1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim i dështuar?

Jyrgen Stryjak5 Janar 2007

Kryeministri izraelit, Ehud Olmert u takua me presidentin egjiptian, Hosni Mubarak në Sharm-el-Sheik. Takimi u errësua nga aksioni me tanke dhe buldozerë i izraelitëve në Ramallahun palestinez, i cili u krye në prag të takimit mes dy politikanëve.

https://p.dw.com/p/AqnV
Ehud Olmert dhe Hosni Mubarak
Ehud Olmert dhe Hosni MubarakFotografi: AP

Aksioni i forcave të armatosura izraelite në Ramallah e vuri në një pozitë të vështirë presidentin egjiptian Hosni Mubarak. Shumë egjiptian do ta përshëndesnin sikur presidenti të anullonte takimin pasi që operacioni ushtarak në prag të takimit konsiderohej si një fyerje e rëndë.

Njëkohësisht me fillimin e bisedimeve nga agjensia shtetërore egjiptiane e lajmeve u publikua një deklaratë ku thuhej: presidenti Mubarak e dënon aksionin ushtarak. Izraeli nuk mund ta arrijë sigurinë e tij përmes epërsisë ushtarake. Misioni duhet të përfundojë menjëherë.

Pas përfundimeve të bisedimeve në konferencën e përbashkët për shtyp kryeministri Olmert shfaqi keqardhjen e tij për 'incidentin e papritur', siç u shpreh ai,por sqaroi se operacioni ushtarak ka qenë i drejtuar kundër palestinezëve militantë. Ai e ka për detyrë që të mbrojë jetën e qytetarëve izraelitë.

"Çelësi për një përparim në drejtim të paqës mes Izraelit dhe palestinezëve është ndërprerja e plotë e të gjitha akteve terroriste nga organizatat terroriste".

Se cilat organizata bëjnë pjesë ndër të tjera këtu Olmert e sqaroi më herët. Ushtari izraelit Gilad Shalit sipas kryeministrit Olmert po mbahet ende nga organizata terroriste e Hamasit, e cila nuk e njeh shtetin e Izraelit.

Nga ana tjetër presidenti egjiptian Mubarak e dënoi aksionin ushtarak izraelit. "Ne nuk duhet të lejojmë operacione terroriste, të cilat bllokojnë rrugën e kthimit në tryezën e bisedimeve, as nga ana palestineze e as nga ajo izraelite", është shprehur Mubarak. Qëllimi kryesor është paqja.

Në takim, sipas të dy politikanëve është biseduar ndër të tjera për tregtinë me armë përgjatë kufirit egjiptian në Rripin e Gazës. "Ne po bëjmë krej ç'është e mundur", tha Mubarak që të pengojmë këto trasporte ilegale. Por në asnjë vend të botës nuk ekziston mundësia e pengimit qind për qind të kontrabandës me armë. Ndërkaq kundrejt faktit që politikanët e Hamasit dërgojnë nga Egjipti shuma të mëdha të të hollave në Rripin e Gazës, Mubarak nuk do të ndërrmarrë asgjë. Olmert ka kërkuar që Egjipti të ndalojë këtë valë financimi. Ndërsa Mubarak është përgjigjur se ligji egjiptian e lejon këtë gjë përderisa të hollat nuk fshihen por deklarohen në kufi.

Të dy politikanët kanë treguar interesim të madh për shkëmbimin e të burgosurve mes palestinezëve dhe Izraelit. Por ashtu siç pritej nuk janë dhënë detaje për këtë çështje. Në takim është rënë dakord për organizimin e një takimit të niveli të lartë ku do të merrnin pjesë kryeministri Olmert, presidenti i palestinezëve Abas, presidenti egjiptian dhe ai jordanez. Data e mbajtjes së samitit nuk është caktuar ende.