1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Studentët kërkojnë përmirësime në arsimin e lartë

8 Dhjetor 2018

Studentët e Universitetit të Tiranës të mbështetur edhe nga studentë të Universiteteve Publike të qyteteve të tjera nisën protestën në fillim të javës me kërkesë përmirësimin e kushteve në sistemin e arsimit të lartë.

https://p.dw.com/p/39kQ8
Albanien Studentenproteste gegen Reform des Hochschulsystems
Fotografi: DW/A. Ruci

Dita e Rinisë, Festa Kombëtare, që përkujton në 8 dhjetor, Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990, që përmbysi regjimit komunist, sivjet i gjen studentët e Universiteteve Publike të Shqipërisë në protestë masive.

Studentë nga Universiteti i Tiranës protestuan edhe të shtunën (8.12) para Ministrisë së Arsimit ndërsa studentët e Universitetit Publik të Shkodrës zhvilluan protestën e tyre në qytetin verior, që hapi i pari siparin e demostratave antikomuniste. Protesta e studentëve nisi në ditët e para të javës, nga studentët e Universitetit të Tiranës dhe u mbështet nga studentë të Universiteteve  Publike ai i Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Korҫës dhe Shkodrës, të cilët të premten ( 7.12 ) erdhën në Tiranë duke bërë protestën e tyre një nga më masivet e viteve të fundit në Shqipëri.

Jo negociata me qeverinë - plotësim i kërkesave

Studentët kërkojnë përgjysmim të tarifave të studimit; përmirësim të kushteve të jetesës dhe studimit në konvikte dhe kampuset studentore; përfaqësim më të madh në organet vendim-marrëse të universiteteve publike dhe vetting të stafit pedagogjik për  të nxjerë jashtë sistemit të korruptuarit.

Shifra zyrtare e pagesës për një vit shkollor në Universitetet Publike varion nga 20.000 lekë në 320 mijë lekë për një vit akademik  ( 150 – 2300 Euro) tarifë që I vë familjet e studentëve në vështirësi dhe shtrëngesë të madhe, kur rrroga mesatare mujore është rreth 350 Euro.

Me parullën " Ne jemi studentë, jo konsumatorë” studentët nisën protestën në ditët e para të javës. Nën presionin e tyre qeveria anuloi vendimin e saj të fundit për rritje të tarifave për  provimet e përsësëritura, por deklaroi se nuk mund të ulë tarifat e studimit. Studentët vazhduan protestën edhe pas këtij anulimi. Ata deklaruan të shtunën se nuk do ta ndërpresin  protestën deri në plotësimin e kërkesave të tyre dhe paralajmëruan shkallëzimin e protestës në grevë urie.  Studentët protestues refuzojnë ftesën e kryemnistrit Rama për të biseduar dhe negociuar dhe këmbëngulin në plotësimin e kërkesave të tyre.

Protestë larg politikës?

Protesta edhe pse zhvillohet për motive ekonomike po merr ngjyra politike. Sali Berisha, ish-president, ish-kryeministër dhe lider i PD-së e krahasoi protestën e studentëve: "me një dhjetor të dytë kundër qeverisë Rama”. Ai bëri thirrje për të mbështetur protestën e studentëve. Edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, e quajti protestën e studentëve "dhjetor të dytë”.  Presidenti Ilir Meta iu largua politizimit kur tha se: „ inkurajoj dhe mbështes rininë e sotme, veҁanërisht studentët, që me shpirtin e tyre të lirë, energjinë dhe guximin e pashembullt të marrin aktivisht pjesë në proceset demokratike për europianizimin e plotë të vendit"

Në Shqipëri ka rreth 140.000 studentë në Universitetet Publike. Kërkesat e tyre, reflektojnë në thelb, pakënaqësinë nga reforma në arsimin e lartë. Vetë studentët këmbëngulin që protestsa e tyre nuk ka kërkesa politike dhe i bëjnë thirrje politikës që t'i qëndrojë larg.

Protesta e studentëve, sipas deklaratave të tyre, do të vazhdojë, në ditët e para të javës që vjen,

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana