1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Good Governance

23 Shtator 2009

Nga data 23 deri 25 shtator kryetarë qeverish, diplomatë, shkencëtarë, përfaqësues të ekonomisë dhe të interesuar të tjerë duan të zhvillojnë në samitin e Nju Jorkut strategji të tilla.

https://p.dw.com/p/Jms8
Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton në Kinshasa.
Termi "good governance" është një nga fjalët kyç më të preferuara në bashkëpunimin për zhvillim.Fotografi: AP

Termi "good governance" është një nga fjalët kyç më të preferuara në bashkëpunimin për zhvillim. Nocioni është farkëtuar nga Banka Botërore në fund të viteve '80. Ai duhej të tërhiqte vëmendjen ndaj një problemi: bashkëpunimi për zhvillim nuk mund të funksionojë nëse në vendet e prekura nuk ka një sistem funksionues shtetëror. Në gjermanisht ky nocion përkthehet më mirë me togfjalëshin "qeverisje e mirë".

"Good governance" është bërë një nga objektivat qendrorë të politikës për zhvillim dhe jo vetëm asaj gjermane. Me të nënkuptohen një sërë kriteresh, të cilat duhet të përmbushen nga një shtet, si p.sh.: zgjedhje të rregullta dhe të ndershme, respektim i të drejtave të njeriut, drejtësi e pavarur, ekonomi sociale tregu, stabilitet politik, refuzim i dhunës dhe të drejta të barabarta për gratë. Veç kësaj shteti duhet të sigurojë përkujdesjen shëndetësore dhe të kujdeset që sistemi i furnizimit me ujë dhe rrjeti elektrik të funksionojnë. Qeveria duhet t'i japë llogari qytetarëve për aktivitetin e saj dhe të luftojë me efektivitet korrupsionin.

Seminar për Good Governance në Afrikë.
Por çfarë do të thotë në të vërtetë shprehja: "qeverisje e mirë"?Fotografi: sitou@wassnett.com

Problemi në këtë mes është kontrolli i këtyre kritereve. Për këtë ekzistojnë tashmë indekse të ndryshme me të cilat me një shkallë nga 1 deri në 10 mund të vlerësohet cilësia e aktivitetit shtetëror. Por për pyetjen se si një shtet i qeverisur keq mund të kthehet në një shtet të mirëqeverisur, nuk ka përgjigje as Ministria gjermane për Zhvillimin. Veç kësaj kritikët tërheqin vëmendjen se ideja e "good governance" ngrihet para së gjithash mbi ideale të shoqërive perëndimore në vendet e industrializuara. Nocioni sugjeron gjithashtu, vazhdojnë kritikët, se bashkësia ndërkombëtare ka gjetur një zgjidhje universale për të gjitha problemet në vendet në zhvillim. Në këtë mes ndryshimet e mëdha mes vendeve të veçanta merren shumë pak parasysh. Dhe jo së fundi kritikët kërkojnë që vendet e industrializuara t'i aplikojnë kriteret e recetës së tyre universale "good governance" në radhë të parë mbi politikat e tyre të bashkëpunimit për zhvillim. Jo rrallë ato nuk përputhen aspak me objektivat e këtij termi të bukur.

Autor : Friederike Schulz / Eliana Xhani

Redaktoi : Aida Cama