1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tone antiruse në Poloni

Rosalia Romaniec16 Nëntor 2015

Qeveria e re polake duket se do të kalojë që në krye në kurs konfrontimi me Moskën. Ende pa bërë betimin, nacionalkonservatorët kërkuan një sqarim të fatkeqësisë me avion të Smoleńskut.

https://p.dw.com/p/1H5Kz
Jaroslaw Kaczynski dhe Beata Szydlo
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto

"Çështja e Smolenskut" duhet të sqarohet, tha kryeministrja Beata Szydlo ende pa bërë betimin në post. Ministri i saj i Jashtëm Witold Waszczykowski dhe koordinatori i shërbimeve të fshehta të Polonisë, Mariusz Kamiński u shprehën edhe më konkretisht. Duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore, sepse "hetimet ndodhen në një rrugë pa krye", u shpreh Kaminski. Me hetimet ai ka parasysh procesin e hetimeve në Rusi, i cili pas pesë vitesh nuk ka përfunduar ende.

Në 10 prill 2010, në rrëzimin e avionit të tyre në Smolensk e humbën jetën 96 vetë. Shumica e tyre ishin funksionarë polakë të nivelit të lartë, midis tyre edhe Presidenti i Shtetit, Lech Kaczynski. Vëllai i tij Jaroslaw është kryetar i partisë "E drejta dhe drejtësia", e cila mori në zgjedhjet më të fundit parlamentare shumicën e votave dhe konsiderohet si "burri i fortë" i ardhshëm, i cili do t'i drejtojë që nga prapavija në Poloni punët.

"Ky është detyrimi ynë"

Që anëtarët e rinj të qeverisë e paraqitën këtë temë që pa bërë betimin zyrtar, të çudit pak. Por Szydlo i sqaron të habiturit: "Kemi të bëjmë me një çështje shumë të rëndësishme, e cila duhet sqaruar. Ne nuk kemi hequr kurrë dorë prej saj. Eshtë koha më e përshtatshme që të përgatisim një koncept. " Jaroslaw Kaczynski, shefi i partisë KiS deklaroi para pak ditësh në prezantimin e qeverisë, se Smolenskun duhet ta sqarojë një "drejtësi normale dhe një prokurori që funksionon normalisht". Sipas mendimit të Kaczynskit, nuk nevojiten komisione ndërkombëtare, "me përjashtim të rastit kur dikush nga jashtë do ta propozojë një gjë të tillë".

Koordinatori i shërbimeve të fshehta dhe ministri i Jashtëm janë të mendimit se Polonia duhet ta sjellë çështjen para Gjykatës në Strasburg. "Ky është detyrimi unë ndaj viktimave. Një detyrim moral dhe politik kërkon sqarimin e plotë të fatkeqësisë", thotë Kaminski.

Smolensk-u të përcillet në Strasburg

Ministri i ri i Jashtëm, Witold Waszczykowski propozon si instancë sqarimi Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Në një intervistë me stacionin televiziv polak TVN24 ai tha se u duhet kërkuar edhe ekspertëve të vendeve aleate - midis tyre edhe SHBA- që ta shqyrtojnë raportin e paraqitur nga rusët në fillim të 2011.

Komisioni hetimor i dominuar nga rusët i autoriteteve të transportit ajror MAK, i cili u drejtua atëherë nga Presidenti Putin, e publikoi pas rreth një viti raportin përfundimtar. Në të ekspertët e quanin një gabim të pilotit si shkak të drejtpërdrejtë të rrëzimit të avionit, meqenëse ai, megjithë kushtet më të vështira të mundshme atmosferike u nis të ulë avionin. Një shpërthim ose zjarr në bord u përjashtuan. Kjo në një kohë kur të dhënat polake për gabime të kontrollorëve lokalë rusë të fluturimeve nuk u morën parasysh në raport, gjë që shkaktoi kritika në Poloni. Kryeministri i atëhershëm, Tusk, nuk i vuri pikëpyetje raportit, por e quajti të paplotë. Me ashpërsi shumë më të madhe reagoi që atëherë Jaroslaw Kaczynski. Ai foli për një "tallje të Polonisë." Tani Kaczynski do ta hapë nga e para çështjen. Ai mund të veprojë që nga prapavija, pasuesit e tij i përmbahen kursit.