1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Projektligji për hapjen e dosjeve do të miratohet brenda shtatorit

Arben Muka / Tiranë29 Gusht 2008

Për mazhorancën projektligji do të miratohet edhe pa votat e opozitës. Opozita nuk është dakort me pjesë të projektligjit të cilat, sipas saj, shkelin të drejtat e njeriut për personat e zgjedhur me votë.

https://p.dw.com/p/F7EL
Fotografi: AP

Projektligji për pastërtinë e figurës të zyrtarëve dhe politikanëve, ose siç thirret, projektligji për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit në kohën e diktaturës, nuk arriti të finalizohet në sesionin e kaluar të parlamentit. Me kundërshtimet e ashpra të opozitës, mazhoranca e shtyu votimin për t'u lënë kohë deputetëve të majtë për t'u njohur edhe më mirë me projektin dhe të përgatisnin propozimet e tyre.

Opozita kishte disa objeksione të saj, veçanërisht për ato pjesë të projektligjit kur sanksionohej ndërprerja e menjëhershme e mandatit të një të zgjedhuri me votë, nëse vertetohej se kishte bashkëpunim me ish-sigurimin e shtetit ose organe te tjera te diktaturës koministe të para viteve '90.

Relatori i projekligjit per mazhorancën është deputeti Aldo Bumci, i cili mendon se që javën tjetër projektligji do të jetë objekt debati në komsionin e ligjeve. Ai shpreson se "opozita ka patur kohë reflektimi dhe do t'i bashkohet angazhimit për votimin në seanca plenare".

Aldo Bumçi shprehet se "mazhoranca dëshiron një miratim të projektligjit nga të dyja palët, por dhe në rast se opozita nuk do të pranojë jemi të vendosur që ta miratojmë dhe vetëm këtë projektligj të rëndësishëm". Mazhoranca këmbëngul se hapja e dosjeve do të pastrojë nga administrata dhe jeta politike njerëzit që kanë një të kaluar të errët dhe që vazhdon t'i mbajë peng ende në kryerjen e detyrave të tyre.

Burime nga selia e PS në opozitë konfirmuan se qëndrimet zyrtare rreth këtij projektligji do të jepen kur ai të jetë pjesë e diskutimit në komsionin e përhershëm parlamentar të ligjeve.