1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tërheqja nga planet e SHBA? Polonia vendos kushte

Rautenberg, Thomas / Warschau (RBB)10 Janar 2008

Kryeministri i Polonisë Donald Tusk përmendi të mërkurën kushtet për instalimin e sistemit amerikan të mbrojtjes nga raketat në vendin e tij. Marrëveshja duhet të përshtatet edhe me interesat polake të sigurisë.

https://p.dw.com/p/Cn8p
Kryeministri polak, Donald TuskFotografi: AP
Mesazhi i kryeministrit polak në adresë të Uashingtonit ishte mëse i qartë dhe toni tingëllonte thuajse si ultimatum. Donald Tusk kërkon premtimin e amerikanëve, që sistemi amerikan i mbrojtjes nga raketat mund të mbrojë me raketat moderne Patriot 3 jo vetëm bazën ushtarake, por edhe territorin polak në përgjithësi: "Deri tani pala polake nuk ka marrë asnjë garanci nga SHBA, që ngritja e bazës për mbrojtjen nga raketat do të rrisë sigurinë edhe për territorin polak. Si kryeministër i Polonisë, pavarësisht nga repekti ndaj aleatit tonë të madh, ndihem përgjegjës për sigurinë e vendit tim dhe jo për atë të SHBA!"

Polonia vë theksin tek interesat kombëtare

Më parë ministri polak i mbrojtjes Bogdan Klich ndërtimin e planifikuar të raketave amerikane Silos në Pomerani e kushtëzoi me investimet amerikane në një sistem me rendiment të lartë të mbrojtjes kundërajrore. Kriteri më i rëndësishëm për pjesëmarrjen në sistemin e SHBA të mbrojtjes nga raketat janë interesat kombëtare të sigurisë në Poloni, tha shprehimisht ministri Klich.

Russland nimmt Raketenabwehrsystem in Betrieb
Sistem rus i mbrojtjes nga raketat në qytetin Elektrostal, rajoni i Moskës.Fotografi: picture-alliance/dpa

Kërkesa e Polonisë ka të bëjë me kërcënimin e Moskës, që në rast të stacionimit të raketave mbrojtëse amerikane ky territor do të vihej në shënjestër të raketave bërthamore ruse. Të enjten (10.1.) zëvendësministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Kisljak pritet në Varshavë. SHBA duan që në Veri të Polonisë të dislokojnë dhjetë raketa mbrojtëse ndërsa në Çeki duhet të vendoset stacioni përkatës i radarëve. Ekspertët e sigurisë kërkesën e fundit të Polonisë ndaj Uashingtonit e vlerësojnë si një shkëputje të kujdesshme prej planeve amerikane për vendosjen e raketave mbrojtëse. Skenari më i shëmtuar do të ishte nëse Polonia do të vuajë pasojat politike të këtyre planeve në rast se pas ndryshimit të qeverisë në Uashington kjo bazë nuk do të ndërtohet fare, këtë shqetësim shprehu ministri i jashtëm polak Sikorski.