1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tetori Gjerman jetësim i marrëdhënieve Gjermani-Shqipëri

7 Tetor 2016

Ambasadorja e RFGJ në Shqipëri, Susanne Schütz në bisedë për DW: Koha e çeljes së bisedimeve të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së-kusht thelbësor zbatimi pa vonesë i reformës në drejtësi.

https://p.dw.com/p/2R0fB
Albanien Susanne Schütz Deutsche Botschafterin in Tirana
Fotografi: S. Schütz/P. Cenciarelli

DW:  Znj. Ambassadore Schütz, Tetori Gjerman  2016  ka filluar tanimë në Shqipëri. Që nga viti 2006,  kur këtu nisën për herë të parë edicionet e Tetorëve Gjermanë, ka pasur motto dhe fokuse të ndryshme në qendër të aktiviteteve kulturore, qëlllimi i të cilavë ka qenë dhe mbetet forcimi i lidhjeve mes kulturave të Gjermanisë dhe Shqipërisë si edhe i shkëmbimeve kulturore- arsimore. Si indikojnë dhe kontribojnë edicionet e Tetorëve Gjermanë për ta arritur këtë qëllim?

Susanne Schütz: Tetori Gjerman është shndërruar, në fakt,  në një traditë të vërtetë. Për mua është kënaqësi të them që këtë vit festojmë edicionin e dhjetë të javëve gjermane në Shqipëri. Forca e Tetorit Gjerman qëndron në jetësimin konkret të marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Marrëdhëniet tona dy palëshe janë pa dyshim të shkëlqyera, por ne dëshirojmë që këto marrëdhënie të shkëlqyera politike të kenë edhe një domethënie konkrete për qytetarët e vendeve tona. Ndaj në çdo Tetor Gjerman ne përpiqemi së pari të organizojmë projekte, që bashkojnë gjemanët dhe shqiptarët, në mënyrë që ata të mësojnë diçka nga njëri-tjetri. Programi koordinohet nga Ambasada Gjermane, por e bukura e Tetorit Gjerman është se ai përbën rezultatin e një pune të përbashkët. Kjo do të thotë, se të gjitha institucionet gjermane të përfaqësuara në Shqipëri kontribuojnë në formësimin e këtij programi. Në këtë mënyrë prezantohet i tërë diapazoni i angazhimit gjerman në vend. Këtu shtohen natyrisht partnerë të shumtë shqiptarë  - duke e shndërruar kështu Tetorin Gjerman në një bashkëpunim të vërtetë ndërkufitar.

Znj. Ambasadore, në vitet e fundit ka një interes në rritje të shqiptarëve për kulturën dhe arsimin gjerman, veçanërisht për kulturën gjermane . Çfarë  po ofron Tetori Gjerman 2016 për ta plotësuar  këtë interes në rritje?

Tetori Gjerman 2016 do të ofrojë sërish shumë kulturë nga fusha krejtësisht të ndryshme. Për ne është e rëndësishme të mbërrijmë në shije dhe grupmosha të ndryshme. Kështu për shembull, deri më tani është shfaqur pjesa teatrale "Nata arabe ”dhe është një projekt me trupën e artit kolektiv "The Weird” nga  Berlini, që në bashkëpunim me Tulla Center, në Tiranë,  u ka dhënë formë mureve të hapësirës publike të kryeqyutetit. Ky projekt është ndër të tjera edhe një shembull për përpjekjen tonë të vazhdueshme për të gjetur rrugë të reja për të realizuar dëshirën që të  tregojmë edhe kulturën alternative. Një rëndësi të konsiderueshme në këtë 10-vjetor i kemi kushtuar shkëmbimeve mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Kjo do të thotë që të gjitha projektet kanë një element të shkëmbimit brenda tyre, p.sh. në formën e workshop-eve. Kështu përfaqësuesit e Artit Urban kanë ofruar një workshop për artistë shqiptarë të grafitit, ndërsa në nëntor një këngëtare gjermane do të punojë lirika gjermane në formë muzikore së bashku me studentë të gjermanistikës. Sikurse e shihni, ne nuk duam të prezantojmë „vetëm" kulturën gjermane në Shqipëri, por përmes kulturës të krijojmë lidhje të vërteta dhe rrjete lidhjesh të tilla. Ambasada Gjermane ka ftuar për herë të dytë në bashkëpunim me POETEKA-n një shkrimtar gjerman, Dorian Steinhoff, për një qëndrim disajavor në Tiranë. Duke i dhënë mundësi të tillë një artisti arrijmë të kemi sërish efekte të shumëfishta rezonance në Gjermani, pasi gjermanët që kanë qenë këtu tregojnë në vendin e tyre për atë çka kanë përjetuar në Shqipëri. Veç kësaj ky autor gjerman, do të organizojë sigurisht mbrëmje leximi me pjesë nga libri i tij si dhe një Poetry-Slam-Workshop për nxënës të ndryshëm. Krahas kësaj do të ketë diskutime të shumta rreth temave social-politike – si p.sh rreth mediave sociale, Procesit të Berlinit apo mundësive të të rinjve në tregun e punës. E pa dyshim programin e Tetorit Gjerman do ta pasurojnë më tej "klasikët” e sprovuar tanimë: Qendra  e Gjuhës Gjermane Goethe  do të shfaqë katër filma në Kinema Millenium, DAAD do të organizojë Ditën e Informacionit rreth studimeve dhe punës në Gjermani, e sigurisht që nuk ka si të mungojë edhe Festa e Birrës organizuar nga DIHA.

Përtej një tradite të konsoliduar, tanimë me 10 edicione të Tetorëve Gjermanë që nga viti 2006,  a ka Qeveria Gjermane projekte të tjera për të rritur bashkëpunimin gjermano-shqiptar në fushën e kulturës dhe të arsimit, si një mundësi e  shkëlqyer për të forcuar dialogun kulturor mes dy popujve dhe sjellë më pranë njëri –tjetrit njerëzit e dy vendeve ?

Tetori gjerman është një muaj intensiv i bashkëpunimit kulturor gjermano –shqiptar, por vetëkuptohet që në sektorët e arsimit dhe të kulturës ne jemi aktivë përgjatë gjithë vitit. Në fund të shtatorit, së bashku me Ministren e Kulturës znj. Kumbaro, kemi inauguruar ndërtesën e re të Qendrës Goethe në Tiranë. U gëzova shumë për këtë fakt, pasi tani gjuha dhe kultura gjermane kanë gjetur një vend mjaft të bukur dhe të dukshëm në Tiranë dhe sepse kjo është një etapë e rëndësishme e angazhimit të gjatë të Qendrës Goethe për gjuhën gjermane në Shqipëri. Në gjimnazin "Sami Frashëri” është hapur që nga viti 2009 Seksioni Dygjuhësh gjermanisht-shqip, i cili është, si të thuash, projekti ynë simbol në sektorin e arsimit parauniversitar. Krahas kësaj për ne është kënaqësi të shohim se pikërisht në këtë sektor janë ndërmarrë edhe disa inisiativa private që fokusohen në gjuhën gjermane. Në dimensionin publik duhet të përmendet pa dyshim edhe DAAD (Zyra Gjermane për Shkëmbimet Akademike), e cila përfaqësohet prej fillim-viteve '90 nga një lektor pranë Universitetit të Tiranës – madje përkohësisht kanë qenë të angazhuar dy të tillë. Përtej punës në vend DAAD u ka mundësuar disa mijëra shqiptarëve, në 25 vitet e fundit, qëndrimin në Gjermani, në kohë-zgjatje të ndryshme, në kuadër të bursave për programe të larmishme. Dhe  pikërisht këta ish-bursantë janë një pasuri e vyer për marrëdhëniet gjermano-shqiptare!  Si një program të rëndësishëm në sektorin e kulturës dëshiroj të përmend Programin e Ministrisë së Jashtme Federale, për Ruajtjen e Kulturës, në kuadër të të cilit prej vitit 1989 janë lëvruar rreth 400.000 euro në funksion të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Këtë vit jemi duke mbështetur sigurimin e kutive të arkivimit, për të konservuar në mënyrë të sigurtë negativët e çmuar të Fototekës Marubi në Shkodër. Sikurse e shihni: Gjermania është e angazhuar prej disa dekadash në mënyrë masive në sektorin e arsimit dhe kulturës. E në këtë kontekst e konsiderojmë si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin afatgjatë dhe në mirëbesim të plotë.

Znj. Ambasadore, sapo përmendët Ministrinë e Jashtme Federale, të angazhuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Po bëhen rreth 30 vite që nga rivendosja e marrdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Cilat janë drejtimet kryesore të diplomacisë aktuale gjermane në drejtim të Shqipërisë? 

Gjarmania ka qenë është dhe do të vazhdojë të mbetet një partner i ngushtë i Shqipërisë. Ajo e mbështet atë prej shumë vitesh tanimë në rrugën drejt Evropës. Pas dhënies në vitin 2014 të  statusit të vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evopian është koha të hidhet hapi tjetër, ai i çeljes së bisedimeve të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Në këtë kontekst ne dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian i kushtojmë rëndësi të veçantë faktit, që projektet për reforma qendrore në vend – para së gjithash ajo në sektorin e drejtësisë, por jo vetëm – të mund të zbatohen pa vonesë. Ky është kusht thelbësor, që Komisioni Evropian të japë rekomandimin për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. Mjaft e rëndësishme në këto reforma është rivendosja e besimit të popullsisë shqiptare në politikë, drejtësi dhe strukturat e tjera në vend si dhe garantimi i perspektivës për një të ardhme më të mirë në Shqipëri. Në të njëjtën kohë vlen të thuhet, se vetëm përmes një zbatimi të vendosur të reformave, mund të arrihet që investitorët të gjejnë në Shqipëri kushtet e duhura, për të ardhur më pas këtu, që të shfrytëzojnë e zhvillojnë më tej potencialin e madh ekonomik të vendit, duke hapur kështu vende pune urgjentisht të nevojshme. Vitin e shkuar përjetuam një valë të madhe migratore nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë dhe shteteve të tjera të BE-së. Dhe kjo e bën edhe më të rëndësishëm angazhimin, që të mos ulet ritmi i përpjekjeve për t'u ofruar njerëzve mundësi më të mira për të ardhmen e tyre. Bashkarisht me qeverinë shqiptare ne angazhohemi p.sh.në zgjerimin e mundësive të arsimit profesional. Por krahas kësaj Gjermania ka bërë shumë edhe në sektorë të tjerë të bashkëpunimit ekonomik me mbështetjen  e GIZ-së, KfW-së, organizatave të shumta joqeveritare dhe partnerëve shumëpalësh, një ndihmë që arrin në vlerën e pothuaj një miliard eurove. Dëshiroj gjithashtu të përmend edhe Procesin e Berlinit të iniciuar nga qeveria gjermane dhe të vijuar më tej edhe prej Austrisë, Francës dhe Italisë, i cili do të ndihmojë Shqipërinë dhe mbarë rajonin në përafrimin me Evropën. Në këtë kontekst ne shpresojmë që projektet e dakorduara të bashkëpunimit dhe krijimi i rrjeteve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, sikurse është për shembull Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor RYCO, të marrin formë sa më shpejt dhe të dëshmojnë rezultate konkrete për njerëzit në rajon.