëjnë me pajisjen e shtetasve me karta identiteti, pasaporta biometrike, menazhim të integruar të kujfijve, apo me politikat që kanë të bëjnë me çështje të ripranimit, të emigracionit. Por kryesorja në këtë mes, e cila mund të tingëllojë si paradoksale, është përmbushja e detyrimit për të përgatitur e mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme parlamentare në qershor të këtij viti. Në monentin që Komisioni Europian gjykon që Shqipëria i plotëson kërkesat për të hequr regjimin e vizave, atëhere i propozon më pas Këshillit të Ministrave të BE-së heqjen e këtij regjimi. Dhe Këshilli duhet ta miratojë këtë. Pra, në rast se ndodh ky skenar pozitiv, madje dhe sikur të marrë udhë brenda këtij vit,i ne do të duhet t`i shikojmë efektet konkrete vetëm në vitin 2010.

(ACA)