1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

100408 Ermächtigung Bundestag

Marcel Fürstenau 11 Prill 2008

Më 23 mars 1933 Raihstagu gjerman miratoi të ashtuquajturin ligj të autorizimit i cili i jepte pushtet të pakufizuar kancelarit të Rajhut Adolf Hitler dhe partisë së tij nacionalsocialiste.

https://p.dw.com/p/Dfjo
Reichstag 1933
Reichstag 1933Fotografi: AP Photo

Ai shërbente si bazë për të ndaluar partitë dhe për të nxjerë jashtë loje shoqërinë. Parlamenti gjerman përkujtoi të entjen (10.04.) fundin e demokracisë në Gjermani 75 vjet më parë.

Presidenti i Parlamentit gjerman Norbert Lammert
Presidenti i Parlamentit gjerman Norbert LammertFotografi: DW

Ishte e nevojshme një shumicë prej dy të tretash për të pajisur me të gjitha pushtetet nacionalsocialistët e Adolf Hitlerit. I ashtuquajturi ligj i autorizimit mund të ishte shmangur nëse vetëm socialdemokratët do të kishin votuar kundër. Nga 120 deputetët socialdemokratë ishin të pranishëm në votim vetëm 94, pjesa tjetër ishin burgosur, ishin arratisur ose kishin kaluar në ilegalitet.

Partia Komuniste ishte ndaluar qysh më parë. Nën këto përshtypje foli kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve Otto Wels fjalët e tij të famshme:"Lirinë dhe jetën mund të na i marrin, nderin jo!"

Dhe më tej: "Pas përndjekjeve që ka pësuar kohët e fundit Partia Socialdemokrate askush nuk mund të presë prej saj ose t'i kërkojë që të votojë këtu për ligjin e autorizimit."

Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti Horst Koehler në orën përkujtimore, 10 prill 2008
Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti Horst Koehler në orën përkujtimore, 10 prill 2008Fotografi: AP

Kur shumica në Rajhstag e miratoi ligjin e autorizimit nacionalsocialistët ngritën para portave të Mynihut kampin e përqendrimit Dahau. Kjo mund të lexohej madje në gazetën urrejtjenxitëse të nazistëve ‚Völkischer Beobachter‘. Këtë fakt kujtoi kryetari i tanishëm i parlamentit gjerman Norbert Lammert: "Duke hequr dorë prej parimeve perëndimore – tolerancës, lirive individuale, ndarjes së pushteteve, demokracisë dhe shtetit ligjor – ideja e kombit nënkuptonte në botëkuptimin nacionalsocialist bashkësinë e popullit në një shtet të drejtuar në mënyrë autoritare. Shkëputja e madhe prej dinjitetit të paprekshëm të njeriut çoi në fund në Holokaust si krim të pashembullt në historinë e njerëzimit."


E gjitha kjo u bë e mundur,sepse pati një “mungesë tmerruese të arsyes dhe të kurajos civile ndër përfaqësuesit e shquar të ekonomisë, medias, kishave dhe universiteteve”, theksoi Lammert dështimin gjithëshoqëror.

Çfarë mësimesh duhen nxjerrë sot?

Ish-kryetari i fraksionit dhe i Partisë Socialdemokrate Hans-Jochen Vogel vuri në dukje antihebreizmin e krishterë dhe antisemitizmin radikal të përhapur kohë përpara Republikës së Vajmarit. Në sfondin e prirjeve aktuale radikaliste të djathta dhe ksenofobe Vogel pyeti, se çfarë mësimesh duhen nxjerrë sot?


"Natyrisht që kujtimi i papunësisë masive të atëhershme na mëson se sa e rëndësishme është që bashkësia t'u garantojë njerëzve siguri të mjaftueshme ekonomike dhe sociale; dhe që protesta kundër kushteve të jetesës, të cilat perceptohen si të padrejta, madje si përjashtim i vazhdueshëm, bën që njerëzit të vërshojnë drejt qëndrimeve radikale."