1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Të bisedohet me udhëheqësit më të njohur fetarë në vend!"

Ludger Schadomsky4 Janar 2007

Ndihma humanitare gjermane në Somali mbështet dialogun

https://p.dw.com/p/AqnW
Largimi i islamistëve nga Mogadishu nuk do të thotë fundi i luftës në Somali
Largimi i islamistëve nga Mogadishu nuk do të thotë fundi i luftës në SomaliFotografi: picture-alliance/ dpa

Edhe pas tërheqjes së islamistëve nga kryeqyteti somalez Mogadishu situata humanitare në Somali është e keqe. Spitalet e pakëta në Mogadishu dhe qytetet e tjera janë të tejmbushur, mbyllja e kufijve vështirëson ndihmën humanitare urgjentisht të nevojshme për vendin veçanërisht pas përmbytjeve shkatërrimtare të vjeshtës së kaluar. 'Diakonia ndihmë në rast katastrofash' me seli në Stuttgart është një nga organizatat e pakta të huaja humanitare që i vjen në ndihmë popullsisë somaleze. Ky angazhim ka filluar qysh në vitet '90 kur vendi u zhyt në kaos pas rrëzimit të diktatorit Siad Barre. Krahas ndihmës emergjente përparësi ka dhe puna rindërtuese afatgjatë. Pjesë e saj është ndër të tjera dialogu me liderët myslimanë në vend. Bisedë me drejtorin për Afrikën dhe specialistin për Somalinë në Diakoni, Helmut Hess.

"Nëse dikush mendon se problemet janë zgjidhur gabon. Ato janë reduktuar përkohësisht në favor të qeverisë së tranzicionit por unë mendoj se nuk mund të flitet në asnjë rast për përmirësim afatgjatë. Ne shohim me shqetësim fshehjen e islamistëve të cilët vërtet janë mundur ushtarakisht por përpiqen si dhe më parë me vendosmëri të triumfojnë. Si dhe ç'formë do ta bëjnë këtë nuk e dimë dhe mund të presin shumë surpriza." - shprehet Helmut Hess.

Ashtu si shumë vëzhgues të situatës në Somali edhe Helmut Hess nuk pret ndonjë ndryshim të afërt rrënjësor të raporteve politike në Somali. Kështu prioritet ka aktualisht asistenca për refugjatët të cilët prej javësh kapërcejnë në numër të madh kufirin me Kenian. Ministria e jashtme gjermane i ka vënë në dispozicion organizatës "Diakonia ndihmë në rast katastrofash", e cila krahas OBSH është e vetmja organizatë jo qeveritare e huaj aktive në Somali, një fond prej 250.000 eurosh si ndihmë emergjente për mallra ushqimore dhe përkujdesje shëndetësore.

Vetëm pasi të jenë zbutur nevojat emergjente Diakonia do të rifillojë aktivitetin e saj gati politik. Organizata gjermane pati hapur gjatë krizës së urisë në vitin 1992 një zyrë projektesh në Mogadishu dhe qysh atëherë ka ngritur një rrjet bashkëpunimi të ngushtë me aktorët e paktë të shoqërisë civile në vend. Pjesë e aktivitetit të Diakonisë është trainimi dhe lidhur ngushtë me të rifutja në shoqëri e mijëra të rinjve të cilët qysh në fillim të viteve '90 janë bërë viktimë e brutalitetit në rritje në Somali.

"Thënë shkurt: të investohet në brezat e ardhshëm. Duhet të keni parasysh se të rinjtë në Mogadishu nuk njohin gjë tjetër veç luftës. Ka shumë fëmijë që jetojnë në rrugë të cilët keqpërdoren nga milici dhe ushtarakë të ndryshëm. Kësaj ne duam t'i kundërvihemi me oferta përkatëse arsimimi." - thotë Hess.

Që prej fillimit të krizës së Somalisë, përfaqësues të Diakonisë në bashkëpunim me udhëheqës të krishterë dhe myslimanë u kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur palëve në konflikt t'u rikthehen negociatave dhe të forcojnë embragon e armëve ndaj Somalisë. Në Kenia me ftesë të Diakonisë dhe Këshillit Afrikan të Kishave u takuan për bisedime liderë myslimanë.

Ashtu si shumë vëzhgues të Somalisë edhe Hess mendon se fenomeni i gjykatave të Sharias nuk mund të zhduket vetëm me dëshirën e mirë pasi mbështetja nga popullsia somaleze është shumë e madhe. Në fund të fundit ishin pikërisht këto gjykata që për herë të parë që prej vitit 1991 vendosën rendin dhe një lloj shteti ligjor.

Duke iu referuar shtimit të thirrjeve të ekstremistëve kohët e fundit në Somali specialisti për Somalinë në Diakoni, Helmut Hess thotë: "S'ka dyshim se forcat radikale janë aktualisht ato me më shumë influencë në Somali. Mendoj se ne duhet të bisedojmë më shumë me udhëheqësit fetarë më të shquar dhe të njohur në Somali. Pra jo me ata të cilët sipas meje janë tani përgjegjës për interpretimin rigoroz të Sharisë. Me ta me siguri është e vështirë të bisedosh."

Sipas Hess dhe bashkëpunëtorëve të tij somalezë në vend një gjë është e sigurtë: tërheqja e islamistëve nga Mogadishu nuk do të thotë në asnjë mënyrë se lufta në vend ka përfunduar në vendin në Kepin e Afrikës. Pra është shumë e rëndësishme që tani kur armët kanë heshtur të paktën përkohësisht, të bëhet kujdes për dialogun, edhe me ata të cilët ndoshta për perëndimin nuk duken në vështrim të parë partnerë të preferuar bisedimesh.