1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terrori mbetet terror, pavarësisht numrit të viktimave që shkakton! Mbi atentatet e reja terroriste në Londër

Peter Philipp22 Korrik 2005

Saktësisht pas dy javësh, pasi Londra u trondit nga shpërthimet e bombave në metro, më 7 korrik, sërish eksplozivët vënë në panik qytetarët e kryeqytetit britanik. Bombat këtë herë kishin fuqi të ulët shpërthimi, por megjithatë ato tronditën popullatën londineze. Në këto akte mbeti vetëm një person i plagosur. Ende nuk dihet gjë mbi autorët e krimeve

https://p.dw.com/p/ArOb
Pamje nga shpërthimet e djeshme në Warren Street
Pamje nga shpërthimet e djeshme në Warren StreetFotografi: AP


Nuk është e thënë që të vriten njëherë me qindra vetë, për të terrorizuar mijëra qytetarë. Ky ndoshta mund të ketë qenë edhe plani i atyre që menjëherë pas dy javësh pas akteve të terroriste në metro, sërish vendosën bomba në autobuzë dhe sistemin nëntokësor londinez. Këtë herë bombat kishin një fuqi të vogël shpërthimi. Megjithatë autorët e këtyre akteve nuk mund të vulosen ndryshe, veçse si terroristë. Kjo vlen edhe po qe se zbulohet se këto akte kanë qenë planifikuar nga psikopatë, siç ndodh rëndom në këto raste kur imitohen krime që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit.

Në fund të fundit motivet nuk kanë rëndësi. Ai që vendos bomba, vret civilë të pafajshëm apo thjesht i vë ata në rrezik apo panik, ai nuk e meriton të gjykohet, sipas përmasave të atentatit të bërë. Terrori mbetet terror- pavarësisht numrit të viktimave. Kush e lëshon veten tek terrorizmi, ai humb të drejtën e anëtarësisë në shoqërinë njerëzore. Çdo lloj simpatie dhe mirëkuptimi për këta njerëz është e gabuar.

Kjo vlen për aktet terroriste në Londër, po ashtu edhe në Bagdat, në Stamboll, Bali dhe Jeruzalem. Tek terroristët nuk mund dhe duhet të bëhen dallime. Ai nuk ka një ngjyrë dhe pashaportë të caktuar - dhe ajo që është mjaft e rëndësishme -, ai nuk ka një fe të caktuar. Megjithëse mund të thuhet se kohët e fundit, shumica e akteve terroriste vijnë nga myslimanët radikalistë, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Nga ana tjetër fakti që këto akte vinë nga islamistët, nuk bëjnë që çdo mysliman të konsiderohet si terrorist potencial.

Çfarë të bëjmë atëherë? Vetëm me masa policore nuk mund dhe nuk ka për t'u zgjidhur problemi. Autorët duhet të ndiqen dhe ndëshkohen, po ashtu edhe ata që qëndrojnë pas tyre si dhe demagogët, që nxisin akte të tilla. Në të njëjtën kohë duhet që të zbulohet, sepse këta të rinj janë kaq të gatshëm të përqafojnë një ideologji të tillë. Në rast se ndodh, që ata ndjehen në shoqërinë tonë si në pakicë e diskriminuar dhe e injoruar, kjo gjendje duhet të ndryshojë. Një shoqëri demokratike, e cila diskriminon dhe përjashton, diskualifikon vetveten, sepse shkel parimet e saj bazë.

Dhe "shoqëria", kjo duhet thënë qartë, nuk është vetëm shumica e një vendi, por është bashkësia e të gjithëve që kanë të drejtë të bëjnë pjesë në të, e shumicës dhe e pakicave. Të gjitha ata që janë të prekur nga terrorizmi u kërkohet, të veprojnë kundër atij. Jo në atë që njëra palë të shohë më dyshim tjetrën, por të gjithë së bashku të luftojnë kundër rrënjëve të terorizmit. Vetëm atëherë qytetarët e kombësive të ndryshme, do të mund t'i kthehen me qetësi përditshmërisë së tyre.