1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

310809 2. Weltkrieg Beginn

31 Gusht 2009

Më 1 shtator 1939 luftanija stërvitore gjermane "Schleswig-Holstein" qëllon pozicionet polake në gadishullin Versterplate përpara Gdnaskut. Pak më pas 1,5 milionë ushtarë gjermanë kalojnë kufirin drejt Polonisë.

https://p.dw.com/p/JMf4
Një divizion i motorizuar gjerman drejt Varshavës
Një divizion i motorizuar gjerman drejt VarshavësFotografi: ullstein bild - SV-Bilderdienst

Eshtë e premte, 1 shtator 1939, rreth orës 4.30. "Papritur erdhën avionët luftarakë, STUKAS: bomba, automatikë dhe të vdekur,“ - kujton ish-ministri i Jashtëm polak Wladyslaw Bartoszewski.

Avionët luftarakë gjermane, të ashtuquajtur STUKAS – sulmojnë qytetin e vogël Vielun. Deklaratë për shpalljen e luftës nuk kishte. Askush nuk llogariste me sulm. Vielun është një qytet i vogël pa ushtri, pa rëndësi strategjike. Shumë shpejt qendra e qytetit bëhet shkrumb e hi.

Në orën 4.45 anija luftanija stërvitore gjermane "Schleswig-Holstein" hap zjarr ndaj depos polake të municioneve në Vestplate pranë Gdanskut. Sulmi ndaj Polonisë, ose fushata e shtatorit siç e quajnë polakët, është në kulm.

"Polonia ka qëlluar edhe me ushtarë të rregullt sonte natën për herë të parë ndaj territorit tonë. Qysh nga ora 5.45 po i kundërpërgjigjemi sulmit. Tani e tutje për çdo bombë hakmerremi me bombë. “ - deklaronte Adolf Hitleri.

Gënjeshtra e Hitlerit bëhet arësye për luftën. Faktikisht ishin njerëzit e SS-ve, të cilët të veshur me uniforma polake sulmuan një radio rajonale sileziane në Gleivic duke dhënë kështu arsyen e rreme të luftës. 1,5 milionë ushtarë gjermanë sulmuan kufirin polak. Fqinjët u gjendën në befasi dhe makineria e propagandës së Hitlerit jepte arsyet e rreme për këtë.

"Ishte një shtet dhune. I qeverisur prej shkopinjve të gomës, policisë dhe ushtrisë. Fati i gjermanëve në këtë shtet ishte i tmerrshëm.“ - deklaronte Adolf Hitleri.

Hitleri ka për qëllim kryesor zgjerimin e Rajhut gjerman. Pakti Hitler-Stalin, i vendosur një javë para sulmit ndaj Polonisë, i jep fyrerit shansin të pushtojë vendin fqinjë. Pakti parashikon shkatërrimin e Polonisë dhe ndarjen mes Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Vetë Hitleri deklaron: "Nëse Evropa është vërtetë e interesuar për qetësinë dhe paqen, atëherë shtetet evropiane duhet të jenë mirënjohëse që Rusia dhe Gjermania janë të gatshme që nga kjo vatër trazirash të krijojnë zhvillime paqësore."

Shpejt bëhet e qartë: Hitleri nuk synon vetëm fitimin e territoreve, por edhe asgjësimin e popullit polak. Bombat kanë në shënjestër ekzekutime të qëllimshme të poetëve, të profesorëve, të mjekëve, të juristëve, të mësuesve dhe vrasjet masive të hebrenjve.

Ushtria polake nuk mund të mbrohet - ajo është e dobët kundrejt gjermanëve si sa i përket forcës së ushtrisë ashtu dhe armatimeve. Fati i polakëve vuloset shpejt edhe për arsyen se Franca dhe Britania e Madhe nuk e mbajnë fjalën. Në vend që të sulmojnë Gjermaninë nga perëndimi, siç ishte garantuar në marrëveshje, britanikët zgjerojnë mbrojtjen e tyre ajrore dhe francezët nguliten në kufirin me Gjermaninë. Shpallja e luftës prej tyre pason dy ditë pas sulmit të Gjermanisë ndaj Polonisë, më 3 shtator 1939.

Pas 36 ditësh lufta për Poloninë ka marrë fund. Sovjetikët dhe gjermanët festojnë fitoren e përbashkët dhe e ndajnë Poloninë midis tyre. Diplomati Hans von Herwarth kujton: "Ne ngritëm një dolli për vëllazërinë ushtarake gjermano-sovjetike dhe thamë: le të shpresojmë që së shpejti të nisim t'i zhdëpim anglezët dhe francezët.“

Për Poloninë kjo do të thoshte një martirizim pesëvjeçar, me pesë milionë të vdekur, ndër ta një milionë hebrenj polakë. Për Hitlerin sulmi ndaj Polonisë është vetëm një betejë, për të lufta e madhe nis pikërisht tani bashkë me deklaratën: "Unë nuk dyshoj asnjë sekondë, që Gjermania do të fitojë.“

Autor: Benjamin Wüst/Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani