1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thesari i Ebersvaldes

Sarah Hofmann / Eliana Xhani22 Qershor 2013

Ai është thesari më i madh i arit i gjetur deri tani në Gjermani, nga epoka e bronxit dhe një nga rastet më spektakolare të artit të grabitur. Tani ai u bë shkak për tensione mes Merkelit dhe Putinit.

https://p.dw.com/p/18uOP
Fotografi: Imago

Ai është me të vërtetë një peshë e rëndë. Më shumë se dy tonë e gjysmë ar sjell në peshore i ashtuquajturi "thesar i Ebersvaldes". Ai përbëhet nga 81 objekte të veçanta, ndër të cilat kupa dhe enë të tjera ari me zbukurime të çmuara, bizhuteri dhe shumë sende të tjera ari nga shekulli 8-të dhe 9-të para Krishtit. "Për shkak të përmbajtjes dhe sasisë, ai është nga një thesaret më të rëndësishëm të arit të epokës së vonët të bronxit në gjithë Evropën", thotë Ramona Schönfelder nga muzeu Ebersvalde (Eberswalde). Veçanërisht të çmuara konsiderohen gjithsej tetë enë prej ari, secila me madhësi dhe zbukurime të ndryshe. Ramona Schönfelder mund t'i përshkruajë enët me zbukurimet e ndryshme, por ajo i njeh ato vetëm nga një kopje.

Thesarin e vërtetë ajo nuk e ka parë kurrë, pasi ari i çmuar nga Ebersvalde deri para pak ditësh ndodhej i ruajtur mirë në depot e muzeut Pushkin në Moskë. I shpallur për një kohë të gjatë si i humbur, në 2004 Rusia pranoi se e kishte ajo thesarin. Art i rrëmbyer pra, i sjellë nga Berlini në Moskë nga trupat ruse. Dhe i shpallur atje si legjitim. Për drejtoreshën e muzeut Pushkin, Irina Antonova, situata ishte e qartë: arti i takon Rusisë, si "dëmshpërblim" për krimet e nacionalsocialistëve në ish-Bashkimin Sovjetik. Këtë ajo e ka theksuar shpesh për mediet gjermane. Sipas ligjit rus, thesari i përket Rusisë: në 1997 Duma pati miratuar vendimin që shpallte pasuri ruse, artin e rrëmbyer nga Gjermania.

Zbukurime të çmuara - kopje e objekteve të thesarit të Ebersvaldes
Zbukurime të çmuara - kopje e objekteve të thesarit të EbersvaldesFotografi: Imago

"Epoka e bronxit – Evropa pa kufij" kthehet në skandal

Tani, për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, thesari i arit do t'i tregohej publikut: në Eremitage në Shën Petërburg, një prej muzeve më të famshëm të botës. Për herë të parë bashkëpunuan historianë arti gjermanë dhe rusë, për të prezantuar objekte të epokës së bronxit. Ndër to bëjnë pjesë edhe 600 objekte të rrëmbyera arti nga Gjermania. Ekspozita me titullin "Epoka e bronxit - Evropa pa kufij", duhej të hapej të enjten (20.6.) nga kancelarja Merkel dhe presidenti rus Putin. Në fjalën e saj përshëndetëse, Merkel donte të kërkonte rikthimin e artit të rrëmbyer, u tha nga delegacioni gjerman. Pas kësaj pala ruse e hoqi nga programi hapjen e ekspozitës në Eremitage. Kështu u shmang një skandal rreth artit të rrëmbyer gjerman në Rusi.

Para 100 vjetësh: "… një enë e vjetër me tunxh"

Kanë kaluar plot 100 vjet qëkurse u gjet thesari i Ebersvaldes, rreth 50 kilometra në verilindje të Berlinit. Atje do të ndërtohej një kompleks banimi për punëtorët e një fabrike tunxhi. Në 16 maj 1913 u hapën themelet. Një punëtor ndërtimi ndeshi me lopatën e tij në diçka të fortë. "Këtu kanë groposur një enë të vjetër me tunxh", pati thirrur punëtori, tregon Ramona Schönfelder nga muzeu Ebersvalde. Vetëm pasi punëtori ia tregoi enën drejtorit të fabrikës Aron Hirsch, kuptuan se ena prej balte ishte mbushur me një metal shumë më të çmuar se tunxhi: me ar!

Muzeu Eberswalde
Muzeu EberswaldeFotografi: picture-alliance/dpa

Dhe jo pak: gjithsej 2,6 kilogramë. Aron Hirsch ia njoftoi këtë menjëherë muzeut etnologjik të Berlinit, i shpërbleu punëtorët që kishin gjetur arin me mijëra marka, dhe i ekspozoi 81 pjesët e veçanta që gjendeshin në enë, në fabrikën e tij. Vizitorët vërshuan në qytezën e vogël. "Për Aron Hirsch ishte e rëndësishme që thesarin ta shihnin sa më shumë njerëz", tregon Ramona Schönfelder, "për këtë arsye ia dorëzoi arin Perandorit për ta ekspozuar në një muze të Berlinit." Perandori Vilhelm II, ia dorëzoi objektet e çmuara muzeut etnologjik, nga i cili pak kohë më vonë u formua Muzeu Shtetëror për Historinë e Hershme dhe Prehistorike.

Epoka e bronxit – Evropa pa Kufij - një nga eksponatet e ekspozitës
Epoka e bronxit – Evropa pa Kufij - një nga eksponatet e ekspozitësFotografi: Staatliches Puschkin Museum

"I hapur për publikun e gjerë dhe për studiuesit"

Deri në 1941 "Thesari i arit të Ebersvaldes" mund të soditej në muzeun etnologjik të Berlinit. Më vonë nacionalsocialistët e morën me arka dhe e fshehën së bashku me thesarin e famshëm të Priamit në bunkerin pranë kopshtit zoologjik të Berlinit. Në rast të një humbjeje gjermane në Luftën e Dytë Botërore, thesari nuk duhej të binte në duart e asnjë kombi tjetër. Por pikërisht kjo ndodhi. Që prej vitit 1945 thesari konsiderohej i humbur, derisa muzeu Pushkin në Moskë pranoi në 2004 se e zotëronte atë. Qysh atëherë Berlini kërkon rikthimin e 81 objekteve unike.

Ramona Schönfelder nga Ebersvalde është e gëzuar që më në fund thesari po tregohet për publikun. Për rikthimin Gjermanisë ajo nuk prononcohet, pasi sipas saj është çështje e politikës. Schönfelder dëshiron që thesari të jetë i hapur për publikun e gjerë dhe për studiuesit, më e mira sërish në muzeun e Berlinit. "Kjo ka qenë edhe dëshira e Aron Hirsch, pronarit të parë të thesarit, dhe kjo duhet respektuar."