1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Avokati i Popullit kundër rritjes së çmimit të energjisë

Arben Muka/ Tiranë20 Nëntor 2007

Planet e KESH-it për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, Avokati i Popullit i quan të parakohshme. KESH thotë se duhet të barazojë koston me tarifën, për të kapërcyer vështirësitë financiare.

https://p.dw.com/p/CPd6
Tirana
TiranaFotografi: DW/ Pandeli Pani

Përballë kritikave të institucioneve ndërkombëtare për situatën e vështrirë financiare në Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, kjo e fundit ka bërë propozime për rritje të çmimit, si për konsumatorët familjarë ashtu dhe për ata të biznesit. Këto propozime Korporata ia ka bërë Entit Rregullator të Energjisë, si institucioni i vetëm që mund të vendosë zyrtarisht çdo ndryshim të çmimeve. Rreth propozimeve KESH, ka zhvilluar një diskutim ditën e martë me grupet e interesit.

Sipas ekspertit të korporatës Kondor Ceko, është propozuar që gjatë vitit të ardhshëm të ketë një rritje çmimi për konsumatorët familjarë nga 7 lek për kilovat në 7.3 lek, ndërkohë që pa konsumit të 400 kilovatëve, rritja do të jetë në 8.4 lek për kilovat. Sipas Cekos, me këtë rritje arrihet që të reduktohen orët e ndërprerjeve të furnizimit me energji nga 5 orë në 2 orë në ditë.

Çmimi i energjisë do të ndryshojë edhe për biznesin, duke u rritur në 11.2 përqind, dhe duke u kthyer kështu në nivelin e çmimit të vitit 2005. Kjo sipas ekspertëve të KESH´, vjen pas ndryshimeve të rrethanave aktuale, kur korporata ka rritur sasitë e energjisë së importuar dhe kostot për sigurimin e saj.

Por propozimet e KESH janë kritikuar nga zyra e avokatit të popullit, si një proces i parakohshëm. Sipas zyrës Korporata, duhet më parë të përmirësojë dhe sigurojë një furnizim cilësor për popullatën dhe më pas të kaloje rritjen e çmimit. Juristi Ervin Karamuci, pranë zyrës së Avokatit të Popullit thotë se, defekte ka dhe në trajtimin e ankesave që paraqesin konsumatorët e energjisë.

Por ekspertët e KESH-it gjatë takimit ballafaques të ditës së martë e kanë argumentuar rritjen e propozuar të çmimit të energjisë si pjesë të objektivit për të barazuar koston me tarifën dhe për të tejkaluar vështirësitë financiare.