1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Teherani zyrtar dëbon një diplomat gjerman nga Irani

Eva Corell / Berlin (BR)7 Janar 2008

Qeveria iraniane ka dëbuar nga vendi një bashkëpunëtor të ambasadës gjermane në Teheran. Autoritetet përgjegjëse janë të bindura që gjermani është 'implikuar në aktivitete jodiplomatike, arsyetoi një zëdhënës.

https://p.dw.com/p/ClFb
Pamje simbolike: Iran- Gjermani
Pamje simbolike: Iran- Gjermani


Një bashkëpuntor i ambasadës gjermane në Teheran është dashur të largohet nga Irani. Ministria e jashtme në Berlin nuk ka dashur të konfirmojë dëbimin e diplomatit. Një zëdhënëse e ministrisë së jashtme gjermane ka pranuar vetëm se një diplomat gjerman është larguar nga Irani. Kohën kur ka ndodhur kjo dhe për cilin diplomat bëhet fjalë nuk është thënë asnjë informacion nga Berlini.

Megjithatë mendohet se dëbimi është një masë hakmarrëse diplomatike e Teheranit. Në korrik të vitit të kaluar qeveria gjermane pat dëbuar një atashe të konsullatës iraniane, ndërkohë që lajmi është publikur vetë para tre javësh nga revista gjermane 'Der Spiegel'.

Sipas revistës diplomati iranian është përpjekur për të siguruar komponente për programin e diskutueshëm bërthamor të Iranit dhe për këtë qëllim kishte vendosur kontakte me një firmë të specializuar bavareze. Deri tek blerja nuk ishte arritur, sepse diplomati iranian ishte detyruar të largohet nga Gjermania.

Zbulimi i këtij rasti në dhjetor, siç duket ka vënë në presion qeverinë iraniane, që edhe ajo të shpall një diplomat gjerman të padëshirueshëm në Teheran. Fakti që Berlini nuk dëshiron të japë komente për rastin sinjalizon se pala gjermane nuk është e interesuar për eskalimin e gjendjes.