1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thaçi prezanton planet e rikthimit të kontrollit kufitar në veri

14 Shtator 2011

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi bën publike disa pika të planit për vendosjen e kontrollit në dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës. Ky plan parashihet të fillojë së zbatuari këtë të premte (16.09.2011)

https://p.dw.com/p/12ZFB
Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës
Hashim Thaçi, kryeministri i KosovësFotografi: AP

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se këtë premte dy pikat kufitare në veri të Kosovës, pika një dhe ajo 31, do të vendosen nën kontroll të plotë të autoriteteve kosovare dhe atyre ndërkombëtare. Ai tha se plani operacional është hartuar në bashkëpunim me misionin EULEX dhe forcat e KFOR-it. Sipas tij në pikën një e cila u dogj nga serbët lokal do të vendosen doganierë dhe policia, mirëpo, kjo pikë do të vazhdojë të mbetet e bllokuar për mallrat serbe që duhet të hyjnë në Kosovë derisa në këtë pikë të krijohen kushtet logjistike që të funksionojë. Qarkullimi i mallrave për momentin nuk do të ndodhë as në pikën 31, mirëpo, mallrat që kanë akcizë do të procesohen në pikën kufitare me Serbinë në Merdare e cila nuk është në veri të Kosovës.

“Këto veprime nga ana jonë janë tërësisht kushtetuese dhe ligjore, të kordinuara ngushtë më bashkësinë ndërkombëtare dhe janë në interes të qytetarëve që jetojnë në veri të vendit dhe rrjedhimisht e konsolidojnë vendosjen e rendit dhe ligjit që është parakusht themelor për çdo shtet dhe shoqëri demokratike".

Fajtor edhe qeveria në Beograd

Qytetin kufitar në veri të Kosovës, Mitrovica
Qytetin kufitar në veri të Kosovës, MitrovicaFotografi: DW

Kryeministri Thaçi, është i vetëdijshëm për rezistencën që kanë paralajmëruar se do të bëjnë serbët e veriut kundër vendosjes së kontrollit në dy pikat doganore në veri. Ai për këtë bën fajtor edhe qeverinë në Beograd.

“Fatkeqësisht Serbia në mënyrë të papërgjegjshme është duke përgatitur strukturat ilegale e kriminale që të shkaktojnë dhunë dhe të pengojnë autoritetet legjitime që të zbatojnë detyrat e kontrollit kufitar dhe të shërbimeve doganore. Jam i sigurt dhe i bindur se këto përpjekje do të jenë të kota, ashtu siç kanë qenë të kota qëllimet e Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi i kërkoi Serbisë që mos të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës por të sillet si një vend fqinjë për marredhënie të mira.

“Serbia duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme si një shtet fqinj dhe të zbatojë obligimet e saja shtetërore që dalin si rezultat i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga SHBA”, tha kryeministri.

Mirëpo, shefi i delegacionit serb në bisedimet me Prishtinën, Borko Stefanoviq, ka thënë për mediat lokale serbe, se vendosja e doganierëve kosovarë në dy pikat kufiare në veri nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes për vulat doganore. Ai thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut të mëtejshëm.

 

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi:Mimoza Kelmendi