1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi optimist se kësaj radhe dialogu do të rezultojë me sukses

17 Janar 2013

Çështja e Luginës së Preshevës duhet të zgjidhet në dialog me Serbinë. Intervistë ekskluzive për Deutsche Wellen e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

https://p.dw.com/p/17Lxw
Hashim Thaci
Fotografi: Reuters

DW: Zoti kryeministër, ju keni qenë pjesë e të gjitha negociatave të deritanishme me palën serbe që nga Rambuje e deri më sot. Gati të gjitha negociatat e mëparshme, përjashtuar dialogun teknik, kanë dështuar. Çfarë ju bën optimist se kësaj radhe dialogu me të vërtetë do të rezultojë me sukses, kur dihet që pala serbe dhe ajo shqiptare kanë qëndrime krejt të ndryshme sa i përket statusit të shtetit të Kosovës?

Hashim Thaçi: Vendosmëria e udhëheqjes së Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fuqishme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më bën optimist dhe me besim se ky proces do të ketë sukses. Do të ketë sukses sepse dialogu është zgjidhja e vetme në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve sovrane – shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Relacioni evropian mes dy vendeve dhe popujve tanë është garanci për paqën, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Por edhe perspektivën e zhvillimit të dy popujve dhe dy shteteve tona. Perspektiva evropiane e dy vendeve tona varet nga fqinjësia e mirë, që është parakusht për Serbinë, Kosovën dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit. Mundësia dhe alternativa e vetme është që këto procese të mbyllen një herë e përgjithmonë, përmes dialogut të drejtpërdrejt.

DW: Sa jeni të kënaqur me ecurinë e deritanishme të dialogut?

Hashim Thaçi: Fillimi i implementimit të marrëveshjes për kontrollin e integruar të kufirit (IBM) është një vulë e re e shtetësisë së Kosovës, e integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe e vërjes së kufirit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë. Tani në pikat doganore me Serbinë janë vendosur edhe policët dhe doganierët. Bashëkpunojnë mirë me autoritetet e Serbisë. Kemi vënë një standard evropian. Objektet e reja do të ndërtohen së shpejti, me mbështetjen financiare të Komisionit Evropian. Kështu që kufijtë mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë gradualisht do të marrin kuptimin dhe vlerën evropiane të kufijëve, që do të thotë, të demokratizimit dhe hapjes së tyre.

DW: Kur jemi tek kufijtë: Parlamenti i Serbisë e ka miratuar së fundi një rezolutë, në të cilën thuhet se Serbia kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës, por kërkohet edhe një autonomi shumë e gjerë për serbët e veriut. A do të ketë autonomi të vecantë për veriun e Kosovës?

Hashim Thaçi: Kjo është një përpjekje e kotë e presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq, një përpjekje e dështuar. Ky është një dokument i pavlerë për Republikën e Kosovës, për BE-në dhe SHBA-në. Një dokument i Beogradit për konsum të brendshëm në Serbi. Ndërsa unë do ta respektoj kushtetutën dhe ligjet e Kosovës si dhe dokumentin bazë të pavarësisë së Kosovës, planin gjithëpërfshirës të presidentit Marti Ahtisari. Për Kosovën do të ketë vetëm lëvizje përpara drejt Evropës dhe respektim të plotë të integritetit territorial. Rregullimi i brendshëm i vendit tonë do të bëhet në përputhshmëri të plotë me kushtetutën dhe ligjet tona.

DW: Zoti kryeminstër, edhe një herë më konkretisht: cilat janë vijat e kuqe në bisedimet për veriun e Kosovës? A do të ketë edhe të drejta shtesë për serbët e atjeshëm dhe si i vlerësoni kërkesat për ndarjen e Kosovës?

Hashim Thaçi: Takimi i sotëm me baroneshëm Ashton ka për bazë dy çështje të cilat do të paraqiten nga unë dhe kryeministri i Serbisë Ivica Daciq. Nga kryeministri Dacic kërkohet marrja e përgjegjësisë për zhbërjen e plotë të strukturave të sigurisë së Serbisë që janë prezente në veri të Kosovës. Ai duhet të marrë përgjegjësinë për largimin e tyre sa më të shpejtë që është e mundur. Autoirtetet e Eulexit duhet të vëzhgojnë këtë proces. Ndërsa nga unë kërkohet përgjegjësi për të drejtat e serbëve në veri. Serbët në veri do t'i gëzojnë të drejtat e tyre më afirmative të mundshme sikur të gjithë serbët tjerë që jetojnë në rajonet e tjera të Kosovës. Ne nuk mund të kemi standarde të dyfishta për një komunitet në të njëjtin shtet.

DW: Domethënë vijat e kuqe janë...

Hashim Thaçi: Respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, dokumentit të presidentit Ahtisari si dhe dokumenteve të tjera më të avancuara evropiane për të drejtat e njeriut. Ne do të respktojmë sovranitetin e shtetit të Kosovës, integritetin territorial dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Çështja e statusit, integritetit territorial dhe rregullimit të brendshëm janë vijat e kuqe të cilat askush nuk do t'i shkelë dhe askush nuk ka kërkuar ndonjë herë prej nesh që ato të diskutohen. Këto janë çështje të mbylluara një herë e përgjithmonë.

Hashim Taci
Fotografi: DW

DW: Zoti kryeminisër, këto ditë është dëgjuar edhe propozimi i homologut tuaj serb për mundësinë e lejimit nga Serbia të një karrige në OKB për Kosovën, në qoftë se Prishtina bën lëshime në veri. Jeni të gatshëm për skenarë të këtillë?

Hashim Thaçi: Çështja e Kosovës nuk është punë pazari, me dhënë dhe me marrë. Kosova do të jetë pjesë e OKB-së me apo pa vullnetin e Daciqit. Kryeministri i Serbisë duhet të veprojë në përputhje me standardet evropiane dhe duhet të respektojë përgjegjësitë dhe axhendat e dialogut, i cili do të na cojë der tek normaliizimi i raporteve mes shteteve të Kosovës dhe Serbisë, ndërtimi i fqinjësisë së mirë dhe në fund njohjen reciproke mes vendeve tona sovrane.

DW: Një çështje shumë e nxehtë këto ditë është edhe ajo e Luginës së Preshevës. A do të hapet edhe kjo çështje në dialogun tuaj me kryeministrin Daciq dhe cili është qëndrimi juaj ndaj Luginës së Preshevës?

Hashim Thaçi: Shqiptarët e Preshevës duhet t'i gëzojnë të drejtat e tyre më afirmative kombëtare dhe demokratike. Ata e kanë lidershipin e tyre legjitim të zgjedhur që i përfaqëson. Unë jam takuar me ta dhe kemi biseduar. Mesazhi im është që të zhvillohet një dialog i drejtëpërdrejt mes përfaqësuesve të Preshevës dhe autoriteteve në Beograd, që çështjet të zgjidhen me mjete paqësore dhe me dialog. Shqiptarët nuk duhet të bien pre e ndonjë kurthi të konstruktuar nga të tjerët. Por as Beogradi nuk duhet ta shfrytëzojë këtë situatë të tensionuar për shfryrjen e mllefit shovinist ndaj shqiptarëve.

DW: Domethënë ju jeni të mendimit se problemet në Luginën e Preshevës duhet të zgjidhen me dialog të drejtpërdrejt me Beogradin dhe jo në nivelin Kosovë – Serbi?

Hashim Thaçi: Mesazhi im për bashkësinë ndërkombëtare ka qenë dhe është që t'i thuhet Beogradit se ai duhet të dialogojë në mënyrë të drejtpërdrejt me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

DW: Zoti kryeministër, në Kosovë dhe në Serbi janë dëgjuar edhe propozime për shkëmbimin e territoreve: që Kosovës t'i bashkangjitet Lugina e Preshevës, ndërsa Serbisë veriu i Kosvoës. Si i vlerësoni ju këto propozime?

Hashim Thaçi: Për Kosovën kurrë nuk do të ketë ndarje. Nuk do të ketë për ndonjë komunitet as autonomi të veçantë, ndërsa gjendjen në veri duhet të zgjidhim në përputhje me standardet më të larta evropiane. Pra duhet të kemi rend dhe ligj, demokraci, zgjedhje të lira, lidership legjitim të serbëve dhe synime socio-ekonomike, në mënyrë që të përmirësohet gjendja ekonomike atje. Me këtë qëllim edhe kam propozuar transformimin e strukutrave të shëndetësisë, arsimit por edhe organizimin e ndonjë konference ndërkombëtare të donatorëve, ku do të merrnin pjesë qeveria e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare si dhe përfaqësuesit e serbëve në veri. Besoj se viti 2013 do të jetë viti i përmbylljes së situatës konfliktuoze dhe armiqësore mes Kosovës dhe Serbisë.

DW: Ju mendoni pra që viti 2013 do të shënojë ndoshta përfundimin e konflikteve dhe armiqësive, që nënkupton fillimin e normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Kjo do të thotë se së shpejti do të hapni edhe përfaqësinë e Kosovës në Beograd dhe do të bëni publik emrin e përfaqësusit të saj atje?

Hashim Thaçi: Vendimi është marrë dhe emri i përfaqësuesit të Kosovës do të bëhet publik në ditët e ardhshme. Do të jetë një nga ambasadorët e tanishëm. Kosova do ta ketë përfaqësinë e saj diplomatike në Beograd dhe ky është hapi i parë i njohjes reciproke që po ndodhë, sepse edhe Beogradi do ta ketë përfaqësuesin e vet diplomatik në Prishtinë.

DW: Sa jeni optimist se kosovarët së shpejti do të mund të lëvizin të lirë në hapsirën e Shengenit dhe Bashkimit Evropian? Kur do të ndodhë kjo?

Hashim Thaçi: Jam shumë optimist se kjo do të ndodhë. Ne kemi implementuar të gjitha standardet e duhura evropiane. BE-ja kësaj radhe është vonuar me Kosovën, jo nga mungesa e punës në Prishtinë por nga mungesa e konsensusit politik në BE - pra nga qëndrimi i disa vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ky është një vendim i padrejtë në raport me Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.

DW: Zoti kryeministër, cfarë po bëni konkretisht Ju dhe diplomacia kosovare për të zgjidhur këtë problem, pra që Kosovën ta njohin si shtet edhe pesë vendet e mbetura?

Hashim Thaçi: Në dhjetor të gjitha vendet e BE-së kanë qenë unike sa i përket perspektivës së Kosovës edhe pse pesë vende ende nuk e kanë njohur shtetin tonë. Unë kam besim se gjërat do të fillojnë të ndryshojnë në këtë muaj dhe besoj se të gjitha vendet e BE-së - 22 që e kanë njohur dhe pesë që ende nuk e kanë njohur - do të jenë unike sa i përket të ardhmes evropiane të Kosovës dhe gjithë rajonit.

DW: Të kalojmë shkurt edhe tek zhvillimet e brendshme në Kosovë. Kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë, sepse ka shumë spekulime rreth kësaj çështje?

Hashim Thaçi: Unë do ta respektoj plotësisht marrëveshjen mes liderëve politikë: Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe AKR-së. është mirë që në këtë proces është integruar tani edhe subjekti tjetër politik, pra AAK-ja. Kemi filluar të bisedojmë seriozisht në nivel të lartë politik për reformat elektorale të cilat do të thjeshtësojnë dhe do të lehtësojnë një proces normal, fer, të lirë dhe transparent zgjedhor, i cili do të jetë i pranueshëm për gjithë spektrin politik dhe do të inkurajojë një numër sa më të madh të qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje. Ky proces do të jetë i vlerësuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Të gjitha do të bëhen në përputhje me marrëveshjen politike, por edhe afatet kushtetuese dhe ligjore.

DW: A do të ketë ndryshim apo plotësim të koalicionit të tanishëm qeveritar para se të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Hashim Thaçi: Koalicioni aktualisht është jashtëzakonisht stabil. Do të punojmë çdo herë për freskime dhe rritjen e përgjegjësive. Tani edhe PDK-ja ka zgjedhjet e veta të brendshme. Pas kongresit të PDK-së me 26 janar, me siguri që do të ketë edhe vendime të tjera që do të reflektohen në skenën politike kosovare dhe institucionale.

DW: Do të thotë: këtë vit do të ketë ndryshime në koalicionin qeveritar?

Hashim Thaçi: Koalicioni është stabil. Do t'i shqyrtojmë mundësitë e freskimit të koalicionit por jo të ndryshimit.

DW: Në media dhe në gjithë opinionin kosovar është folur shumë shpesh për raportet e prishura dhe mosmarrëveshjet tuaja me nënkryetarin e PDK-së Fatmir Limaj. Cili është qëndrimi Juaj lidhur me proceset që po mbahen kundër Fatmir Limajt?

Hashim Thaçi: Janë procese plotësisht të padrejta. Vetë drejtësia ndërkombëtare e ka konfirmuar më heret se këto akuza janë të paargumentuara. Kjo është një rrethanë që e rëndon ate personalisht por e rëndon edhe skenën politike dhe qytetarët e Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë. Prandaj kam besim të plotë në pafajsinë e tij. Ndërsa sa u përket zhvillimeve politike, mendoj se është i pamomralshëm keqpërdorimi i pozitës së tij aktuale për të fituar ndonjë poen politik prej kujtdoqoftë.

DW: Në Kosovë ka ende shumë probleme dhe sfida. Shumë gjëra nuk janë zhvilluar ashtu si ka pritur populli, por besoj edhe ju personalisht. Ka mbetur shumë për t'u bërë në luftën kundër kriminalitetit, korrupsionit, stabilitetit politik etj. Pse populli duhet të besojë se qeveria juaj dhe në përgjithësi Kosova është në rrugë të drejtë dhe do t'i përballojë edhe këto vështirësi?

Hashim Thaçi: Sfidat aktuale të Kosovës janë shumë më të vogla, të mos them minimale, në krahasim me sfidat që kemi kaluar. Unë kam pasur besim se qytetarët e mi dhe vendi im do të fitojnë dhe ne kemi fituar përballë shumë vështirësive, problemeve dhe sfidave të tjera. Tani jemi në fazën e realizimit të objektivit të tretë madhor. Pas lirisë dhe çlirimit të Kosovës si dhe shpalljes së pavarësisë tani jemi në fazën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Do të jetë një proces jo i lehtë, jo i shkurtër por kam bindje dhe besim të plotë se do të kemi sukses. Kjo është rrugë dhe perspektiva e vetme për qytetarët dhe shtetin e Kosovës. Kam besim të plotë se si kemi ditur mençurisht të tejkalojmë dy sfidat e para, lirinë dhe pavarësinë si dhe shpalljen e pavarësisë, do ta integrojmë Kosovën edhe në BE dhe në NATO. Sot Kosova është vend sovran që po konsolidohet çdo ditë, është njohur prej rreth 100 vendeve si shtet, është anëtarësuar në shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare. Besoj fuqishëm se me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të hapen mundësi të reja përshpejtuese për integrimin e Kosovës në shumë mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë. Por duhet të jemi shumë të sinqertë: ne ende po e paguajmë koston e pasojave të pushtimin njëshekullor serb. Natyrisht që edhe ne duam që të ndodhin mrekulli dhe të bëjmë edhe më shumë, por në krahasim me vendet e tjera Kosova ka lëvizuar përpara shumë më shpejt. Unë kam besim të plotë tek vullneti i qytetarëve të Kosovës, si dhe tek vizioni politik i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për zhvillim dhe integrim.

Intervistoi Bahri Cani