1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Pashkët e para pa praninë e Papa Gjon Palit të II-të. Kriza në Kirgistan

26 Mars 2005

Në shtypin gjerman tema mjaft të komentuara janë sot gjendja shëndetësore e Papa Gjon Palit të dytë pikërisht në ditët e Pashkëve si dhe kriza në Kirgistan.

https://p.dw.com/p/ArwC
Papa Gjon Pali i II-të në Vatikan më 23.03.2005
Papa Gjon Pali i II-të në Vatikan më 23.03.2005Fotografi: AP

Lidhur me gjendjen në Krigistan pas rëzimit të udhëheqjes shtetërore gazeta "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG" shkruan: "...Në këtë mënyrë në Kirgistan po vazhdon ajo që nisi në hapësirën ish-sovjetike përpara më shumë se një viti në Gjerogji si dhe ngjarjet në Ukrainë që pak muaj më parë mbajtën në tension mbarë opinionin botëror. Pavarësisht nga të gjitha dallimet kryesisht politike e sociale si dhe rrethanat e tjera të ndryshme mund të konstatosh një model të ngjashëm: politikanët e opozitës, elita kundërshtare mobilizojnë zemëratën popullore kundër zgjedhjeve të falsifikuara - mbetet vetëm çështje kohe për të çuar në kolapsin e apartit shtetëror dhe në rrëzimin e regjimit sundues. Koha e manipuluesve të paturpshëm po perëndon. Ndërsa Moska po i humbet pasuesit e saj besnikë. ... Ngjarjet në Tbilis, në Kiev dhe tani në Bishek janë një jehonë e vonuar e fundit të Bashkimit Sovjetik", analizon "FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG".

Në të njëjtën linjë e komenton këtë temë edhe gazeta bulevardeske "BILD": "Liria është në mbarë botën në pararojë! Tani njerëzit në Kirgistanin e largët rëzuan një regjim autoritar. Më parë qytetarët në Gjerogji luftuan për lirinë të pasuar edhe nga qytetarët e Ukrainës. Por edhe në pjesë të tjera të botës kohët e fundit është forcuar dëshira dhe joshja për lirinë. Në Irak u dëbua me dhunë nga posti diktatori Sadam Husein. Pas më shumë se 50 vjetësh irakianët mundën ta japin sërish të lirë votën e tyre. Në Liban njerëzit dolën për të protestuar në rrugë. Forcat pushtuese nga Siria po tërhiqen dhe demokracia po vjen. Madje edhe vetë konflikti më i përgjakshëm mes Izraelit dhe Palestinës duket se ndodhet në prag të një zgjidhjeje paqësore. E kjo po ndodh pavarësisht nëse u shkon ose jo për shtat një gjë e tillë kritikëve dritëshkurtër. Pa mbështetjen direkte dhe morale të fuqisë më të madhe të botës dhe të presidentit të saj Xhorxh Bush e gjitha kjo nuk do të ishte e mundur. Edhe ne gjermanët i jemi mirënjohës SHBA për lirinë tonë. Sa keq që janë të shumtë ata që e kanë harruar sot një gjë të tillë", vëren "BILD".

Gjendja shëndetësore e Papa Gjon Palit të II-të dhe mungesa e tij në ditët e Pashkëve i ka dëshpëruar shumë besimtarë. Lidhur me këtë e përditshmja "STUTTGARTER ZEITUNG" shkruan: "A qau ai? Kronistët në Romë besojnë, se kanë parë fytyrën e Papës të mbuluar nga lotët. Dëshpërimi për pamundësinë e tij, ideja se në festën kulmore të krishtërimit ndodhet i izoluar në dhomën e të sëmurit e ka mposhtuar atë. A ka qarë Papa Gjon Pali i II-të të mërkurën duke dhënë bekimin e tij? Apo mos vallë kemi të bëjmë sërish me një intepretim të ekzgjaruar gazetaresk, për dramatizimin e një procesi që në vetvete është mjaft dramatik? Një vuajtje e gjate dhe e mundimshme, lufta me vdekjen dhe ringjalljen shkëmbehen me njëra-tjetrën në intervale gjithnjë e më të shkurtra. E gjitha kjo ndodh nga minuta në minutë dhe e gjitha kjo në fokusin e kamerave nga e mbarë bota që kanë ambicjen të fiksojnë edhe detajin e fundit duke pritur në thelb vetëm pamjet "vendimtare" të frymëmarrjes së fundit. Asnjë njeri tjetër nuk ka dhënë shpirt ndonjëherë në mënyrë kaq publike", tërheq vëmendjen "STUTTGARTER ZEITUNG".

Gazeta "DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN" komenton: "Janë vezëm dy fjali të cilat kanë gjithnjë të njëjtën përmbajtje. Megjithatë shumë gjermanë presin me padurim kur Gjon Pali i II-të shpreh nga Shën Pjetri urimin e tij: "Pashkë të gëzuara dhe të bekuara. Qoftë me ju paqja e të ringjallurit!" Por këtë vit përshëndetja nuk do të lexohet nga kreu i kishës katolike. Prej kohësh Vatikani drejtohet nga një grup njerëzish që kryejnë edhe punët më të rëndësishme. Eshtë interesant fakti se takimet më të rëndësishme të javës së Pashkëve i kanë zhvilluar pikerisht ata Kardinalë që konsiderohen si kandidatët më të mundshëm për të pasuar Papa Gjon Palin II-të", shkruan "DRESDNER NEUESTE NACHRICHTEN".