1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Strategji për kohën pas krizës financiare - Planet e Komisionit Evropian

26 Maj 2010

Përballë krizës së euros, sipas vlerësimit të Brukselit, shumë vende anëtare e kanë marrë seriozisht rimëkëmbjen e buxhetit. Komisari për Çështjet Ekonomike përmendi të martën në Bruksel vende si Spanja dhe Portugalia.

https://p.dw.com/p/NXAw
Monedha euroFotografi: picture-alliance / Helga Lade Fotoagentur GmbH

Presidenti i Këshillit të BE, Herman van Rompuy dhe Komisari për Çështjet Ekonomike, Olli Rehn besojnë se rreziku i drejtpërdrejtë për Euron ka kaluar. Ata vrasin mendjen si do të vejë më tej puna. Dhe këtu bën pjesë hedhja e vështrimit pas. Van Rompuy kritikon faktin që Pakti i Stabilitetit me kriteret për marrjen e borxheve dhe të deficitit jo vetëm që është zbutur.

Ai ka lënë jashtë edhe një aspekt të rëndësishëm, pikërisht problemin e aftësisë së ndryshme për konkurrencë: "Këto disbalanca janë një problem i veçantë për anëtarët e Eurozonës. Ata kanë mundësi ta fshehin uljen e aftësisë për konkurencë deri sa të bëhet vonë. Ata nuk kanë më mundësi t'i zhvlerësojnë monedhat e tyre. Njëkohësisht ata kanë mundësi të shfrytëzojnë përparësitë e interesave të ulëta. Në këtë aspekt, anëtarësia në Eurozonë në disa ekonomi popullore luan rolin e medikamentit për gjumë. Askush nuk ka dëshirë që ta zgjojnë papritur forcat e tregut."

Por Komisari për Çështjet Ekonomike, Olli Rehn sheh në krizë edhe një thirrje për reforma të mëtejshme. Por sa më shumë të zhvillohet konjuktura, aq më pak do ta ndiejnë qeveritë presionin e reformës, paralajmëron Reni: "Po të biem në vetëkënaqësi dhe t'i harrojmë reformat, kjo do të kishte si pasojë një shlodhje më të pakët ose madje një dekadë të humbur. Ky është me të vërtetë një rrezik, sepse investimet e pakta dhe një rritje e papunësisë strukturore (jo vetëm asaj që kushtëzohet nga lëkundjet koniunkturore) i kanë ulur që tani perspektivat tona të rritjes për vitet e ardhshme."

Rehni tërheq vëmendjen për nevojën e investimeve para së gjithash në sektorin e arsimit, në sektorin e shërbimeve dhe në shndërrimin ekologjik të ekonomisë. Dhe ai përmend madje shifra: nëse reformat do të viheshin në jetë, në dekadën e ardhshme në BE do të krijoheshin mbi 10 milionë vende pune, ritme rritjeje ekonomike prej dy përqind gjithashtu janë parashikuar. Në pjesë të tjera të botës, megjithatë, shifrat e rritjes ekonomike që sot janë më të larta. Van Rompuy tërheq vëmendjen edhe se politikanët e kanë shpjeguar jo mirë kuptimin e anëtarësimit në Eurozonë:

Van Rompuy: "Askush nuk i tha qytetarit të thjeshtë se futja e monedhës së përbashkët nuk ka synim vetëm të lehtësojë jetën në udhëtime e biznes. Sot njerëzit konstatojnë se çfarë do të thotë një fat i përbashkët monetar. Ata vënë re se Euro ndikon në pensionet, në kursimet, në vendet e tyre të punës, pra gjithë jetën e tyre të përditshme. Dhe kjo të dhemb."

Autor: Kristof Hasselbach / Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj