1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Testi raketor i Iranit nuk është politikë shtensionimi

Shabnam von Hein
4 Shkurt 2017

Sanksionet e reja të SHBA kundër Iranit "janë hapat e parë në përgjigje të sjelljes provokative të Iranit", tha të premten një zyrtar amerikan. Eksperti Fathollah-Nejad për DW: SHBA e shfrytëzojnë tani për vete situatën.

https://p.dw.com/p/2WxAI
04.2012 DW Quadriga Studiogast Ali Fathollah-Nejad

Deutsche Welle: Ndaj testit me një raketë me rreze të mesme veprimi të Iranit fillimisht  reagoi këshilltari për Sigurinë i Donald Trumpit, Michael Flynn dhe më vonë ministri i Mbrojtjes, James Mattis. Sa serioz është paralajmërimi i tyre:

Ali Fathollah-Nejad: Nga njëra anë dihej që para ardhjes në pushtet të qeverisë së re se ç'pikëpamje të ashpra ka pasur gjenerali Michael Flynn për Iranin dhe Marrëveshjen atomike. Për të problemin vërtet mund ta zgjidhë vetëm një ndërrim i regjimit.

Në anën tjetër, James Mattis është më pranë konsensusit ndërkombëtar për ta ruajtuar marrëveshjen bërthamore. Megjithatë duhet të mbajmë parasysh se fuqia e pushtetit nuk është në ministrinë e Jashtme ose të Mbrojtjes, por në mënyrë të qartë në Shtëpinë e Bardhë, ku Presidenti e ka rrethuar veten me njerëz të vijës së ashpër. Natyrisht nuk mbetet e fshehtë, që ky test raketor pikërisht në javën e dytë në pushtet të Trumpit nuk u mendua si politikë shtensionimi nga pala iraniane.

Paralajmërimi në adresë të Iranit mund të kuptohet edhe si një manovër e tërheqjes së vëmendjes së qeverisë Trump nga ndonjë krizë e brendshme, pas javëve të para në post që shkaktuan kundërshti brenda dhe jashtë vendit. Dhe për këtë shmangie vëmendjeje përdoret një konflikt luftarak me Iranin. Kjo do të ishte pa dyshim një manovër tepër riskante.

Irani pohon në kundërshtim me Uashingtonin se testi raketor nuk i shkel rezolutat e OKB-së. Si e shikoni gjendjen juridike?

Këtu bëhet fjalë për rezolutën 2231 të korrikut 2015, e cila "e përshëndet" marrëveshjen e atëhershme atomike mes gjashtë fuqive të mëdha dhe Iranit. Në të Iranit i kërkohet, ndonëse kërkesa nuk ka fuqi juridike "që të mos zhvillojë veprimtari në lidhje me raketa balistike, të cilat janë të afta për të futur në përdorim armë bërthamore, duke përfshirë edhe Starts që përdor teknologji për raketa të tilla balistike". Në një kohë kur Irani e kundërshton aftësinë bërthamore të testeve, këtu ka vlerësime të ndryshme. Gjithsesi, testet raketore nuk përfaqësojnë një shkelje faktike të Marrëveshjes atomike me Iranin.

Sa realiste e shihni mundësinë që përballë acarimit të gjendjes, SHBA të shkëputen nga marrëveshja atomike?

Një braktisje unilaterale e marrëveshjes është e përfytyrueshme. Por ajo do të paraqitej në mënyrë më të zgjuar diplomatike po t'ia ngjisje si faj palës iraniane. Marrëveshja mund të anulohet nga SHBA, sepse nuk ka vlerë juridike ndërkombëtare. Për këtë ajo duhet të ratifikohej nga senati i SHBA ose të marrë një formë të tillë legjitimimi nga kongresi. Por të dyja me siguri që nuk do të ndodhin.

Ali Fathollah-Nejad është një politolog gjermano-iranian i vendosur aktualisht në Berlin.