1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: debati mbi kapitalizmin në Gjermani; rritja ekonomike në Gjermani; kushtetuta evropiane

30 Prill 2005
https://p.dw.com/p/Arvk

Në lidhje me debatin mbi kritikën ndaj kapitalizmit dhe ftohtësinë e tij sociale, të shprehur nga kryetari e Partisë Socialdemokrate Gjermane Franz Müntefering gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung komenton:

Besimi që politika të jetë në gjendje të ndikojë vërtet në masë të prekshme mbi problemet e ngritura, për të mos folur për zgjidhjen e tyre, është thuajse i mbaruar. Dhe kjo vlen për të gjitha partitë. Jo pa pasoja për vite me radhë popullit i është dashur të dëgjojë për pafuqinë e politikës... Kështu politika gjermane përjetoi e gjitha bashkë një poshtërim me flakadanin lakonik të Ackermann-it (fjala është për shefin e sipërmarrjes Deutsche Bank): paralajmërimin për pushime nga puna në masë si pasojë e nxjerrjes së fitimeve rekord). Po pyesim: Edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate Müntefering nuk ka thënë ende se çfarë oferte konkrete ka për grupet e brezave, që në këtë vend është bërë rutinë të lëshohen në një gjendje të të qenit i tepërt në shoqëri, si dhe atyre të shumtëve që i tremb afrimi i po këtij fati.

Po për të njëjtën temë në gazetën e Këlnit Express lexojmë:

Me qortimin e tij për kapitalizmin kreu i socialdemokratëve Franz Müntefering shkaktoi shumë zhurmë bile shumica e gjermanëve duartrokasin. Megjithatë deri tani shokët socialdemokratë nuk kanë pasur ndonjë përfitim të shprehur në rritje të përkrahjes në popull. Sondazhet tregojnë se partia vazhdon të tatëpjetën. Në një kohë që politika perceptohet si diçka e keqe nuk ka vlerë t'i mbulosh mangësitë me lodhje të dukshme për reformim me shumë energji dhe shprehje të forta. Papunësia ende tepër e lartë, rritja minimale ekonomike dhe korrigjimi i vazhdueshëm i parashikimeve tepër optimiste janë kriteret me të cilat matet koalicioni kuqegjelbër. Dhe për sa kohë nuk dallohet as në pak vendime se si planifikohet të nxirret së shpejti gomari nga balta trupa e Shrëderit do të mbetet e fundit e klasës.

Kalojmë në një temë të lidhur ngushtë me të parën, atë të ekspertizës mbi rritjen ekonomike në Gjermani. Lidhur me këtë gazeta Mannheimer Morgen shkruan:

Lehtësia me të cilën e mbron ministri i ekonomisë Clement parashikimin për rritjen ekonomike të habit. Njërin problem ai e mbulon krejtësisht: buxhetin. Parashikimet optimiste mbi të cilat ngrihet buxheti i ministrit të financave Eichel janë që tani boshe. Edhe me vetë parashikimet ca më pozitive të ministrit Clement Eichelit i mungojnë disa miliardë euro. Thënë hapur: Sikur Eicheli t'i respektojë këtë vit rregullat e Paktit të Srabilitetit Monetar, siç ka premtuar, dhe t'i ulë borxhet e reja nën kufirin kritik të tre për qind të prodhimit të brendshëm bruto, atij do ti duhet të bëjë korrigjime dhe të negociojë me bashkimin kristiandemokrat-kristiansocial në opozitë, miratimi i të cilit në dhomën e lartë të parlamentit të përbërë prej 16 landeve gjermane i nevojitet Eichelit thuajse për çdo operacion kursimi.

Në përfundim citojmë nga gazeta Berliner Zeitung, e cila trajton temën e kushtetutës evropiane:

Pa kushtetutën e vet Evropa do të vazhdonte afërsisht të njëjtën rrugë si edhe me të. Ndoshta pak më joefikase në ndonjë procedurë votimi, por në parim pa ndryshime. Nuk ekziston ndonjë plan rezervë, sepse edhe nuk duhet të ketë plan rezervë. Me këtë indiferentizëm të supozuar të Brukselit shkon edhe vendimi që morrën këtë javë institucionet evropiane: Ato nënshkruan marrëveshjet e anëtarësimit me Rumaninë dhe Bullgarinë, megjithëse në këto vende kandidate nuk ishte vetëm mungesa e përparimeve që flisnin kundër kësaj. Ato injoruan edhe faktin që një pjesë e madhe e shtetasve evropianë ndjehen të mbingarkuar edhe me vetë valën e fundit të zgjerimit evropian në lindje të kryer një vit më parë. Por kur në Francë një jo nuk ndikon më shumë sesa një po (fjala është për referendumin mbi kushtetutën evropiane që do të zhvillohet atje), atëherë është më mirë ta miratosh kushtetutën evropiane dhe të arrish së paku përmirësime të vogla në procedurat e Brukselit. Dhe aq më e qartë duhet të dëgjohet vërejtja drejtuar qeveritarëve të Evropës që një po të tillë të mos e kuptojnë si miratim për vendimet e tyre. Për këtë ëndrra evropiane është tepër e çmuar.