1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: konferenca e sigurisë në Mynih dhe manifestimi përkujtimor në 60 vjetorin e bombardimit të Drezdenit

Vilma Filaj-Ballvora14 Shkurt 2005

Në komentet e shtypit të sotëm gjerman u kushtohet vëmendje e veçantë dy temave: përfundimit të konferencës së sigurisë në Mynih dhe manifestimit përkujtimor në Drezden me rastin e 60 vjetorit të bombardimeve të aleatëve në Luftën e Dytë Botërore.

https://p.dw.com/p/Arwi
10.000 qirinj për Drezdenin
10.000 qirinj për DrezdeninFotografi: AP

"SÜDDEUTSCHE ZEITUNG" lidhur me diskutimet për reformimin e NATO-s në konferencën e sigurisë komenton: "Kancelari shkaktoi zemërim në NATO, pavarësisht se ai vetëm do ta ndihmojë aleancën. Mos vallë e gjitha ndodhi prej ngathtësisë? Nuk ka ndonjë shenjë që Shrëderi e bëri këtë i nxitur nga ndonjë motiv konspirativ. Kancelari i bën punët pa u menduar gjatë, të paktën kështu duket në pamje të jashtme. Këtu një propozim, atje një provë, e të nesërmen gjithçka sërish duket ndryshe. Eshtë për të të ardhur keq, sepse për pak mesazhi i rëndësishëm i Shrëderit sikur nuk u vu re: ai bëri një pohim të ndershëm për rëndësinë e aleancës atlantike. Një gjë të tillë se kemi dëgjuar prej kohësh nga kancelari", vëren "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG".

Nga komenti i së përditshmes "FRANKFURTER ALLGEIMEINE ZEITUNG" shkëpusim: "Për Shrëderin aleanca duhet t´i lërë lamtumirën së shkuarës: duke u shkëputur prej opcioneve ushtarake, duke e politizuar NATO-n dhe duke reformuar Këshillin e Sigurimit: thënë më shkoqur pra duke i dhënë një vend të përhershëm Gjermanisë në këtë forum. Se sa larg është Shrëderi prej aleancës që përfytyrojnë amerikanët, kjo doli në pah nga fjalimi i Ramsfelldit. Për SHBA NATO-ja duhet të jetë e përgatitur jo për rreziqet e buta, por për terrorin e ashpër islamik. Ramsfelldi arriti në konkluzionin e vjetër dhe të njohur për një superfuqi: "Uniteti ynë nuk duhet të jetë unitet i taktikës dhe i mendimit, por një bashkësi e qëllimit", shkruan "FRANKFURTER ALLGEIMEINE ZEITUNG".

Po mbi këtë temë edhe një citat nga komenti i "STUTTGARTER ZEITUNG": "Që NATO-ja duhet të reformohet urgjentisht ekziston konsensus prej kohësh mes Uashingtonit, Brukselit dhe Berlinit. Ministri i jashtëm Joshka Fisher qysh prej disa muajsh përsërit duke u lutur për domosdoshmërinë e një dialogu të ri transatlantik, në të cilin të shqyrtohet ripërcaktimi i raporteve në aleancë si dhe strategjia e saj. Në këtë kuptim edhe kancelari Gerhard Shrëder në fjalimin e tij të diskutueshëm në konferencën e sigurisë nuk tha as ndonjë gjë origjinale dhe as ndonjë të re nga pikëpamja përmbajtësore. Fakti që propozimet e tij i ndezën gjakrat, ka të bëjë me atë, se fjalimi nuk ishte i përgatitur mirë, nuk ishte i harmonizuar si duhet dhe u komunikua keq", tërheq vëmendjen "STUTTGARTER ZEITUNG".

Kalojmë në temën e dytë nga më të komentuara sot në shtyp. Me rastin e 60 vjetorit të bombardimit të Drezdenit nga forcat aleate në Luftën e Dytë botërore 50.000 vetë morrën pjesë në një manifestim përkujtimor duke dhënë një shenjë të qartë kundër ekstremizmit të djathtë.

Në artikullin e së përditshmes "SCHWARZWÄLDER BOTE" shkruhet: "Qytetarët e Drezdenit dhanë një sinjal të qartë kundër ekstremizmit të djathtë. Mesazhi i tyre, ndryshe nga parrullat e tullacëve neonazistë dhe kameleonëve me çizmet me gozhda, ishte: kurrë më!", nënvizon "SCHWARZWÄLDER BOTE".


Në gazetën "NORDKURIER" lexojmë: "Ishte një sinjal i rëndësishëm, që në Drezden kaq shumë gjermanë të sinqertë dolën kundër bandave të murme duke bërë të qartë, se të jesh patriot i vërtetë duhet të përkujtosh edhe viktimat e palës tjetër. Vetëm ai që ka zemër kaq të madhe mund të kontribuojë për mirëkuptimin midis popujve", analizon "NORDKURIER".

Ja se si e komenton këtë temë analisti i "NÜRNBERGER ZEITUNG": "Vetë qytetarët këtë ditë e bënë së fundi ditën e tyre. Larg urrejtjes dhe larg çdo ideologjie dhjetra mijëra banorë te Drezdenit përkujtuan ata që dikur u dogjën në qytetin e tyre, duke bërë në këtë mënyrë që së paku ata të shpëtojnë nga mbledhja e nipërve shpirtërorë të atyre që dikur i vunë flakën gjithë Evropës", shkruan "NÜRNBERGER ZEITUNG" duke pasur parasysh marshimin e ekstremistëve të djathtë.


Gazeta "DIE WELT" e konsideron si të dështuar protetstën e ekstremistëve të djathtë në Drezden: "Sado marrëzi që të jenë parrullat e partisë nacional-demokrate, sado i madh të jetë rreziku i konfrontimeve të dhunshme me ta, për ekstremistët e djathtë ky 13 shkurt ishte një dështim i plotë: kjo duhej të bëhej dita e madhe e tyre, por ata vetëm mundën të demonstrojnë, se s´janë gjë tjetër veçse një grup anësor. Në këtë mënyrë atyre u janë konsumuar bateritë. Një parti, së cilës prej rastësisë historike iu dha mundësia, ta shfrytëzojë përkujtimin e bombardimit të Drezdenit për t´i bërë reklamë vetes, nuk ishte në gjendje të bëjë asgjë. (...) Për demokratët kjo është një arësye që të jenë të shpenguar", shkruan "DIE WELT".