1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinbrück paraqet planin zgjedhor

NIna Werkhäuser/Bahri Cani30 Gusht 2013

Në të gjitha sondazhet parazgjedhore kandidati socialdemokrat për kancelar, Peer Steinbrück, është pas kancelares Merkel. Por ai paraqiti në Berlin një program 100 pikash, me të cilin mendon se do t'i fitojë zgjedhjet.

https://p.dw.com/p/19YwN
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Ende nuk është vendosur asgjë", thotë Peer Steinbrück lidhur me shanset e tij që të bëhet kancelar i Gjermanisë, pas zgjedhjeve parlamentare të 22 shtatorit. Deri 40 % e zgjedhësve ende janë të pavendosur. Ai është i mendimit se mund të fitojë besimin dhe votat e tyre. Për këtë politikani socialdemokrat dhe partia e tij SPD kanë edhe 24 ditë kohë: "Pas 24 ditësh do të përfundojë gjendja rri e numëro në Gjermani", thotë sfiduesi kryesor i kancelares Merkel. Në rast fitore në zgjedhjet e 22 shtatorit ai "menjëherë do të nisë ndryshimet politike" dhe do të fillojë zbatimin e programit të tij zgjedhor. Qeveria e tij do të krijojë dhe nuk do të administrojë, mendon ai.

Pikërëndesa e Steinbrückut është tregu i punës dhe politika sociale. Ai garanton të ardhura minimale në orë prej 8,50 euro në gjithë Gjermaninë. Socialdemokrati menjëherë do të inicojë edhe një projektligj për pagesat e barabarta të meshkujve dhe femrave. Aktualisht gratë në Gjermani fitojnë mesatarisht 22 % më pak se burrat.

Futja e dyshtetësisë

Steinbrück si kancelar do të hiqte paratë për përkujdesje ndaj fëmijëve në shtëpi. Ky ka qenë një vendim i gabuar, sepse i lidh femrat për shtëpinë dhe e ngushton mundësinë që ato të dalin në tregun e punës. Më mirë është që këto para të investohen në çerdhe dhe kopshte.

Njëri nga të dy do të fitojë me 22 shtator, Angela Merkel, ose Peer Steinbrück
Njëri nga të dy do të fitojë me 22 shtator, Angela Merkel, ose Peer SteinbrückFotografi: AFP/Getty Images/Patrik Stollarz

Si kancelar Steinbrück do të fuste dyshtetësinë pa kurrfarë kufizimesh. Kandidati i socialdemokratëve thotë se janë krejtësisht të tejkaluara normat ligjore sipas së cilave fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër me origjinë të huaj tani duhet të vendosin, nëse duan apo jo të marrin nënshtetësinë e Gjermanisë, apo do të mbajnë nënshtetësinë e vendlindjes së prindërve. Ata duhet të kenë të drejtën të mbajnë të dy nënshtetësitë. Në këtë mënyrë Steinbrück shumë hapur pretendon të fitojë edhe votat e zgjedhësve me origjinë të huaj.

Në çështjen e Sirisë duhet bërë presion ndaj Rusisë

Përdorimi i armëve kimine në Siri paraqet një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe këtu "nuk mund të ketë kurrfarë debati", thotë Steinbrück. Hapi i parë duhet të jetë paraqitja e raportit të inspektorëve të OKB në Siri. Ai shpreson se më pas do të ketë një qëndrim të përbashkët në Këshillin e Sigurimit të OKB, por edhe ai e ka të qartë se Rusia dhe Kina sipas të gjitha gjasave nuk do të pajtohen me qëndrimet e vendeve perëndimore. Këto dy vende me të drejtë vetoje janë kundër sanksioneve ndaj Sirisë.

Ndaj Steinbrück mendon se kancelarja gjermane Angela Merkel duhet të bëjë presion ndaj presidentit rus Vlladimir Putin për të ndryshuar pozicionet. Një propozim të tillë e ka bërë edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate SPD, Sigmar Gabriel. Steinbrück thotë se Gjermania nuk duhet të jetë automatikisht pjesë e koalicionit, që do të ndërhynte ushtarakisht në Siri. Lidhur me këtë duhet të zhvillohen këshillime, thotë ai.