1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tema e pasqyrës së shtypit: Kompromisi i arritur në Ukrainë

9 Dhjetor 2004

Në përgjithësi komentohet si një arritje pozitive vendosja e kompromisit në Ukrainë për përsëritjen e balotazhit, ndryshimin e komisionit të zgjedhjeve dhe reformimin e ligjit elektoral. Ajo që i preokupon analistët në shtypin gjerman është fakti: që opozita mund të përçahet dhe se me reformën kushtetuese në Ukrainë presidenti i ardhshëm do të ketë kompetenca të kufizuara.

https://p.dw.com/p/Arxe
Salla plenare e parlamentit në Kiev
Salla plenare e parlamentit në KievFotografi: dpa

"Finantial Times Deutschland" e konsideron si sukses paketën e kompromisit të arritur në Ukrainë: "Për opozitën, për Ukrainën dhe për demokracinë, kompromisi i arritur është një sukses. Ata që kanë humbur janë qeveria e Viktor Janukovicit dhe presidenti Leonid Kucma. Opozita mundi të arrijë kërkesat më të rëndësishme. Suksesi më i madh është që ky vend nuk u përul nga rezultatet e manipuluara të votimeve, komisioni i zgjedhjeve do të ndryshohet dhe ligji elektoral do të ndryshojë në pikat e diskutueshme që çuan edhe në manipulimin e votimeve. Por nga ana tjetër kompromisi ka edhe çmimin e vet: përçarjen e opozitës. Kompetencat e presidentit të ardhshëm do të kufizohen, ndërkohë që qeveria dhe parlamenti do të kenë pushtet më të fortë."


Gazeta e Mynihut "Abendzeitung" lidhur me zhvillimet në Ukrainë shkruan: "Kriza në Ukrainë tani për tani u zgjidh - por me një çmim shumë të lartë. Viktor Jushenko de facto ka pranuar shkarkimin e tij. Qeveria miratoi përsëritjen e zgjedhjeve si dhe disa standarde më shumë për demokracinë, por për këtë kreut të opozitës i duhet të kapërdijë një halë të fortë: reformën kushtetuese. Nëpërmjet kësaj kufizohet dukshëm roli i presidentit, post ky të cilin mendohet ta fitojë tani Jushenko. Me këtë ai dëmton jo vetëm veten, por zhgënjen një pjesë të madhe të përkrahësve të vet. Këto zhvillime rrezikojnë të çojnë në përçarjen e opozitës. E gjitha kjo i shërben vetëm qeverisë besnike ndaj Kremlinit, gjë që është mjaft e dhimbshme për revolucionin paqësor", komenton e përditshmja bavareze "Abendzeitung".

Një opinion nga gazeta "Handelsblatt": "Ukrainasit duke sfiduar frikën nga represioni, me kurajo civile, me greva dhe demonstrata ia dolën mbanë të mbrojnë të drejtën e tyre për liri, vetvendosje dhe demokraci. Në radhë të parë ishin gjyqtarët e Gjykatës Supreme ata që dëshmuan guxim duke dalë kundër presionit të pushtetit shtetëror, prej të cilit ata ishin instrumentalizuar deri mësot. Vendimi i tyre për përsëritjen e balotazhit të 26 dhjetorit ishtë një gjykim që të shpresojmë, se do të jetë shëmbull edhe për drejtësinë në vendet e tjera post-sovjetike, një shëmbull që tregon, se si drejtësia mund të çlirohet prej nënshtrimit nga organet shtetërore dhe oligarkia. Bashkimi Evropian, i involvuar në arritjen e këtij kompromisi në vendin me sipërfaqen më të madhe në Evropë këtej e tutje ndryshe nga më parë, duhet ta mbështesë Ukrainën. Ky është një vend i rëndësishëm që nuk duhet injoruar dhe problemet e tij nuk duhet t´i lihen në dorë zotërisë Vladimir Putin që fut hundët nga Kremlini" tërheq vëmendjen "Handelsblatt".

"Roli i Moskës mbetet një enigmë e madhe", vëren komentatori i "Tagesspiegel", duke analizuar si vijon: "Humbja e realitetit
është tronditëse. Fillimisht u përhap besimi naiv dhe fqinjët e nënvleftësuar si "rusët e vegjël" u manipuluan ashtu si edhe qytetarët e Rusisë së madhe nëpërmjet medieve të kontrolluara. Pasuan fallsifikimet trashanike dhe së fundi u hapën parrullat kërcënuese për ankesimin e Ukrainës lindore. Madje Moska nuk la gjë pa bërë derisa gjatë ditëve të fundit u përpoq ta rendisë si kriminele në listën e hetuesve të interpolit Julia Timoshenkon, një nga udhëheqëset e opozitës. Nga Ukraina nuk mund të presësh mrekulli. Ky vend do ta ketë më të vështirë tranzicionin se fqinjët e vet Polonia, Sllovakia apo Hungaria. Nëse kthesa në Ukrainë do të sjellë vërtetë ndryshim, kjo do të ishte një mrekulli", shkruan berlinezja "Tageszeitung".


Një citat nga artikulli i "Frankfurter Rundschau": "Procesi i demokratizimit në Ukrainë ka bërë një hap të rëndësishëm përpara, por ai ende nuk ia ka arritur qëllimit. Kërkesa fillestare e opozitës dhe lëvizjes së masave për shkarkimin e kryeministrit Viktor Janukovic nuk është përmbushur. (...) Por e rëndësishme është që kësaj here do të votohet sërish, le të shpresojmë që zgjehdjet do të jenë të ndershme. Nëse do të ndodhë ajo që lëvizja opozitare e konsideron të drejtë, atëherë prej këtyre zgjedhjeve pritet një votë e qartë për Viktor Jushenkon. Por kjo nuk është aq e sigurtë, siç besojnë ukrainasit", mendon komentatori i "Frankfurter Rundschau".