1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Testi i botëkuptimit për myslimanët" - metodë efikase?

Daphne Antachopoulos19 Janar 2006

I ashtuquajturi "testi i botëkuptimit për myslimanët" shkaktoi konfuzion në Gjermani. Gjatë ditës së sotme parlamenti gjerman debaton mbi një kërkesë që shtroi fraksioni i të gjelbërve, për ta përfunduar këtë test, i cili sipas tyre bie në kundërshtim me ligjin gjerman

https://p.dw.com/p/Ar1Z
Besimtarë në xhaminë e Berlinit
Besimtarë në xhaminë e BerlinitFotografi: AP

Njerëzit që kërkojnë nënshtetësinë gjermane duhet të dëshmojnë më parë se i njohin dhe i pranojnë vlerat e kushtetutës gjermane. Por për këtë nuk mjafton vetëm firmosja e një dokumenti. Për këtë arsye qeveria e landit të Baden Vürtenbergut, e cila përbëhet nga një koalicion mes unionit kristian demokrat CDU dhe demokratëve të lirë FDP, vendosi të fusë në përdorim një test për ata qytetarë të huaj që duan të marrin nënshtetësinë gjermane. Ky test do të shërbejë si dokument kryesor për nëpunësit e zyrës për të huajt në Gjermani, të cilët më pas do të vendosin nëse personi që ka kërkuar nënshtetësinë gjermane do ta marrë atë apo jo.

Personi në fjalë duhet të shpjegojë ndër të tjera, se cilin qëndrim mban ai kundrejt demokracisë, pranimin e koekzistencës së feve të ndryshme dhe barazinë mes gruas dhe burrit. Sipas ministrit për drejtësi dhe përgjegjësit për të huajt të qeverisë së landit të Baden Vürtenbergut, Ulrich Goll, ky test do t´ua bëjë të pamundur pashaportizimin gjerman ekstremistëve islamikë: "Ne duam t´ua japim nënshtetësinë gjermane jo- islamikëve. Unë e them hapur se nuk duam të na tallin apo ta blejmë derrin në thes. Ne duam t´ua japim nënshtetësinë gjermane bashkëqytetarëve tanë të huaj, por ata duhet të pranojnë më parë kushtetutën tonë."

Pika kryesore që kritikohet nga opinioni publik është se ky test u drejtohet njerëzve që vijnë nga 57 shtetet anëtare të Organizatës Islamike OIC. Në raste të caktuara ky test do t´u drejtohet edhe njerëzve që vijnë nga shtete të tjera.

Claudia Roth, kryetare e fraksionit të të gjelbërve shpjegon: "Mendoj se është e drejtë që ata, të cilët duan të marrin nënshtetësinë gjermane, duhet ta kuptojnë dhe pranojnë kushtetutën tonë dhe se mbi këtë kushtetutë nuk mund të diskutohet. Por konceptimi i një testi të tillë është tjetër gjë, sepse ky test u drejtohet njerëzve që rrjedhin nga bashkësia apo kultura myslimane. Ky test bie në kundërshtim me kushtetutën tonë dhe me principin e barazisë për të gjithë."

Edhe përfaqësues nga parti të tjera gjermane, bashkësia turke në Gjermani dhe Këshilli i Hebrejve e kritikojnë këtë test, i cili sipas tyre i forcon paragjykimet kundrejt myslimanëve në Gjermani.


Përveç kësaj në këtë test shtrohen pyetje, të cilat janë të vështira për t´u përgjigjur, pa marrë parasysh se cilën fe apo kulturë përfaqësojnë njerëzit që kërkojnë nënshtetësinë gjermane. Si për shembull pyetja nëse një burrë e ka të vështirë të pranojë një grua si person autoritar. Apo pyetja si si do të reagonin nëse biri i tyre do t´u thoshte se është homoseksual.

Pikë tjetër e debatueshme është konceptimi i testit: Pyetjet shtrohen shpesh herë në mënyrë sugjestive dhe përgjigjet kanë nevojë për aftësi retorike. Unioni i psikologëve gjermanë është shprehur se ky test diksriminon njerëzit me arsim të ulët.

Koalicioni i kristiandemokratëve dhe liberalëve i landit të Baden Vürtenbergut duhet të merrte një qëndrim kundrejt këtyre kritikave.

Në fund partnerët liberalë të koalicionit qeveritar arritën një kompromis, shpjegon Ulrich Goll: "Në rast se i përpilojmë testet në mënyrë të tillë që vetëm një grup i vogël njerëzish mund të përgjigjet, atëherë arrijmë më shumë izolimin e këtyre njerëzve sesa integrimin e tyre në shoqëri. Për këtë arsye jam i mendimit se duhet të hartojmë një test që u përshtatet të gjithë njerëzve, pa dallim nga cili shtet vinë."

Ministri i drejtësisë Groll shpjegoi se një test i tillë do të hartohet brenda 6 muajve të ardhshëm.

Por kritikuesit mendojnë se ndryshimi i përmbajtjes së këtij testi nuk mjafton. Pyetje mbi martesën e detyrueshme apo vrasje për arsye të nderit u drejtohen vetëm anëtarëve të bashkësisë myslimane, edhe në rast se ato do t´u shtrohen vetëm për formalitet edhe njerëzve me prirje të tjera fetare.

Shumica e landeve gjermane janë shprehur skeptikë kundrejt testit të hartuar nga qeveria e landit të Baden Vürtenbergut. Ndërkohë landet e Hesenit dhe Saarlandit do të presin rezultatet e këtij testi, përpara se të vendosin nëse do ta aplikojnë gjithashtu këtë metodë.