1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të vdekur dhe të plagosur gjatë sulmeve me bombë në Turqi

el/vfb/rk/sti (ap, afp, rtr)18 Gusht 2016

Brenda pak orësh kanë shpërthyer dy makina-bombë në qytetet juglindore të Turqisë, Elazig dhe Van. Të paktën gjashtë vetë gjetën vdekjen dhe mbi 100 u plagosën. Objektiv i sulmeve ishin qendrat e policisë.

https://p.dw.com/p/1JkqH
Türkei Elazig Anschlag Explosion
Fotografi: picture-alliance/dpa/Stringer

Të paktën tre persona u vranë, kur herët në mëngjes një makinë bombë shpërtheu në parkingun e një stacioni policor në qytetin Elazig, në juglindje të Turqisë. Forcat e sigurisë bëjnë fjalë për 120 të plagosur. Zona përreth vendit të shpërthimit është shkatërruar. Pamjet televizive treguan një re tymi të zi mbi qytet. Mediat turke bëjnë fjalë për një sulm terrorist duke lënë të nënkuptohet, se sulmi ka të bëjë me Partinë e Punës të Kurdëve, PKK, e cila është e ndaluar.

Sulmi ndodhi vetëm disa orë pas një shpërthimi të një makine bombë në qendër të qytetit Van. Si pasojë gjetën vdekjen tre vetë. Edhe ky sulm ka pasur në shënjestër selinë e policisë.

Përfaqësuesit e qeverisë rajonale, sipas agjencisë së lajmeve Anatolia, bëjnë përgjegjës një "grup terrorist rajonal". Me këtë term zakonisht emërtohet PKK-ja.

Van është një qytet i banuar nga turqit dhe kurdët. Sulmet këtu krahasuar me Dijarbakirin fqinj janë më të rralla. Qyteti është një destinacion popullor për vizitorët nga jashtë.

Vazhdimisht konfilkte të përgjakshme

Pas shkeljes së armëpushimit në korrik të vitit 2015 ka pasur vazhdimisht konflikte të reja ndërmjet qeverisë turke dhe PKK-së. Që atëherë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu, janë vrarë qindra forca të sigurisë dhe mijëra luftëtarë të PKK-së. Grupet e të drejtave të njeriut raportojnë, se si pasojë e luftimeve janë vrarë edhe qidnra civilë.