1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të harruarit e itinerarit të Ballkanit

Mariya Ilcheva28 Gusht 2016

Qindra-mijëra refugjatë udhëtuan përmes itinerarit ballkanik drejt Europës. Por si është gjendja sot, kur fluksi i refugjatëve ka rënë? Mariya Ilcheva i ka takuar refugjatët e mbetur në Greqi, Bullgari, Serbi, Hungari.

https://p.dw.com/p/1Jqx7
Balkanroute 2016 Reportage
Itinerari ballkanik 2016Fotografi: DW/M. Ilcheva

"Ne jemi këtu përkohësisht“, thotë Abdulamir Hussein dhe i buzëqesh bashkëshortes, si të donte të merrte të paktën një lëvizje koke në shenjë miratimi. Por ajo vazhdon të mbajë vështrimin ngulur mbi duar. Të dyve ua lexon lodhjen në fytyrë. 49-vjeçari iranian dhe familja e tij janë prej dhjetë vitesh në arrati. Aktualisht ata ndodhen në Selanik, pjesë e një kontigjenti refugjatësh prej 7000 vetësh, që në kuadër të programit „relocation“ të BE-së, presin pranimin në një nga vendet europiane.

Pas invazionit amerikan, në Irak sundonte gjendja e luftës. Në vitin 2006 familja Hussein shkoi si refugjate në Sirinë ende në paqe. Aty Abdulamir u konvertua në të krishterë. „Nga bindja“, thekson ai, dhe prek me dorë kryqin. „Në Siri jetuam mirë. Deri sa filloi lufta edhe aty. Pastaj erdhëm në Turqi. Katër vite të tmerrshme për familjen Hussein. Disa herë ata u bënë viktimë e myslimanëve fanatikë. „Na duhej të largoheshim“.

Odiseja e familjes Hussein

Në janar të vitit 2016, Abdulamir arriti të dërgojë një djalë dhe vajzën më të madhe bashkë me foshnjen e saj në Greqi- pas një udhëtimi të rrezikshëm në një varkë të tejmbushur. Kontrabandistët morën 1000 dollarë për secilin. Që të tre ata ia dolën të kalonin përmes itinerarit të Ballkanit në Gjermani, por kur një muaj më vonë, vetë Abdulamir me pjesën tjetër të familjes donin të kalonin kufirin, Maqedonia i mbylli dyert. “Kishim fat të keq”, thotë ai duke shtrënguar pas krahëve gruan në ngashërim e sipër.

Balkanroute 2016 Reportage
Abdulamir Hussein me gruanFotografi: DW/M. Ilcheva

110 ditë qëndroi familja Hussein në Idomeni, në kufi me Maqedoninë. „Një tmerr“, kujton Abdulamir. Pas prishjes së kampit në maj, ata janë vendosur në Selanik, në pritje të zhvendosjes në një vend tjetër në Europë. Rruga më e shpejtë do të ishte ajo përmes Bullgarisë, një vend i ri tranziti për refugjatët. Por „maqedonasit na thonë të kemi kujdes“, thotë 49 vjeçari, për shkak të „gjuetisë“ që bëhet ndaj refugjatëve. Fjala është për dhunën e ushtruar nga policët bullgarë apo të ashtuqujturat trupa qytetare vetëmbrojtëse.

Kampi bullgar i Pastrogorit

Rreth 500 kilometra i ndajnë refugjatët në Selanik nga kampi i parë bullgar. Në Pastrogor, një fshat i vogël në trekëndëshin kufitar Bullgari-Greqi-Turqi janë vendosur kryesisht të rinj nga Pakistani dhe Afganistani dhe shumë pak familje. Shumica e meshkujve të rinj qëndrojnë në një holl, ku ka lidhje interneti. 23 vjeçari, Ali Raza nga Pakistani tregon se babai i tij ka paguar 3500 dollarë për udhëtimin në Bullgari. Por për të shkuar në Gjermani, atij i duhet të paguajë edhe 2500 dollarë të tjerë. I pyetur pse ndodhet këtu, ai përgjigjet si shumica e refugjatëve. „Sepse duam të shkojmë në Europë“.

Por kalimi i kufirit bullgaro-serb është bërë i vështirë. Ali Raza pret, ndërkohë që mes migrantëve ka të tjerë që duan të kthehen. “Please deport, deport”, i luten tre afganë drejtuesit të kampit në Pastrogor. Ata nuk kanë më para as për të vazhduar rrugën drejt Europës, dhe as për t'u kthyer.

Balkanroute 2016 Reportage
Ali Raza pret shansin për të hyrë në EuropëFotografi: DW/M. Ilcheva

Kontrabandimi - një punë normale për shumë vetë

Ali Raza nuk do të kthehet. Ai do të arrijë qëllimin e tij, Europën ashtu si edhe 28 vjeçari, Vasim Ahmad. “Dje jam kthyer për të tretën herë nga policët serbë, por do ta provoj prapë”, thotë ai. Ahmadi është optimist. “Shumë ia kanë dalë, edhe unë do t'ia dal.” Edhe drejtuesi i kampit konfirmon se „askush nuk do të qëndrojë këtu.“

Nga 10.000 refugjatët e regjistruar në Bullgari askush nuk do të qëndrojë aty, kështu ëndrra e tyre kthehet në një mundësi përfitimi për shumë vetë në rrethina. Në qytezën Ljubimez, pronari i një ofiçine mekanike ankohet se nuk po gjen prej muajsh mekanikë. “Kush ka makinë, mund të fitojë me transportimin e refugjatëve më shumë, se sa merr tek unë në një muaj”.

Destinacioni i ri: Italia

Kush ia del të kalojë kufirin, merr drejtimin veriperëndimor. 900 kilometra më tutje vjen kufiri tjetër me Hungarinë. Edhë këtu qëndrojnë të izoluar shumë emigrantë që duan të bëjnë kërkesën për azil në Hungari. Por ky vend pranon vetëm 30 refugjatë në ditë, e kur kjo shifër arrihet, Budapesti i kthen refugjatët që kanë hyrë ilegalisht sërish në Serbi. Shumë prej tyre zbarkojnë në qendrën serbe të pranimit të refugjatëve, Suboticë.

Edhe këtu shikon më shumë pakistanezë dhe afganë. „Gati gjithkush përpiqet të kalojë ilegalisht kufirin. Disa ia dalin. Të tjerë jo“, thotë Lazar Velic, drejtues i qendrës. Horam Shehzad është nga ata të pafatët, që është kthyer sërish në Serbi. Refugjati rrëfen se është qëlluar brutalisht nga policët hungarezë. „Ende i kam në kokë plagët.“ Destinacioni i ri tij është Italia. Kam dëgjuar se aty mund të marrësh më lehtë azil, dhe pastaj mund të vazhdoj të shkoj në Europë“, thotë ai. Megjithatë në Serbi, refugjatët ndjehen më të mirëpritur se në Hungari.

Në vendin fqinj e kupton menjëherë refuzimin. „Në qytetin tonë nuk ka refugjatë, dhe është mirë“, thotë një 60 vjeçare nga Gyori, një qytet me 130.000 banorë, pranë kufirit me Austrinë. „Nuk i duam refugjatët. Ata sjellin vetëm probleme“, thotë ajo duke varur rrobat. Me sa duket kjo grua nuk e di se sa refugjatë qëndrojnë në qytetin e saj, vetëm për një natë. Ky është stacioni i fundit për të pushuar për refugjatët para se të vazhdojnë udhëtimi në Austri e më tej në Gjermani.