1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Times": Merkeli "Person i vitit 2014"

la(dpa/afp/rtr)26 Dhjetor 2014

Sipas gazetës britanike Merkel ia ka dalë të profilizohet si gruaja e pushtetshme që ndërmjetëson në kohën e krizave më të vështira në botë. Ajo e ka rikthyer perëndimin tek vlera e tij themelore.

https://p.dw.com/p/1EAEC
Merkel beim CDU Parteitag in Köln 09.12.2014
Fotografi: Reuters/K. Pfaffenbach

Gazeta konservatore "Times" shpall kancelaren gjermane Angela Merkel si "Personin e vitit 2014". Në një analizë të po kësaj gazete për këtë vendim theksohet se Merkeli ia ka dalë të paraqesë një profil të qartë dhe këmbëngulës. "Në 12 muajt e fundit institucionet e pas luftës si NATO, BE dhe Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara treguan se nuk janë të afta për t'i bërë ballë krizave si ajo e Ukrainës dhe terrorit të xhihadistëve. Politikanët nuk i kanë dalë ballazi kërcënimit të regjimeve diktatoriale dhe ushtrive bastisëse. "

"Times" vëren se në këtë rang politikanësh vetëm njëra ia ka dalë të profilizohet siç duhet: Kancelarja gjermane Angela Merkel. "Ajo është kthyer në një ndërmjetësuese të pushtetshme mes Lindjes dhe Perëndimit. Në shumë orë bisedimesh direkte ndërmjetësuese me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin ajo është përpjekur t'i tregojë kufijtë ambicieve të tij."

Merkel mit Purin Archiv Juni 2014
Merkel flet me Putinin gjatë cereominsë përkujtimore për zbarkimin e aleatëve në Normandi, qershor 2014Fotografi: AFP/Getty Images/S. Loeb

Gazeta konservatore britanike e lëvdon kancelaren gjermane për kthimin e perëndimit në vlerat e tij. "Perëndimi me ndihmën e saj është përqëndruar tek vlerat e tij themelore duke u bërë i vetëdijshëm se përse ia vlen të luftosh. Merkel është politikanja më e shkëlqyer në Europë, gruaja më e fuqishme e botës - dhe për Times - "Personi i vitit 2014."

Bisedime të vështira në Minsk

Një nga angazhimet më të rëndësishme të kancelares Merkel gjatë vitit 2014 ka qenë gjetja e një zgjidhjeje për krizën në Ukrainë. Ndërmjetësimi i Gjermanisë mes palëve ka qenë i fuqishëm, sidomos në ruajtjen e dialogut në grupin e kontaktit. Ndërkohë në Minsk grupi i kontaktit është takuar rishtazi të premten (26.12)për bisedimet e paqes me qeverinë e Kievit dhe separatistët prorusë. Të dyja palët duket se kanë vështirësi të afrohen. I vetmi konfirmim sipas të dhënave të separatistëve, citojnë mediat, ka qenë shkëmbimi i të burgosurve.

Në bisedimet e Minskut separatistët duan që qeveria në Kiev t'i japë fund bllokadës ekonomike në Donbas. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për mosrespektim të armëpushimit të arritur tre muaj më parë në Minsk. Në bisedimet e Minskut marrin pjesë edhe përfaqësues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE.

Italien Deutschland UkraineTreffen Petro Poroschenko und Angela Merkel in Mailand
Merkel bisedon me Poroshenkon gjatë një takimi në Milano në kuadër të samitit ASEM, tetor 2014Fotografi: Reuters