1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulm në ambasadën amerikanë në Athinë

Niko Anagnosti12 Janar 2007

Ambasada amerikane u bë sot objekt i një sulmi terrorist. Një raketë e kalibrit të vogël goditi fasadën e ambasadës, pranë zyrës së ambasadorit amerikan, theu xhamat dhe shpërtheu në brendësi të saj duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

https://p.dw.com/p/AqnN
Dora Bakojanis, ministrja e jashtme greke
Dora Bakojanis, ministrja e jashtme grekeFotografi: AP

Dëshmitarët okularë- kalimtarë të rrugës me trafik të madh në këtë orë, por edhe pronari i kioskes përballë bënë fjalë për një shpërthim tronditës pa qenë në gjendje të identifikojnë drejtimin nga erdhi. Pas autopsisë së bërë në vendin e ngjarjes nga ekspertë të kriminalistikës në deklaratën e ministrisë së Rendit "u fol për nje predhë shpërthyese të lëshuar nga një mekanizëm automatik" dhe ekzaminim të mëtejshëm të gjetjeve nga shërbimi i kriminalistikës për nxjerrjen e konkluzioneve në lidhje me autorët e aktit.

"Nuk kemi pasur asnjë sinjalizim paraprak" deklaroi ambasadori amerikan Charls Ris, i cili e cilësoi sulmin një ngjarje të rëndë duke i thënë numrit të madh të gazetarëve të mbledhur para ambasadës se "për këtë informoi presidentin Bush".

Në kushtet kur autoritetet nuk mund të japin ende një përgjigje të saktë lidhur me autorët e ngjarjes kjo dha shkas që të dëgjohen edhe opcione për gisht të huaj, por që u hodhen poshtë nga analistët seriozë por edhe nga vetë ministri i Rendit, Viron Polidhoras, pas takimit të tij me kryeministrin Karamanlis në rezidencën e e këtij të fundit: "Të gjitha të dhënat tregojnë se autorët janë vendas" tha ministri pa u prononcuar qartë nëse janë mbeturina të organizatës së shkallmuar terroriste "17 nëntori" apo një gjeneratë e re e saj.

Me rezerva përmendi një telefonatë në një shoqëri siguracioni nga e ashtuquajtura organizatë "Luftë Revolucionare" që herë pas here organizon sulme të vogla me mjete shpërtyese kundër institucioneve bankare dhe objekteve tjera të interesave amerikane dhe mbjell frikën e ringjalljes së terrorizmit që në të kaluarën kishte lënë pas shumë viktima por edhe trauma në marrëdhëniet greko-amerikane.

Një riciklimi të tillë i trembet edhe qeveria, e cila e dënoi me forcë ngjarjen duke vënë theksin në pasojat për imazhin e vendit me simbolikën që mbart një akt i tillë. "Nuk ka dyshim se një akt i tillë dëmton interesat e vendit" tha ministria e jashtme Dora Bakojani, e cila vajti në vendin e ngjarjes ku u takua me ambasadorin amerikan dhe në vazhdim edhe me vetë kryeministrin Karamanlis. "Është një akt i shëmtuar barbarizmi", tha nga ana e tij ish ministri i jashtëm Pangallos, "që duke u drejtuar kundër vendit më të fuqishëm si Amerika do të ketë pasoja të rënda për interesat e vendit".

Asaj çka i trembet Athina, pra, është përforcimi i imazhit negativ antiamerikan të vendit, që mund të ketë projeksionin e tij edhe në nivelin politik me gjithë garancitë që jepen për të kundërten. Në mesin e një atmosfere të tillë sot mbërrin në Athinë për bisedime në lidhje me zgjidhjen e konfliktit të Athinës me Shkupin për çështjen e emrit "Maqedonia" ndërmjetësi special ndërkombëtar, diplomati amerikan M. Nimiç. Mjafton spostimi i vëmendjes nga problemi që të përllogaris dikush pasojat e sulmit të sotëm terrorist, që ishte lajmi kryesor i aktualitetit botëror.