1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Thomas de Maizière: Katalog masash mbi sigurinë në transportin ajror

8 Nëntor 2010

Për fat paketat bomba nga Jemeni të cilat kaluan edhe nëpër territorin gjerman nuk shpërthyen. Por ato kanë nxitur diskutimet për më tepër siguri në transportin ajror.

https://p.dw.com/p/Q17r
Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de MaiziereFotografi: dapd

Pas përpjekjeve për atentate me bomba në formë paketash ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière u shpreh se edhe pse deri tani nuk ka gjurmë konkrete për vepra terroriste: "Po shtohen indiciet sipas së cilave ndaj Evropës dhe SHBA po përgatiten sulme terroriste."

Ministri pranoi se forcat gjermane të sigurisë kishin kujtuar fillimisht se njoftimi për transportin e një pakete bombë nga Jemeni nëpër Gjermani për në Britaninë e Madhe kishte qenë alarm i rremë dhe prandaj për këtë nuk ishte bërë zhurmë e madhe dhe as nuk ishte informuar kancelarja Merkel. "Në bazë të informacioneve që kishim marrë prej britanikëve ne gjykuam se duhet të jetë një alarm i rremë dhe ishim në pritje të provave rënduese" - tha politikani i CDU-së. Materiali eksploziv ishte fshehur në një fishek boje për printer. Sipas të dhënave të gazetës "Frankfurter Allgemeinen Sonntagszeitung" znj. Merkel i mësoi hollësitë për këtë rast prej kolegut të saj britanik David Cameron gjatë një takimi në Londër.

Partia SPD mendon se ngjarja në fjalë duhet konsideruar si "një shenjë alarmuese që në radhët e qeverisë bashkërendimi për çështjet e sigurisë është i keq" . Sipas kësaj partie ministri i Brendshëm de Maizière i kishte anashkaluar për muaj të tërë pa vënë re sinjalet për akte të mundshme terroriste. I ngarkuari i kësaj partie për çështjet e sigurisë Thomas Oppermann e kritikoi qëndrimin e tërhequr të ministrit de Maizière duke e quajtur atë si "mungesë kujdesi për gjendjen e sigurisë në vend."

Ministri de Maizière tha se ngjarjet me bombat paketë dhe paketën me lëndë shpërthyese në adresë të kancelares, e kanë bërë që t'i shprehë hapur shqetësimet e tij. Ai i bëri thirrje popullsisë që të jetë vigjilente dhe që për gjëra që u duken të dyshimta të njoftojnë menjëherë policinë.

Ministri de Maizière do të paraqesë sot (8.11.) në Bruksel një katalog me pesë pika, në lidhje me sigurinë në transportin ajror. Në të ai kërkon që siguria ajrore të bëhet në nivel evropian dhe që avionët e transportit që vijnë nga vendet të pasigurta të vëzhgohen dhe të kontrrollohen më mirë. Po ashtu ai kërkon edhe krijimin e një procedure kontrolli sipas parimit të sitës, pra të kontrollit të policave të transportit në bazë listash me fjalë kyçe dhe kontrollin e paketave me dërgesa të dyshimta. Duke shpjeguar këtë parim de Maizière tha "në rast se një organizatë hebreje porosit aparate të përdorur kopimi në Jemen, kjo është një gjë kaq e pazakonshme sa duhet të ngjallë dyshime dhe duhet të kontrolluar. "

Autor: Werner Schmitz / Pandeli Pani

Redaktoi: Esat Ahmeti