1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Takim për sigurinë e Irakut - Bisedimet e para mes ShBA dhe Iranit pas 27 vjetësh

Ulrich Leithold27 Maj 2007

Të hënën (28.05) përfaqësuesit e ShBA dhe të Iranit do të zhvillojnë takimin e parë në nivel ambasadorësh pas më shumë se 25 vjetësh. E megjithatë atmosfera karakterizohet prej mosbesimit reciprok. ShBA përpara bisedimeve në Bagdat nisën për një namovër në Gjirin Persik dy aeroplanmbajtëse. Irani arrestoi një shtetase të ShBA nën dyshimin për spiunazh. Tema e vetme e takimit do të jetë Iraku. ShBA duan të peshojnë mundësitë nëse Irani mund të kontribuojë për stabilizimit e vendit të vet fqinjë.

https://p.dw.com/p/ArIb
Foto simbolike Ahmedinaxhd & Bush
Foto simbolike Ahmedinaxhd & BushFotografi: AP Graphics

Një takim me simbolikë të lartë - të dyja shtetet nuk kanë marrëdhënie diplomatike qysh prej 27 vjetësh. Shkas i ndërprerjes së marrëdhënieve ka qenë marrja peng e 52 shtetasve të ShBA në ambasadën e tyre në Teheran në nëntorin e vitit 1979, pak pas revolucionit islamik. Pengjet u liruan pas 444 ditësh, pasi Uashingtoni premtoi, se nuk do të ndërhyjë në çështjet e brendëshme të Iranit.

Që prej asaj kohe të dyja vendet nuk lënë t´u shpëtojë rasti për të shprehur indinjatën reciprokisht - Teherani i quan ShBA "satanin më të madh", ndërsa për qeverinë në Uashington Irani është pjesë e "aksit të së keqes".

Kësisoj është e kotë të mbash shpresa të mëdha tek bisedimet e së hënës (28.05) në Bagdat. Këtu nuk kemi të bëjmë me bisedime midis dy shteteve, jashtë axhendës është lënë çështja e programit të diskutueshëm atomik iranian, këtë e kanë theksuar të dyja palët. E vetmja temë bisedimi është stabilizimi i Irakut. Me këtë i shkohet pas kërkesës së qeverisë irakiane, sipas së cilës Irani, vendi më i fuqishëm fqinj dhe forca kryesusese ushtarake në rajon, mund të kontribuojë në mënyrë vendimtare për sigurimin e Irakut. Pikërisht kjo kërkesë ka bërë që në Bagdat të ulen në një tryezë dy ambasadorë - Hanas Kazemi-Komi për Iranin dhe Ryan Crocker për ShBA. Paradhësi i Crocker-it, Zalmay Khalizad, gjatë konferencës ndërkombëtare për Irakun që u zhvillua në mars në Bagdat i pat nënvleftësuar shanset për këtë takim. Sipas tij ShBA e akuzojnë Iranin se mbështet grupet militante shiite në Irak dhe sulmon ushtarët e ShBA: "Fillimisht duhet të shohim, se ç´ndoh në të vërtetë: nëse vazhdojnë të kalojnë armë përmes kufirit, të jepen ndihma për milicët apo grupet e armatosura. Këto janë çështje mbi bazën e të cilave ne duhet të vlerësojmë qëndrimin e palës tjetër. Kjo ka peshë në periudhë afatgjatë."

Qeveria e Irakut kish pritur më shumë nga kontakti i ministrave të jashtëm të Iranit dhe të ShBA. Por në samitin e Sharm el-Sheikut në fillim të muajt nuk u arrit më shumë veçse një kontakti fare të shkurtër mes Condoleeza Rice-it dhe homologut të saj Mottaki.

Mosbesimi i thellë pengon afrimin. Të dyja palët përpara bisedimeve në Bagdat i dhanë sërish gaz motorrit të propagandës. Uashingtoni nuk do as t´i lirojë dhe as t´i shkëmbejë pesë iranianët e arrestuar në janar në Irak. Për Teheranin ata janë diplomatë, ndërsa për ShBA të dyshuar për terrorizëm. Duke u kundërpërgjigjur edhe Irani arrestoi pesë shtetas të ShBA.

Uashingtoni reagoi me manovrën demontrative në Gjirin Persik. Republika islamike vuri si kusht për vazhdimin e bisedimeve në Bagdat ndryshimin e kursit të politikës amerikane ndaj Irakut.

E pavarësisht toneve diametralisht të kundërta, një diplomat i Teheranit bëri të ditur, se nuk kërkohet tërheqja e menjëhershme të trupave të ShBA, por duhet të ketë një plan. Ndërsa ambasadori i ShBA Crocker sinjalizon, se mund të bisedohet me grupet e armatosura në Irak, nëse ato janë të gatshme të marrin pjesë në procesin poilitik, me këtë ai ka parasysh udhëheqësin shiit me influencë, Muktada al-Sadr, milicët e të cilit mendohet se mbështeten nga Irani. Në këtë drejtim mund të punohet.