1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier lëvdon vullnetin për reforma të Shqipërisë

Jesn Thurau28 Prill 2016

Shqipëria e Gjermania kanë marrëdhënie të mira, Gjermania e mbështet rrugën e reformave të Shqipërisë, por rajoni i Ballkanit lufton ende me probleme të mëdha. Steinmeier-Bushati në ujdi për reformat.

https://p.dw.com/p/1IekC
Ditmir Bushati und Frank-Walter Steinmeier in Berlin 8.4.2014
Kontakte të ngushta Shqipëri-Gjermani. Bushati në BerlinFotografi: Außenministerium Albanien

"Është bukur të jesh këtu në Berlin", e përmblodhi vizitën me kortezi diplomatike ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati. "Por më bukur do të ishte, nëse ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier do të mund të vinte në Tiranë". Steinmeier vetë nxitoi të thoshte, se kjo do të verifikohet nga kabineti i tij. Mes Shqipërisë e Gjermanisë nuk ka probleme, kontaktet duken të ngushta, megjithë vështirësitë e Ballkanit Perëndimor.

Nuk ka itinerar të ri përmes Shqipërisë

Bushati ka ardhur në Berlin këtë të enjte (28.04) në Ministrinë e Jashtme gjermane për të folur mbi marrëdhëniet bilaterale mes dy vendev e vështirësive të rajonit. Sqarimin e zërave për një itinerar të mundshëm nga Shqipëria, ai ia lë Steinmeierit. "Për një kohë ka pasur shqetësime, se itineraret e deritanishme të Ballkanit do të zëvendësohen me të reja, itinerare që të çojnë përmes Shqipërisë, por shifrat nuk na e vërtetojnë këtë", thotë politikani socialdemokrat gjerman. Itinerari nga Siria apo Afrika përmes Greqisë, Maqedonisë deri në Europën perëndimore faktikisht është i mbyllur, megjithatë ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati thekson se "për momentin akoma nuk kemi pasoja në vend".

Ditmir Bushati und Frank-Walter Steinmeier in Berlin 8.4.2014
Fotografi: Außenministerium Albanien

Shqetësime për Maqedoninë

Politikanët theksuan se kanë folur gjatë për Maqedoninë. Së fundmi Bashkimi Europian ka kërcënuar me sanksione kundër politikanëve të caktuar në Maqedoni. Arsyeja: Kryeministri i dorëhequr, Gruevski duket se ka dhënë urdhrin për përgjimin e mijërave kritikëve të qeverisë. Protestat u shkallëzuan, kur presidenti Ivanov lëshoi një amnisti për politikanët e përfshirë në skandalin e përgjimit. "Për momentin ka pak shpresë që ne të ndikojmë nga jashtë në Maqedoni", tha Steinmeier. "Por për afrimin e dëshiruar të Maqedonisë me BE-në, kjo nuk është favorizuese", theksoi ministri i Jashtëm gjerman.

Ky afrim duket se po bëhet më i prekshëm për Shqipërinë: Steinmeier lëvdon: "Shqipëria po i çon përpara reformat me angazhim të madh. Tani duhet të marrë udhë edhe reforma e drejtësisë, por unë kam shumë respekt se si ju e keni pranuar ekspertizën ndërkombëtare", thotë Steinmeier, drejtuar Bushatit. Ministri i Jashtëm shqiptar plotëson se "ne e ndjejmë mbështetjen gjermane, askush tek ne nuk ankohet se gjermanët po angazhohen shumë në Ballkan. Jemi të vendosur për reformat, edhe pse pjesa më e madhe e rrugës ndodhet para nesh." Pastaj politikanët bëjnë të ditur se do të zgjerojnë shkëmbimin e të rinjve mes dy vendeve.

Donald Trump: Nuk vihen re konture

Edhe një temë të fundit përmendën ministrat e Jashtëm: Donald Trump. Kandidati i kontestuar në zgjedhjet paraprake të republikanëve dhe që synon postin presidencial ka mbajtur së fundmi një fjalim parimor për politikën e jashtme. Aty ai i ka kërcënuar partnerët e NATO-s se duhet ta mbrojnë vetë veten, nëse nuk japin kontributin e duhur financiar për aleancën. "Në fjalimin e tij nuk dalloj konture" tha Steinmeier. Ndërkohë që Bushati plotëson se "ne besojmë që NATO është shumë e rëndësishme për stabilitetin në rajon". Me sa duket në formën siç është, jo si e dëshiron Trump, nënkuptohet. Pra edhe këtu Tirana dhe Berlini janë në një linjë.