1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

010310 Stadtarchiv Baupfusch

6 Mars 2010

Tmerri ishte i madh, kur një vit më parë u shemb arkivi i qytetit të Këlnit. Dy njerëz humbën jetën, dokumenta të vlefshme historike u mbuluan nga dheu. Hetimet flasim për manipulime nga firmat e ndërtimit.

https://p.dw.com/p/MLoa
Pamje nga kantieri i ndërtimit në ish - arkivin historik të Këlnit.
Pamje nga kantieri i ndërtimit në ish - arkivin historik të Këlnit.Fotografi: AP

Kontrollorët e ndërtimit të landit të Nordrajn-Vestfalisë kanë shumë punë para vetes. Nën presionin e hetimeve, sipërmarrja e ndërtimit Bilfinger Berger pranoi se punonjësit e saj kanë falsifikuar protokollet edhe në rastin e ndërtimit të metrosë së Dyseldorfit. Pas kësaj autoritetet e qarkut të Dyseldorfit iu vunë punës për të hartuar një listë me të gjitha projektet e mëdha, që ka realizuar ky land në 40 vjetët e fundit. Për ministrin e Ndërtimit të landit, Lutz Lienenkämper, ky ishte një reagim i nevojshëm ndaj veprimeve kriminale të sipërmarrësve të caktuar të ndërtimit:

Logoja e firmës së ndërtimit Bilfinger Berger
Falsifikim protokollesh me pasoja tragjike - firma e ndërtimit Bilfinger Berger pranon mashtrimet nga punonjësit e saj.Fotografi: DW

"Me sa duket kanë punuar kriminelë, të cilët janë kujdesur që hekuri dhe përforcimet, të rëndësishme për sigurinë, të mos bëhen pjesë e ndërtimit atje, ku duhej për të mbrojtur njerëzit. Për këtë ne do të bëjmë tani prova të rastësishme, për të parë, nëse ka edhe prova të tjera të kësaj natyre."

Probleme strukturore në industrinë e ndërtimit

Klaus Wiesehügel është shef i sindikatës IG Bau dhe ka punuar më parë vetë në kantiere ndërtimi. Për sindikalisitin, katastrofa nuk ka të bëjë vetëm me rolin e kriminelëve të veçantë. Shumë më tepër ajo është pasojë e një zhvillimi të gabuar prej dekadash në industrinë e ndërtimeve: "Unë e kam mësuar zanatin e ndërtuesit. Si të gjithë zanatçinjtë, je krenar për punën tënde dhe përpiqesh ta bësh me kujdes dhe mirë, siç e ke mësuar. Kurse sot gjen shoqëri ndërtimi, të cilat i angazhojnë për dy javë. Ato nuk kanë asnjë lidhje me objektin, as me klientët për të cilët bëhet ndërtimi."

Mungesa e kontrolleve nga shteti me pasoja fatale

Por ato, që kursejnë, janë jo vetëm firmat e ndërtimit, edhe shteti përpiqet t'i ulë shpenzimet. Kështu në vitet e fundit është shënuar një pakësim sistematik i mbikqyrjes së ndërtimeve publike. Në rastin e ndërtimit të metrosë së Këlnit, puna shkoi aq larg, sa autoritetet e qarkut në Dyseldorf ia pasuan mbikqyrjen qytetit të Këlnit. Qyteti i Këlnit nga ana e tij ia pasoi përgjegjësinë përgjegjëses, Ndërmarrjeve të Qarkullimit të Këlnit. Një mënyrë shumë ligjore e bërjes bisht të direktivave të landit, siç bën të ditur ministri i ndërtimit, Lienenkämper: "Ndërtimet e metrove bazohen në një direktivë tjetër. Kjo është një direktivë federale. Këto janë ndërtime të posaçme, të cilat nuk orientohen në direktivat e landit."

Dhe dihet: aty ku mungojnë kontrollet, mashtruesit e kanë të lehtë.

Autor: Jan-Philipp Scholz / Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani