1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Terroristëve duhet t'u hiqet nga dora mundësia e prezantimit përmes internetit

Hermann Krause16 Qershor 2006

Ministrat e Punëve të Brendshme dhe ata të drejtësisë së vendeve të G8 planifikojnë një bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër grupeve ndërkombëtare të terrorit.

https://p.dw.com/p/ArLF
Fotografi: AP Graphics

Terroristëve duhet t'u hiqet nga dora mundësia që të përhapen përmes internetit ose të rekrutojnë përmes tij aktivistë. Kështu deklaroi në takimin e Ministrave e Punëve të Brendshme dhe atyre të drejtësisë të vendeve të G8 që po zhvillohet në Moskë, MPJ rus Rashid Nurgalijev. Nuk ka kuptim që në internet të gjenden të dhëna apo rekomandime për prodhimin e armëve apo për përdorimin e tyre. Po ashtu bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë gjithçka për të ndërprerë rrjedhjen e parave në duart e grupeve terroriste. Rrezikun më aktual e përbëjnë sipas mendimit të tij sot përpjekjet e grupeve terroriste për të shtënë në dorë armë të shfarosjes në masë.

"Realiteti i sotëm kërkon një strategji të re anti-terror. Terroristët synojnë të shtënë në dorë armë biologjike. E rëndësishme është që atyre duhet t'u ndërpritet sa më shpejt rruga për në cyberspace dhe në internet." - tha Nurgalijev.

Terroristët çeçenë nuk botojnë në faqet e tyre të internetit rregullisht vetëm njoftime për veprimet luftarake por përhapin edhe idetë dhe bindjet e tyre politike. Deri më sot përpjekjet për t'i mbyllur të tilla faqe kanë dështuar. Ekspertët rusë janët të mendimit se redaksia e internetit të këtyre faqeve e ka selinë në një nga vendet baltike.

Pala ruse e akuzon shpesh perëndimin se e zhvillon luftën kundër terrorizmit duke përdorur dy masa të ndryshme. Kështu p.sh. SHBA-të dhe Britania e Madhe u japin azil anëtarëve të qeverisë çeçene që gjendet në mërgim, të cilët shprehen hapur për luftë kundër trupave pushtuese ruse.

Një temë tjetër e rëndësishme e takimit të Ministrave e Punëve të Brendshme dhe atyre të drejtësisë të vendeve të G8 ishte çështja e refugjatëve që hyjnë në vendet e BE-së përmes territorit të Rusisë. Rusia u shpreh e gatshme që t'i ripranojë këta persona, kur dëbohen prej vendeve të BE-së. Sergej Sobjanin, shefi i administratës së Presidentit rus, u shpreh:

"Emigracioni i pakontrolluar dhe ilegal është tejet i rrezikshëm. Ai çon në kriminalizimin e tregut të punës dhe në tensione etnike. Ai është një kërcënim për stabilitetin e brendshëm të shoqërive tona."

Një deklaratë e dyskajshme kjo, sepse rusët e pasur dhe politikanët e shfrytëzojnë me qejf krahun e lirë të punës, p.sh. punëtorë ndërtimi nga Uzbekistani, për të ndërtuar vilat e tyre në Moskë. Policia apo drejtësia ruse, të cilat blihen lehtë me para, e durojnë këtë fenomen.

Në fjalën e tij shefi i administratës së presidentit rus sqaroi edhe se Rusia ka në dispozicion teknika të cilat janë në gjendje të mbrojnë prej sulmeve terroriste pika të rëndësishme strategjike, por edhe stacione trenash, autobusësh apo metrosh. Gjithësesi detaje për këtë nuk u dhanë.