1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Temat: Ujdi mes Rusisë dhe Iranit; Lojërat dimërore

27 Shkurt 2006

Shtypi i sotëm i kushton komente dhe analiza marrëveshjes në parimi mes Rusisë dhe Iranit për pasurimin e uranit në territorin rus. Një temë mjaft e trajtuar sot është edhe mbyllja e lojërave dimërore në Torino.

https://p.dw.com/p/ArrB

Gazeta "Neue Osnabrücker Zeitung" komenton bisedimet mes Moskës dhe Teheranit: "Deklarata e Iranit, se parimisht ka rënë dakord me Rusinë për procesin e pasurimit të uranit, pas muajve të tensionit jep tani pak shpresë për një zgjidhje paqësore të grindjes. Por jo më shumë se kaq. Për aq kohë sa fjalët nuk pasohen nga veprat, tonet e pajtimit nga Teherani tingëllojnë si një manovrim frenues, për të penguar aktivizimin e Këshillit të Sigurimit. Ndaj BE-ja dhe ShBA duhet t'a vazhdojnë presionin ndaj Iranit. Eshtë në dorë të Teheranit që t´i dëshmojë botës, se programi bërthamor përdoret vetëm për qëllime civile", shkruan "Neue Osnabrücker Zeitung".

Ndërsa gazeta e Kielit, "Kieler Nachrichten" lidhur me rolin e Rusisë komenton: "Një zgjidhje e grindjes atomike me Iranin do t´i sillte dy avantazhe njëkohësisht Moskës. Së pari do të shmangej një vatër krize me pasoja mbarëbotërore, që prek edhe sigurinë e Rusisë. Së dyti Moska mund të profilizohet si ndërmjetësuese serioze, që nuk mund të shmangej lehtë për krizat e ardhshme. Prestigji i Rusisë i cënuar rëndë prej luftës në Çeçeni dhe së fundi nga grindja për gazin me Ukrainën, do të forcohej. Madje për këtë duhet të jenë te interesuara edhe BE-ja dhe ShBA. Një Rusi që e ndjen veten vazhdimisht të tërhequr, nuk mund të jetë partnere e besueshme për Perëndimin", nënvizon "Kieler Nachrichten".

E përditshmja e Hanoverit "Neue Presse" veçon situatën në Lindjen e Mesme: "Moska ndodhet në rrezen e veprimit të raketave iraniane. Putini nuk ka interes që Irani të jetë një shtet me armë atomike. Megjithatë nga arsenalet e armëve atomike ruse disa herë është zhdukur material bërthamor. Përse bashkëpunimi ruso-iranian është e vetmja shpresë që ka mbetur? Sepse konflikti nuk mund të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme ushtarakisht, sepse Lindja e Mesme nuk mund të përballojë një vatër të dytë zjarri. Marshimi i ShBA në Irak ka lënë vetëm mundësi të këqija. Kjo ndërhyrje vetëm sa ka inkurajuar forcat radikale në Iran, për të përshpejtuar planet atomike të Teheranit dhe e ka çuar Irakun në buzë të greminës. Në rrethana të tilla është e vështirë të krijohet besimi, për një rrjet interesash që lidhen me paqen. Askush nuk mund të jetë i sigurtë se mund të arrihet kjo, e megjithatë s´ka asnjë rrugë tjetër më të mirë", thekson "Neue Presse".

Lidhur me mbylljen e Olimpiadës Dimërore Torino 2006 e përditshmja "Mitteldeutsche Zeitung", që botohet në Halle, komenton: "Numri një në klasifikimin e shteteve, me 29 medalje dhe me rezultate të shkëlqyera në displinat e sporteve dimërore, ky është bilanci i ekipit të Gjermanisë. Krejt e kundërta e lojërave të Olimpiadës Verore në Athinë verën e vitit 2004. Pavarësisht nga konkurrenca që është bërë më e ashpër qoftë në aspektin e cilësisë edhe në atë të sasisë, ekipi gjerman nuk pati dështime. Përqëndrimi tek pak qendra të financimit me një punë efikase në terren ia vlejtën. Natyrisht që trainerët e atlektikës nuk mund të aplikojnë metodat e biatlonit apo të skisë, por atyre u duhet të mendojnë për koncepte, sepse kjo ia vlen", tërheq vëmendjen "Mitteldeutsche Zeitung".

"Neue Westfälische" që del në Bielefeld bën një bilanc të olimpiadës në përgjithësi: "Lojërat olimpike dimërore në Torino rrodhën ashtu siç pritej, tha përmblethtas Zhak Roge, presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik. Por për fat të keq ato nuk dolën ashtu siç i dëshironim. Komplekse sportive për garat të ndërtuara më së miri, sport interesant, atletë krenarë, por edhe kontrolle për doping, kaos trafiku dhe mungesë spektatorësh, edhe këto janë pjesë e bilancit të një feste sportive që u mbyll. Megjithatë nuk mundi të realizohet një atmosferë tipike për olimpiadën sipas motos së saj "këtu jeton pasioni". Festimet u organizuan vetëm në qytetin e madh të Torinos, ndërsa në malësinë 100 km larg, në sheshin e garave sportive, as që ndjehej fryma e olipmiadës", vëren "Neue Westfälische".