1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tepër të bukura për të qenë të vërteta

Elert Ajazaj22 Prill 2008

Megjithë kritikat ndaj misionit të ish-presidentit amerikan Carter në Lindjen e Afërme konflikti që ka ngecur në vend nuk do të mund të zgjidhet me refuzim të vazhdueshëm të bisedimeve.

https://p.dw.com/p/Dm6F
Ish-presidenti Jimmy Carter gjatë një inspektimit të raketave Kasam
Ish-presidenti Jimmy Carter gjatë një inspektimit të raketave KasamFotografi: picture-alliance/dpa

Në lidhje me përpjekjet për ndërmjetësim të ish-presidentit amerikan Carter në Lindjen e Afërme Frankfurter Allgemeine Zeitung vëren:

'Për marrëveshjen e paqes të Camp David-it në vitin 1979 midis Egjiptit dhe Izraelit presidenti i atëhershëm amerikan Carter mori çmimin Nobel për paqe. Tani ai po përpiqet në prapaskenë të gjallërojë bisedimet e paqes të 'pas Annapolisit' midis ministres së jashtme Zipi Livni dhe palestinezit Ahmad Qurei, të cilat po përparojnë ngadalë. Fjalët e tij, se Hamasi radikal islamik është i gatshëm të pranojë paqen dhe se për këtë arsye duhet përfshirë drejtpërdrejt në bisedime, tingëllojnë tepër të bukura që të jenë të vërteta. Për sa kohë organizata nuk e pranon pa nëse dhe por të drejtën e ekzistencës së Izraelit, me gjasa nuk do të gjehet zyrtarisht ndonjë partner izraelit për bisedime.'

E njëjta temë komentohet nga "Märkische Allgemeine":

'Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter ka bërë një hap të pazakontë duke u takuar me përfaqësues të Hamasit islamist. Organizata, e cila e mohon të drejtën e ekzistencës së Izraelit dhe është përgjegjëse për shumë atentate terroriste, nuk pranohet si partner bisedimesh në Uashington, Tel Aviv dhe Bruksel. Përkatësisht e madhe është indinjata për misionin e Carter-it. Por konflikti që ka ngecur në vend nuk do të mund të zgjidhet me refuzim të vazhdueshëm të bisedimeve. Kur Hamasi thotë tani, megjithatëse vagullt dhe formuluar me gjuhë pak të kuptueshme, se do ta pranonte një marrëveshje paqeje dhe një shtet palestinez në kufijtë e 1967-ës, atëherë kjo duhet marrë si bazë për bisedime. Sidoqoftë, vetëm me trysni nga jashtë nuk bëhet përpara.'