1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu pyetet në prokurori për tragjedinë e Gërdecit

Arben Muka / Tiranë11 Shtator 2008

Ai ka fajësuar para grupit hetimor shtabin e përgjithshëm të ushtrisë shqiptare për shpërthimet vdekjeprurëse që ndodhën në 15 mars në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, 20 km larg Tiranës.

https://p.dw.com/p/FG1X
Banor duke u larguar nga Gërdeci i shkatërruar, 17 mars 2008
Banor duke u larguar nga Gërdeci i shkatërruar, 17 mars 2008Fotografi: AP

Rreth 7 orë ka zgjatur seanca e parë e pyetje-përgjigjeve mes grupit të prokurorëve që hetojnë tragjedinë e Gërdecit dhe ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu. Pa imunitetin e deputetit, Mediu, është thirrur në cilësinë e "personit nën hetim", për të shpjeguar rolin e tij në krye të ministrisë së mbrojtjes për aktivitetin e fabrikës së çmontimit të armëve, e cila shpërtheu më 15 mars të këtij viti, duke lënë të vdekur 26 persona, rreth 300 të tjerë të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Mesohet se në shpjegimet që ka dhënë para prokurorëve të cështjes, ish-ministri ka fajësuar drejtpërdrejt drejtuesit e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë për gjithçka ka ndodhur para dhe gjatë shpërthimeve në Gërdec.

Një nga avokatët e Mediut, Adrian Visha, e argumentoi kohën e gjatë të seancës me vetë "specifikën dhe kompleksitetin që ka çështja", duke këmbëgulur që klienti i tij "nuk ka asnjë përgjegjësi për ngjarjen e Gërdecit, apo ngjarje të tjera".

Megjithëse hetimi u mbajt larg vëmendjes së mediave, nga burime të besueshme mësohet se ish ministri i mbrojtjes do të thirret sërish për të dëshmuar jo vetëm për tragjedinë e Gërdecit, por dhe për verifikimin e disa praktikave të shitjeve të armëve që Shqipëeria ka bërë me vende të tjera, të përfolura mjaft në media.

Deri tani prokuroria ka vënë në arrest 3 persona për këtë çështje, ndërkohë që rrethi i personave që janë pyetur, apo do të pyeten është shumë i madh. Dy ditë pas tragjedisë, Fatmir Mediu dha dorëheqjen nga posti i ministrit të mbrojtjes dhe më pas parlamenti me shumicë votash i hoqi atij imunitetin e deputetit pas kërkesës për hetim nga prokuroria e përgjithshme.