1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Team Multikulti": Nga Sarrazin, Wulff dhe Seehofer - Debati për integrimin e të huajve në Gjermani

26 Dhjetor 2010

Integrimi i njerëzve me prejardhje jogjermane, kryesisht i atyre me fe myslimane, ka qenë këtë vit një nga temat që ka sunduar mediat gjermane.

https://p.dw.com/p/zpZ1
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në të gjitha kanalet mediatike u zhvilluan debate të nxehta për vullnetin apo mungesën e vullnetit të migrantëve ose për fjalët e presidentit gjerman Christian Wulff se myslimanizmi është pjesë e Gjermanisë. Ndërkohë që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2010 ka patur zhvillime pozitive në politikën e integrimit.

Kampionati Botëror i verës 2010. Në plan të parë ishte fitorja e Gjermanisë, por e reja ishte se krahas saj u fol gjithnjë për temën e integrimit.

Të rinj berlinezë me dhe pa prejardhje të huaj panë për shembull së bashku në muajin qershor një ndeshje të kombëtares gjermane në ekranin e madh të Fondacionit Konrad Adenauer. E ngarkuara e qeverisë gjermane me integrimin, Maria Böhmer ishte mes të rinjve dhe u tha atyre se ishte shumë e impresionuar për faktin që 11 nga 23 lojtarët e kombëtares ose nuk kishin lindur në Gjermani ose kishin lindur në Gjermani nga prindër emigrantë.

Kombëtarja gjermane 2010
Kombëtarja gjermane 2010Fotografi: dapd

Kur shoh këtu përreth shoh se edhe këtu mes nesh rrënjët janë të ndryshme. Shumë vetë thonë „Ne jemi Gjermania, ne jemi pjesë e saj“. Ky është vendi që duam të kemi edhe në të ardhmen. Prandaj unë mendova që ishte shumë e rëndësishme që Mesut Özil tha se do të luajë për ekipin gjerman. Ai ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm. Dhe unë mendoj se shumë vetë që janë rritur këtu, duhet të marrin vendime të tilla.“

Özil dhe Khedira - Shembuj pozitivë integrimi

Özil dhe Khedira - Dy yje të kombëtares gjermane të futbollit
Özil dhe Khedira - Dy yje të kombëtares gjermane të futbollitFotografi: picture-alliance/dpa

Futbollisti me prejardhje turke, Mesut Özil dhe kolegu i tij Sami Khedira, i biri i një gjermani dhe një tunizjaneje, janë dy shembuj të integrimit të arritur. Kush kërkon të jetë në të ardhmen kaq i suksesshëm sa ata duhet që të mësojë edhe gjuhën gjerman, u bëri të qartë e ngarkuara me integrimin Böhmer të rinjve që e rrethonin. „Nëse dikush nuk e flet gjuhën gjermane, atëherë ai është „spektator“ në këtë vend. Të tjerët që kanë mësuar gjuhën gjermane kanë parë se mund të bëjnë karrierë, mund të përparojnë. Në këtë mënyrë jepen shembuj të mirë.“

Dhe ekipi multikulturor i kombëtares gjermane tregoi shembullin e mirë me marrjen e vendit të tretë në Kampionatin e Futbollit. Në „public viewing“ të rinjtë festuan së bashku me ekipin „e tyre“, pavarësisht nëse ishin me apo pa prejardhje migracioni.

Gjermania po shpërbëhet? - Tezat e Thilo Sarrazin-it

Vetëm pak javë më vonë, pamja ishte e ndryshme. Në fund të muajit gusht, Thilo Sarrazin ndezi me librin e tij „Gjermania po shpërbëhet”, një debat mbi gjoja mungesën e dëshirës për integrim të migrantëve myslimanë dhe bazën kulturore të identitetit gjerman. Sarrazin, anëtar i kryesisë së Bankës federale dhe ish senator i Berlinit për çështjet e financave, ishte bërë i njohur para publikimit të këtij libri për shprehjet shpesh të rënda kundër të papunëve dhe migrantëve. Shprehjet e reja për mungesën e inteligjencës tek emigrantët turk dhe arabë dhe teza e tij „të gjithë çifutët“ kanë një gen të caktuar, shkaktuan indinjatë të madhe. Banka federale kërkoi largimin e tij. Në fund Sarrazini u largua vetë nga kryesia. Partia Socialdemokrate e përjashtoi nga rradhët e saj.

Nuk beson tek inteligjenca e të huajve në Gjermani - Thilo Sarrazin
Nuk beson tek inteligjenca e të huajve në Gjermani - Thilo SarrazinFotografi: picture-alliance/dpa

Sipas Sarrazinit mes emigrantëve që jetojnë në Gjermani ka dallime të mëdha, kryesisht në sektorin e arsimit: “Ai që nuk ka arsim, që merr nga sistemi ynë i transferës (social), që sjell me vete familjen më një numër të madh anëtarësh, që nuk pranon kulturën tonë, ai shkakton më shumë kosto shoqërore dhe financiare se sa i jep shoqërisë.”

Gjykimet e tij të përgjithshme për migrantët myslimanë ndeshën në kritika, për shembull të ministres së integrimit në landin e Saksonisë së Poshtme, Aygül Özkan (CDU), cila është vetë me prejardhje turke. Ajo mendon se është e rëndësishme që të analizohen problemet e migrantëve. Por mënyra si e bën këtë Sarrazini është e papranueshme: “Ta bësh këtë në një mënyrë të tillë, duke ndarë një grupo migrantësh, turq dhe arabë, t`i vësh përballë murit dhe të mos pranosh çfarë kanë bërë këta njerëz si në brezin e parë ashtu edhe tani.”

"Multikulti në Gjermani ka vdekur" - Teza pesimiste e unionit kristian-demokrat

Së fundi presidenti Christian Wulff, i cili nuk kishte as 100 ditë në post, i dha debatit një drejtim të ri. Që me marrjen e postit ai kishte premtuar se tema e integrimit do të ishte në qendër të punës së tij. Në fjalimin e tij të parë, të mbajtur me rastin e 20 vjetorit të bashkimit gjerman më 3 tetor ai tha: “Kristianizmi është pa dyshim pjesë e Gjermanisë, hebraizmi është pa dyshim pjesë e Gjermanisë. Kjo është historia jonë kristiano- hebraike. Por ndërkohë, edhe islamizmi është pjesë e Gjermanisë”.

Me këtë pohim, presidenti dëshironte t`i jipte fund grindjeve për integrimin e myslimanëve në Gjermani. Por fjalimi i tij shkaktoi irritime jo vetëm tek konservatorët. Megjithëse ky pohim nuk ishte i ri. Ministrit kristiandemokrat i Brendshëm, Thomas de Maiziere në fillim të konferencës të islamizmit në muajin maj të këtij viti kujtoi shprehjen e parardhësit të tij: “Wolfgang Schäuble ka thënë në fjalinë: Islamizmi është pjesë e Gjermanisë. Unë vë theksin tek kjo fjali, sepse kjo është fryma e cila duhet të drejtojë punën tonë.“

Horst Seehofer, kryeministri i landit të Bavarisë dhe kryetari i unionit kristian-social (CSU)
Horst Seehofer, kryeministri i landit të Bavarisë dhe kryetar i unionit kristian-social (CSU)Fotografi: dapd

Por pas fjalimit të Presidentit Wulff debati i integrimit morri një hov të ri. Kryeministri i Bavarisë, Horst Seehofer tha në një kongres të partisë socialkristiane të mbajtur në fund të tetorit se: “Ne si Union jemi për kulturën udhëheqëse gjermane dhe kundër “multikultit”. „Multikulti“ ka vdekur“.

Kryetari i CSU-së, theksoi kërkesën e tij për ndalimin e ardhjes së migrantëve nga vendet me kultura të tjera. Prioritet kryesor para migrimit duhet të ketë, kualifizimi i të papunëve që ndodhen në vend, thotë Seehofer.

Edhe Islamizmi është pjesë e Gjermanisë

Presidenti gjerman Christian Wulff
Presidenti gjerman Christian WulffFotografi: Bundesregierung/Steffen Kugler/dapd

Kurse Presidenti Christian Wulff, foli në vizitën e tij në Turqi në muajin tetor kundër ndalimit të ardhjes së migrantëve nga Turqia. Edhe kërkesa e tij për tolerancë reciproke, u mirëprit në Turqi. Dhe presidenti arriti të zbuste disa nga kritikët e tij në Gjermani me fjalimin e tij të mbajtur para parlamentit turk. Fjalia e tij kryesore ishte „Kristianizmi është pa dyshim pjesë e Turqisë.“ Myslimanët mund të praktikojnë besimin e tyre në mënyrë dinjitozë, për këtë dëshmojnë numri në rritje i xhamive, tha Wulff. Njëkohësisht pala gjermane pret që „kristianët të kenë të njëjtat të drejta në vendet myslimane, që të jetojnë hapur besimin e tyre, të shkollojnë të rinjtë teologë dhe të ndërtojnë kisha.“

Edhe nëse debati i integrimit, është zbutur tani në fund të vitit, ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere thekson se debati në Gjermani nuk duhet të shuhet dhe të bëhet sipas datave të zgjedhjeve ose botimit të ndonjë libri. Ai paralajmëron për rreziqet e zbukurimit por edhe nxirjes. Integrimi ka nevojë për realizëm, vërtetësi, nxitje dhe kërkesë, durim dhe kohë, thotë ministri de Maiziere.

Autore: Sabinne Ripperger/ Aida Cama

Redaktoi: Sonila Sand