1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinmeier: Së pari betimi, pastaj fjalimi

22 Mars 2017

Presidenti i ri gjerman Frank-Walter Steinmeier bën betimin në Bundestag. Më pas do të mbajë fjalimin e shumëpritur.

https://p.dw.com/p/2ZfRC
Reichstag in Berlin Bundesüräsident Steinmeier Antrittsrede
Fotografi: Reuters/F. Bensch

"Kreu i shtetit" është emri tjetër për Presidentin federal. Tingëllon shumë më fuqishëm se sa mundësitë e tij të parashikuara me Kushtetutë. Frank-Walter Steinmeier, është nga dita e dielë (19.03) pasardhësi i Joachim Gauckut, si përfaqësuesi më i lartë i Gjermanisë. Politikën e përditshme e bëjnë të tjerët. Bundestagu dhe Bundesrati miratojnë ligjet. Qeveria i realizon ato, ndërsa Gjykata Kushtetuese kujdeset që të gjitha të shkojnë mbi bazën juridike.

Përballë tri pushteteve - legjislativit, ekzekutivit dhe judikativit - Steinmeier si president ka një rol të pavarur. Ai ka një funksion mbipartiak, ndaj ai u tërhoq nga anëtarësia në Partinë Socialdemokrate (SPD), sepse do jetë përfaqësues i të gjithë qytetarëve.

Kushtetuta dhe Presidenti

Pa nënshkrimin e presidentit nuk hyn asnjë ligj në fuqi. Obligimet dhe detyrat e Presidentit parashikohen me shtatë nene të Kushtetutës, ndër to edhe neni 56. Atje gjendet formulimi të cilin Steinmeier do ta lexojë në Asamble, si betim: "Betohem se të gjithë forcën do t'ia kushtoj së mirës së popullit, se do të angazhohem për shtimin e të mirave dhe evitimin e dëmeve, se do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe do t'i mbroj ato, se do t'i kryej detyrat e mia në mënyrë të ndërgjegjshme dhe se do të jem i drejtë ndaj të gjithëve. Zoti më ndihmoftë!"

Deutschland Schloss Bellevue Amtsübernahme Bundespräsident
Fotografi: Reuters/F. Bensch

Betimi mund të bëhet pa ndonjë formulë fetare. Por Steinmeier është anëtar i kishës evangjeliste dhe me siguri që do t'i thotë edhe këto fjalë. Me aktin e betimit ai edhe zyrtarisht merr detyrën e Presidentit, të cilën faktikisht ka filluar ta ushtrojë të dielën.

Steinmeier një "sinjal i fuqishëm"

Kryeministrja e landit Rheinland-Pfalz, Malu Dreyer, do të jetë në betim përfaqësuesja më e lartë e landeve. Socialdemokratja është zgjedhur kryetare e Bundesratit në nëntor. Pas zgjedhjes së Steinmeierit ajo tha se në kohën e turbullirave të tanishme diplomatike, zgjedhja e Steinmeierit në postin e Preisdnetit është "një sinjal i fuqishëm" për prezantimin e denjë të vendit.

Kancelarja Angela Merkel foli për "vendimin e arsyes". Si kristiandemokrate ajo me siguri që me dëshirë do të kishte ndonjë kandidat tjetër, sepse favoriti i CDU-së ka qenë Norbert Lammert, kryetari i Bundestagut. Por ai e refuzoi kandidaturën. Ndaj ka vendosur të mbështetë Steinmeierin, i cili ka fituar me një shumë të madhe votash.

Verabschiedung von Bundespräsident Joachim Gauck
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

Do të flasë edhe Gauck

Para fjalimit të parë të Presidentit të ri, fjalën do ta marrë edhe Presidenti i deritanishëm Gauck. Megjithatë fjalimi i Steinmeierit zgjon një interesim të madh. Për cilat tema do të flasë ai? Me çfarë tonesh? Si do të pozicionohet ndaj Brexitit dhe a do të flasë për raportet e Gjermanisë me Turqinë, SHBA dhe Rusinë? Të gjitha janë tema interesante ku me vëmendje dëgjohet se çfarë ka për të thënë Presidenti i ri. Fjalimi i tij do të përcillet me vëmendje edhe në vendet e tjera.

Por njerëzit në Gjermani janë të interesuar edhe për pozicionimin e Presidentit karshi problemeve të brendshme politike. Në shtator do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Ndërsa kriza e refugjatëve po vazhdon. Kjo është një temë që do të preokupojë Steinmeierin në pesë vitet e mandatit të tij. Por ai me siguri që nuk do të ketë stresin që ka pasur në postin e Ministrit të Jashtëm, ku ishte para zgjedhjes në postin e tanishëm.

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore