1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stuhi vjeshte mbi Evropë

DPA/Angjelina Verbica29 Tetor 2013

Së paku 14 vetë kanë humbur jetën nga stuhitë në veri dhe në perëndim të Evropës, prej tyre 7 vetë në Gjermani. Nö shumicën e rasteve ata janë zënë nga pemët e rrëzuara.

https://p.dw.com/p/1A7lh
Fotografi: picture-alliance/dpa

Stuhi të forta me një shpejtësi rreth 170 kilometra në orë kanë tronditur veriperëndimin e Evropës. Stuhitë "Burkhard" dhe "Christian" kanë sjellë nga perëndimi rreshje shiu dhe orkane të forta.

Ndërsa në jug të Gjermanisë ka qenë ende pjesërisht mot i bukur vjeshte, në veri stuhitë "Burkhard"dhe "Christian" kanë shpërthyer me gjithë forcën e tyre. Në landet Nordrhein-Westfalen dhe Niedersachsen së paku katër persona u vranë nga pemët e shkulura nga stuhia. Edhe një marinar dhe një peshkatar humbën jetën nga stuhia. Në landin Schleswig-Holstein një grua humbi jetën nga një mur, që u rrëzua.

Paralajmërim nga dallgët e larta në bregdet

Në bregdetin frisian dhe në rajonin verior të Elbës enti federal gjerman për lundrimin dhe hidrografinë ka bërë paralajmërime për rrezikun e përmbytjeve. Shërbimi i tragetit për në ishujt e Detit të Veriut është ndërprerë. Që të hënën në mëngjes ishulli Helgoland ështe i shkëputur nga toka. Mësimi në shkolla në Nordfriesland është ndërprerë për shkak të stuhisë. Administrata ka ka urdhëruar në mesditë shkollat, që të dërgojnë fëmijët sa më parë të jetë e mundur në shtëpitë e tyre.

Stuhi në Schleswig Holstein, fundi i tetorit 2013
Stuhi në Schleswig Holstein, fundi i tetorit 2013Fotografi: picture-alliance/dpa

Në qarkullimin rrugor, hekurudhor dhe atë ajror ka patur kufizime të konsiderueshme. Pemët e rrëzuara bllokuan rrugët dhe dëmtuan makinat. Autostrada A2 në Niedersachsen u bllokua plotësisht pranë Helmstedt-it. Një shtyllë e tensionit të lartë rrezikonte të binte mbi shina. Shtylla e tensionit të lartë ishte dëmtuar nga rrëzimi i një peme. Në Schleswig-Holstein është ndërprerë i gjithë trafiku hekurudhor. Në linjat hekurudhore Berlin-Hannover dhe Berlin-Hamburg për shkak të stuhive të forta ka patur vonesa dhe ndërprerje të qarkullimit hukurudhor të distancave të afërta dhe largëta.

Në aeroportin e Hamburgut 1300 pasagjerë u desh të prisnin gjatë pa zbritur nga avionët. Një zëdhënëse e aeroportit tha se, "kapitenët kanë vendosur që të mos hapnin avionët për të dalë pasagjerët“. Sepse me hapjen e dyerve të avionit nuk është më e garantuar siguria e pasagjerëve.

„Christian" kishte kaluar më parë në Francë, Britaninë e Madhe dhe shtetet e Benelux-it duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Në Francë dhe Britaninë e Madhe mbeten pa rrymë elektrike me qindra mijëra shtëpi. Në Britaninë e Madhe humbën jetën katër persona, në Hollandë dhe në Francë një. Edhe në Daniemarkë ka patur të vdekur nga stuhia. Linja e tragetit ndërmjet Calais në Francën veriore dhe Doverit në Britaninë e Madhe u ndërpre.

Stuhi në Francë, 28 tetor 2013
Stuhi në Francë, 28 tetor 2013Fotografi: Reuters

Sipas të dhënave të shërbimit meteorologjik gjerman stuhia e vjeshtës po zhvendoset në lindje. Gjatë javës erërat do të qetësohen në mbarë Gjermaninë. Vetëm në det do të ketë erera dhe stuhi deri të mërkurën.