1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tirana zyrtare: Nuk i kemi shitur armë Gjeorgjisë

Arben Muka / Tiranë26 Gusht 2008

'Qëndrimi rus ndaj vendeve të vogla është jashtëzakonisht i dënueshëm. Rusia një ditë sulmon një vend, ditën tjetër bën deklarata kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, e kështu me radhë', tha Berisha

https://p.dw.com/p/F5AZ
Tiranë
TiranëFotografi: DW

Gjenerali rus Anatoli Nogovitsin, drejtues i shtabit të ushtrisë ruse ka akuzuar Shqipërinë se është një nga vendet që ka furnizuar me armë Tbilisin. Nogovitsin përfshin në listën e tij "të zezë" dhe Maqedoninë, Bullgarinë, Ukrainën, Serbinë, Hungarinë dhe Rumaninë.

Por Tirana zyrtare ka reaguar duke i hedhur poshtë këto pohime nga Moska. Kryeministri Sali Berisha i ka konsideruar si të pabaza ato.

"Të mendosh që Gjeorgjia paska nevojë për armët e Shqipërisë, kjo është një shpikje. Gjeorgjia është një vend që ka pasur armët e veta, ushtrinë e vet dhe që pësoi agresion. Akuzat ruse nuk më çudisin aspak, sepse kanë një qëndrim konstant ndaj shqiptarëve. Për mendimin tim, qëndrimi rus ndaj vendeve të vogla është jashtëzakonisht i dënueshëm. Rusia një ditë sulmon një vend, ditën tjetër bën deklarata kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, e kështu me radhë", ka deklaruar të martën në Tiranë kryeministri Sali Berisha.

Ai ka shprehur dhe mbështetjen e Shqipërisë për Gjeorgjinë. "Është një vend mik yni dhe një vend demokratik, i cili do të ketë të gjithë mbështetjen që meriton një vend i tillë në një situatë të vështirë", deklaroi kryeministri Berisha.