1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të krishterët në Siri

Youcef Boufidjeline/Angjelina Verbica7 Gusht 2012

Njoftimet për sulme të islamistëve kundër të krishterëve në Siri shtohen. Dyshohet shpesh se ata janë besnikë të regjimit. Por ka edhe shumë të krishterë, të përfshirë në mënyrë aktive në kryengritjen kundër regjimit.

https://p.dw.com/p/15l80
Celebrimi i Pashkëve në katedralen e Damaskut
Celebrimi i Pashkëve në katedralen e DamaskutFotografi: SANA

Me eskalimin e luftimeve mes trupave të regjimit sirian dhe opozitës së armatosur shtohen vuajtjet e popullsisë civile. Qindramijëra qytetarë të përkatësive të ndryshme politike dhe fetare marrin arratinë, kryesisht brenda vendit, sidomos në zonat kufitare me vendet fqinje. Kërkimi i një vendi të sigurt është bërë një shqetësim i madh për shumë sirianë. Sidomos për të krishterët sirianë. Sipas vlerësimeve, ata përbëjnë dhjetë për qind të popullsisë. Shumë prej tyre kanë frikë, se në rast të një kryengritjeje të suksesshme kundër diktatorit Bashar Al-Asad mund të bëhen viktima, apo humbës.

Refugjatë të krishterë nga qyteti sirian Kusair i njoftuan një korrespondenteje të "Spiegel Online" se disa prej të afërmve të tyre ishin vrarë nga islamikët radikalë, pjesëmarrös në luftën kundër regjimit të Bashar Al-Asadit. Kjo ndodhi pas një fushate të vërtetë kundër pakicës së krishterë. "Ne jemi akuzuar vazhdimisht se punojnë për regjimin," i tha revistës një grua e krishterë, që është arratisur në Liban. "Ata kanë predikuar në xhami të premten se ështe detyrë e shenjtë për të na dëbuar." Fillimisht ne kemi qenë në marrëdhënie të mira me rebelët. Më vonë, ata janë nxitur kundër të krishterëve kryesisht nga islamistët, që vijnë nga jashtë."

Duke pasur parasysh censurën e regjimit ndaj mediave, informacione të tilla është e vështirë të verifikohen. Megjithatë shtohen lajmet për sulmet dhe dëbimet. Një personalitet i krishterë nga Siria, i cili dëshiron të mbetet anonim nga frika e sulmeve, i tha programit të DW në arabisht: "Për fat të keq, të krishterët janë akuzuar shpesh për mbështetjen e regjimit. Nga disa territore janë detyruar prej kohësh që të largohen ..: Atyre u thuhet: "ju duhet të jeni ose me ne, ose kundër nesh."

Dhjetë përqind e sirianëve janë të krishterë
Dhjetë përqind e sirianëve janë të krishterëFotografi: picture-alliance/dpa

"Shumë kanë frikë të madhe"

Të krishterët nën regjimin e Asadit kanë patur për shumë vjet një status shumë më të mirë dhe kanë gëzuar një siguri më të madhe se shumë të krishterë të tjerë në vendet e tjera arabe, thotë një përfaqësuesi anonim i të krishterëve. "Shumë tani kanë frikë të madhe, se në krye mund të vijë një pushtet islamik, që i konsideron të krishterët vetëm si minoritet dhe të protezhuar, të cilët nuk gëzojnë të njëjtat të drejta dhe detyrime si qytetarët e tjerë". Frika nga skuadrat terroriste anti-kristiane si në Irak rritet.

Këto konstatime bën edhe sociologu sirian Ishaq Kanaou: "Të krishterët në Siri kanë frikë të madhe nga ardhja në pushtet e forcave islamike, sepse mund të bëhen qytetarë të klasit të dytë", pohoi Kanaou në intervistë me DW. "Kjo frikë vjen natyrisht edhe nga përvojat, që të krishterët kanë patur në Egjipt dhe veçanërisht në Irak, ku janë nxjerrë gjithnjë e më shumë jashtë shoqërisë." Megjithatë, "shumica e të krishterëve sirianë tani është në anën e opozitës", thotë ai. Por ata veprojnë me shumë kujdes, në mënyrë që të jenë sa më pak të prekshëm nga të dyja palët." Të krishterët, ashtu si qytetarët e tjerë në Siri, kanë frikë nga brutaliteti i regjimit. Ato kanë frikë nga grupet radikale dhe ekstremiste."

Të njëjtën dilemë përshkruan edhe George Stevo, zëdhënës i organizatës "Sirianët e krishterë për Demokraci". Shumë pak të krishterë janë në anën e regjimit, thotë Stevo në një intervistë me DW. "Pjesa më e madhe në vend i përkasin shumicës së heshtur dhe madje ka edhe një prani të madhe të të krishterëve në Këshillin Kombëtar opozitar sirian." Atje ata janë të përfaqësuar me dhjetë për qind.

Të krishterët si viktima të regjimit

Meshë e të krishterëve në Siri
Meshë e të krishterëve në SiriFotografi: AP

Zëdhënësi i "Këshillit Revolucionar" opozitar ne Aleppo, muslimani Mohammed Lukman Luleh, thotë se është e gabuar, që të dyshosh se të krishterët e Sirisë janë të gjithë të afërt me regjimin. Shumë janë bashkuar tashmë me kryengritjen kundër al-Asadit, thotë aktivisti antiqeveritar kundër DW: "Madje ndërkohë ka shumë të krishterë, të cilët janë vrarë për shkak të pjesëmarrjes së tyre në revolucion. Kohët e fundit snajperistët e regjimit në Damask vranë përsëri një aktivist të krishterë. "Ashtu si shumica e informacioneve nga Siria, edhe informacione të tilla nuk janë verifikuar për shkak të censurës shtetërore.

Më tej në kritikën kundër regjimit në Damask shkon jezuiti italian Paolo Dall'Oglio, i cili i është përkushtuar në Siri prej 30 vitesh dialogut mes myslimanëve dhe të krishterëve. Para pak kohe atij i është dashur të largohet nga vendi. Të krishterët sirianë janë në rrezik të madh, i tha ai së fundi agjencisë gjermane të lajmeve (dpa). Regjimi i Assadit është përpjekur prej vitesh, që t'i afrojë të krishterët. Për këtë qëllim ai nxit frikën nga islamistët, e cila tani po bëhet gjithnjë e më reale. Sidoqoftë edhe vetë trupat e al-Assadit sulmojnë bashkësi të krishtera, ankohet jezuiti italian: "Shumë kisha janë shkatërruar dhe rreth 150.000 të krishterë janë dëbuar. Të verifikueshme edhe këto nuk janë. Nëse do të dalë në dritë e vërteta, atëherë vetëm pas rrëzimit të regjimit."

Aktivisti opozitar i krishter George Stevo thotë: "Ne të krishterët sirianë duhet të kuptojmë, se ne nuk mund të na mbrojë ndonjë regjim, ose ndonjë person i caktuar, por vetëm një sistem demokratik dhe një shoqëri civile siriane." Nëse Siria do të zhvillohet në këtë drejtim, aktualisht öshtö krejtësisht e pasigurtë.