1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të verbërit kosovarë votojnë me asistencë

Esat Ahmeti17 Nëntor 2007

Në prag të zgjedhjeve personat e verbër kritikuan se nuk janë plotësuar kushtet e duhura që ata të dalin në to. Si do të votojnë këta qytetarë dhe personat me aftësi të kufizuara?

https://p.dw.com/p/CIOJ
undefined

Gëzim Rexha është vetëm një prej rreth 2000 të verbërve dhe atyre me pamje të dobësuar, që mendohet të ketë në Kosovë. Sërish sot ata e ndjejnë veten të diskriminuar kur afrohen tek kutitë e votimit. Edhe në këto zgjedhje si në ato të mëparshmet, të fundit në vitin 2004, Gëzimi do të jetë i detyruar të votojë me asistencën e dikujt. Për personat e verbër dhe për personat që kanë probleme me shikimin, është paraparë që të zgjedhin një person të cilit ata i besojnë, në mënyrë që ai t'u ndihmojë në plotësimin e fletëvotimit.

'Fatkeqësisht edhe kësaj radhe personave të verbër nuk u është mundësuar që ta ushtrojnë të drejtën e votimit dmth. që votën e tyre ta hedhin në mënyrë të fshehtë, të lirë dhe të pavarur', thekson në bisedë me programin tonë Gëzim Rexha.

Nuk ka dyshim që më mirë do të ishte që votuesit e verbër dhe ata me pamje të dobësuar të kishin mundësi të votonin përmes alfabetit të Braille-it (Brejllit). Por për shkak të kohës së shkurtër, listave të hapura si dhe mabjtjes së tri palë zgjedhje përnjëherë, është pamundësuar një gjë e tillë, kanë sqaruar organizatorët e këtyre zgjedhjeve. Megjithatë Gëzimi:

"Besoj dhe jam shumë i bindur që me krijimin e mundësisë për ushtrimin e të drejtës së votës së lirë dhe të fshehtë do të plotësohej një standard demokratik për këta qytetarë'".

Ndërkaq i pyetur se sa do të ndikojë fakti që këta qytetarë do të varen nga ndihma e dikujt për të votuar që ai të dal në zgjedhjet e sotme Gëzimi sqaron:

"Mendoj se me vet faktin që nuk të krijohet mundësia ta hedhësh votën në mënyrë të pavarur, nuk të krijohet mundësia për atë që është një gjë thelbësore gjatë votimit pra mundësia e votës së fshehtë padyshim që ka një ndikim në marrjen e vendimit e personave për të marrë pjesë në zgjedhje apo jo. Bile mund të them se në këtë mënyrë ekziston edhe mundësia për abuzim, keqpërdorimin e votave dhe fletëvotimeve."