1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të kursyerit së shpejti një ndëshkim?

28 Tetor 2016

Në kohën kur kursimet nuk sjellin asnjë përfitim, qytetarët pyesin veten, nëse ia vlen më që të kursesh tani që janë ulur në zero interesat.

https://p.dw.com/p/2RntU
Symbolbild Finanzen - Geld anlegen
Fotografi: picture alliance/dpa Themendienst/Wuestenhagen

Në vitin 1924 pjesëmarrësit e Kongresit të parë Ndërkombëtar të Kursimeve në Milano e shpallën ditën e fundit të punës në tetor si ditën botërore të kursimeve. Qysh atëherë kjo ditë kremtohet më 31 tetor nga institutet financiare në mbarë botën. Në Gjermani është bërë një spostim me një ditë, meqënëse në disa lande federale data 31 tetor është ditë pushimi. Përderisa sivjet data 30 tetor është e dielë, kjo ditë kremtohet më 28 tetor në Gjermani.

Dita botërore e kursimeve u aplikua për të ruajtur dhe përçuar më tej mendimin për kursimet në mbarë botën. Kryesisht kjo ditë ka në plan të parë një aspekt pedagogjik. Fëmijëve duhet t'u bëhet e qartë rëndësia e kursimeve për të ardhmen e tyre. Pas kësaj qendron një logjikë e thjeshtë, për të pasur një bazë financiare në mënyrë që të kesh mundësi të ndërmarrësh diçka apo të sigurohesh për të ardhmen.

Megjithatë gjithnjë e më shumë prindër po shtrojnë pyetjen, nëse ia vlen vërtetë të kursesh në këto kohë, kur interesi bankar ka rënë në zero. Faktikisht politika e Bankës Qendrore Europiane (BQE) po i krijon shqetësime të mëdha popullsisë për të ardhmen financiare. Kuota e njerëzve, që e konsiderojnë politkën e interesave që ndjek BQE-ja si shqetësimin më të madh, është rritur nga 17 pikë në 41, në përqindje pra 58%. kështu rezulton nga një sondazh i kryer prej "baromemtrit të pasurisë" të bankave Sparskasse duke u bazuar në përgjigjet e rreth 1.800 qytetarëve.

"Besimi po humbet"

"Kjo tregon se faza e interesave të ulëta dhe negative ka prekur tani përfundimisht edhe shtresën e mesme të shoqërisë", thotë presidenti i shoqatës së bankave Sparkasse dhe Giroverband (DSGV), Georg Fahrenschon. "Heqja e interesave dhe efektit të interesave po bëhet një barrë gjithnjë e më e madhe për njerëzit." Ai arrin në përfundimin, se "po humbet besimi i njerëzve, që me përpjekjet e tyre për kursime do të mund të sigurojnë pleqërinë."

BQE-ja e ka ulur në zero interesin e referencës. Gjithashtu ajo kërkon prej bankave të biznesit një interes negativ me 0,4 %, nëse ato i depozitojnë paratë brenda natës në bankën e rezervave. Me këtë BQE-ja synon t'i japë impuls kredidhënies për ekonominë në Eurozonë. Por deri më tani kjo politikë nuk ka pasur sukses.

Depozituesit i ndjejnë shumë pasojat e politikës monetare. Për paratë ditore dhe llogaritë rrjedhëse në shumë banka nuk ka më asnjë interes. Por meqënëse për shumë gjermane siguria e depozitave është më e rëndësishme se sa fitimi, megjithatë shuma të mëdha derdhen në llogaritë me interes zero. 57% e të anketurave e përmendin sigurinë më të rëndësishme si kriter për depozitat. Sa për krahasim, janë vetëm 22% ata që zgjedhin me prioritet fitimin.

Rritet nevoja për siguri

Vetëm një pjesë e depozituesve të kursimeve reagon ndaj interesave minimale, duke dashur të vazhdojë të kursejë. Sipas anketimit ky grup përbën 5%. 12% duan të depozitojnë më pak para. Në përgjithësi ashtu si edhe më parë në Gjermani njerëzit vazhdojnë të kursejnë shumë: kuota e kursimit - pra pjesa e të ardhurave të disponueshme, që kursehet - vitin e kaluar ishte  9,7% duke qenë pak më e lartë se në vitin 2014.

Edhe pse kanë shqetësime janë ende 52% e të pyeturve, që janë të kënaqur me gjendjen financiare. Megjithatë kjo kuotë bie nga viti në vit. Në vitin 2015 ishin 56% që jepnin këtë përgjigje dhe më 2014 ishin 58%.

Tendenca për pasuri të patundshme

Jo kushdo është në gjendje të kursejë para. 36 % e njerëzve në Gjermani nuk kursejnë për pleqërinë. 16% nuk kursejnë aspak. Kjo nuk ka të bëjë me mungesën e dëshirës, por me të ardhurat e ulëta. 59% e buxheteve familjare me një të ardhur neto mujore nën 1000 Euro nuk është në gjendje të kursejë për pleqërinë, sepse në fund të muajit u mungojnë paratë.

Por ata që kursejnë, shpesh besojnë, që kursimi nuk ia vlen. Vetëm gjysma e gjermanëve, që kujdesen për pleqërinë, mendojnë, se mund ta garantojnë sigurinë e dëshiruar financiare përmes kursimeve. Rreth 30% nuk janë të sigurtë dhe 18%, pra një në pesë, mendojnë, se do t'ia dalin. Gati gjysma e të pyeturve janë skeptikë, që vërtetë do t'ia vlejë kursimi që kanë bërë për të garantuar të ardhmen.

Në këtë drejtim po konstatohet një tendencë kthese, në vend të depozitave bankare preferohet pasuria e patundshme. Gati 60% janë të bindur, se një aparatment apo shtëpi private për ta përdorur vet është më mirë e përshtatshme për konsolidimin e pasurisë. Kjo tendencë shënon një rritje me 6% kundrejt vitit 2015. Pra shpërthimi i krizës financiare globale ka bërë që të rritet më shumë se dyfishi numri i atyre, që preferojnë pasurinë e patundshme për konsolidim pasurie.