1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sarrazin Integration

8 Tetor 2009

Ish senatori i Berlinit për çështjet financiare, Thilo Sarrazin, aktualisht anëtar i Kryesisë së Bankës Federale Gjermane, ka folur për integrimin e migrantëve në Gjermani dhe aftësinë e mangët të tyre për integrim.

https://p.dw.com/p/K1sp
Anëtari i Kryesisë së Bankës Federale Gjermane, Thilo Sarrazin në Berlin, 05.10.2009Fotografi: picture-alliance/dpa

Sarrazin ka dhënë një intervistë për gazetën «Lettre International». Indinjatë të madhe kanë shkaktuar dy fjalitë e tij: «Turqit janë duke pushtuar Gjermaninë, njësoj si kosovarët kanë pushtuar Kosovën me numër të madh lindshmëri të lartë." Dhe «unë nuk kam nevojë të njoh kërkënd, që jeton prej shtetit, e refuzon këtë shtet, nuk kujdeset sa duhet për shkollimin e fëmijëve dhe prodhon vazhdimisht vajza të vogla me shami në kokë."

Dy fakte janë të padiskutueshme. E para që Gjermania varet krejtësisht nga migrantët, nëse kërkon të ruajë edhe në të ardhmen dinamikën ekonomike dhe mirëqënien e lidhur me të. Duket si absurde që të parashikosh se ky vend me 3,5 milionë të papunë aktualisht do të ketë në një të ardhme jo të largët mungesë të fuqisë punëtore. Por pas pak vitesh Gjermanisë do i mungojnë inxhinierët dhe ekspertët e kualifikuar dhe për këtë nuk dyshon kërkush, që merr vesh nga këto punë. E dyta: Integrimi i migrantëve, që jetojnë tashmë në Gjermani nuk është në nivel optimal. Këtë fakt nuk mund ta zbukurojë as ekzistenca e Të Ngarkuarës së qeverisë më çështjet e integracionit as Konferenca Islame e organizuar nga Ministria e Brendshme. Njohuritë e gjuhës gjermane janë çelësi i integracionit. Por shumë migrantë nuk flasin gjermanisht edhe pas shumë vitesh. Dhe as që u duhet të flasin, sepse ata kanë ngritur një shoqëri paralele, në të cilën mbaron punë edhe pa gjuhën gjermane. Sepse sendet blihen vetëm tek bashkëkombasit dhe nëpërmjet satelitit konsumohen vetëm programe televizive nga atdheu. Shumë gjermanë i ndjekin me shqetësim këto fenomene, kur kanë parasysh edhe të ardhmen. Kur fëmijët e migrantëve largohen pa dëftesë nga shkolla dhe numri i tyre është sa dyfishi i numrit të fëmijëve gjermanë, që largohen pa dëftesë, atëherë krijohen vatra të rrezikshme sociale. Sepse edhe në të ardhmen do të jetë në fuqi formula e sotme, pa dëftesë shkolle, do me thënë pa arsim, do të thotë pa punë, do të thotë varfëri!

Për të gjetur zgjidhjen se si mund të ndërpritet ky rreth vicioz, duhet zhvilluar një debat intensiv politik, i cili ka dalë krejtësisht nga loja për shkak të zgjedhjeve parlamentare. Por këto tregojnë mbi të gjitha se Gjermania vazhdon ta ketë të vështirë temën e integrimit. Sepse diskutimi përkatës njeh vetëm dy ekstreme, ose mohimin e ekzistencës së ndonjë problemi, ose polemikën, që përgjithëson pa mëshirë dhe përfundon në racizëm.

Pikërisht këtë gabim ka bërë Thilo Sarrazin, që deri para gjashtë muajsh qëndronte në postin e senatorit për çështjen e financave në Berlin, dhe tani është anëtar i kryesisë së Bankës Federale Gjermane. Në bisedë më gazetën "Lettre International" ai deklaronte se nuk i duhet të pranojë kërkënd, që jeton prej këtij shteti, e refuzon këtë shtet, nuk kujdeset sa duhet për shkollimin e fëmijëve dhe "prodhon vazhdimisht vajza të vogla me shami në kokë".

70 përqind e turqve dhe 90 përqind e arabëve, që jetojnë në Berlin, ai i klasifikon si agresivë dhe atavistikë. Me këto shprehje Sarrazin nuk mund të jetë më prezantues i institucioneve shtetërore si Banka Federale Gjermane. Por problemi kryesor nuk është se sa dëmtohet imazhi i bankës.

Problemi është më tepër se Sarrazini ka bërë të pamundshëm çdo lloj diskutimi për problemet e integrimit në Gjermani. Kush i jep të drejtë fjalëve të tij, rrezikon të mendojë në mënyrë raciste. Kush e kritikon, kufizohet vetëm në përzgjedhjen e fjalëve dhe anashkalon problemet, sikur të ishte çdo gjë në rregull. Ky kurth komunikativ pengon çdo lloj diskutimi. Kjo mund të ketë pasoja të rënda. Sepse pavarësisht shprehjeve të Thilo Sarrazinit, një gjë është e padiskutueshme, se integrimi i migrantëve, që jetojnë në Gjermani, nuk është në nivel optimal. Edhe nëse këtë nuk guxon ta thotë kërkush me zë.

Autor: Felix Steiner/Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica